Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Nga vendet më të bukura rreth Romës, në Castel Gandolfo: pushimet e Papëve

Papa Gjon Pali II me pushime në Val d'Aosta - ANSA

11/08/2017 15:01

Nëse ndokush nuk ka shkuar deri tani me pushime, java e ardhshme është shtatëditëshi më i përshtatshëm e më i zakonshëm, që i çon njerëzit drejt detit apo drejt malit, natyrisht, ata që kanë mundësi. Edhe Vatikani merr së paku tri ditë pushim, duke filluar nga e hëna e deri të mërkurën. Të martën kremtohet festa e rëndësishme e Zojës së Madhe, të hënën përkujtohet shën Maksimilian Kolbe meshtar e martir e, të mërkurën shën Shtjefni, mbret i Hungarisë. Edhe Papa bën një pushim të vogël, pavarësisht se thotë Engjëllin e Tënzot me besimtarët, të martën.

Por, kur kanë filluar të shkojnë me pushime Papët e Romës? Duke shfletuar vëllimet e rënda të “Historisë së Papëve” me autor Ludwig von Pastor, ose “Fjalorin e erudicionit historiko-kishtar” të Gaetano Moronit, gjejmë ata papë që largoheshin nga Roma për t’i shpëtuar vapës, ajrit të keq apo sëmundjeve. Por duhet të arrijmë tek Papa Inoçenci III (1198-1216) që të flasim për pushime verore të papëve.

Nën papninë e tij, romakët e quajnë Lateranin “pallati i dimrit”. Papët ndërtuan madje, pallate jashtë Romës, për pushimet e tyre, si në Segni, në Anagni e Viterbo. Kudo shkuan, bonifikuan zonën, duke përzënë prostitutat e duke eliminuar vaskat e pashëndetshme, ku zbutej linoja. Vende të tjera pushimesh ishin edhe Sora, Tivoli, Montefiascone. Bukuritë e pyjeve mahnitën Papën humanist, Piu II (1458-1464), por edhe Papën gjahtar, Leoni X (1513-1521), që shkonte në gjueti në pronat e Magliana-s.

Gjithsesi, zakoni për pushime të shkurtra e të vazhdueshme u konsolidua vetëm në vitet ‘600, kur Papa Urbani VIII (1623-1644) ndërtoi pallatin e Castel Gandolfo-s, pranë liqenit të Albanos, në kodrat përreth Romës. Deri më sot, ka qenë vend i privilegjuar pushimesh për 15 papë, duke u kthyer në një lloj Vatikani veror. Udhëtimi i parë i një pape drejt Castel Gandolfo-s mban datën 10 maj 1626. Më vonë, pallati apostolik u zgjerua më tej e për këtë, punuan arkitektë të famshëm si Carlo Maderno.

Pas Urbanit VIII, papa i dytë që shkoi në rezidencën verore qe Aleksandri VII (1655-1667), i cili i kërkoi skulptorit të shquar Bernini t’i shtojë pallatit fasadën dhe galerinë. Pas tij, Castel Gandolfo-s i duhet të presë një kohë të gjatë, derisa të vinte në fronin e Shën Pjetrit Papa shqiptar, Klementi XI (1700-1721). Për pushimet verore të tij shkruan Lancisi në librin “Efemeridet e pushimeve të Klementit XI”, ku përshkruan papën, herë në shëtitje me rojet zvicerane, herë në lutje në kishën e Kështjellës, herë në famullitë pranë, duke pyetur fëmijët për katekizmin.

Papët ndoqën njëri-tjetrin në Castel Gandolfo deri në fund të shekullit XVIII, kur trupat franceze pushtuan pallatin apostolik. Papa Piu VI nuk mundi të shkojë, por Piu VII e rifilloi traditën tre muaj para burgosjes së tij nga Napoleoni e, edhe katër muaj pas “Restaurimit” të shtetit papnor. Fshatarët e festojnë me fishekzjarre. Një kuriozitet: me Piun VII, në pallatin apostolik, një dhomë pajiset me bilardo.

Mbahet mend më pas, Papa Piu IX (1846-1878), i cili në vitin 1859  shkon në Castel Gandolfo, pasi kishte përdorur për herë të parë trenin me avull, që e çoi deri në Cecchina. Hajdutët, kolera, gjendja politike e atij çasti do të shkaktonte mbylljen e vilës së papëve nga viti 1870 deri më 1929, vit i Pakteve të Lateranit. Papa Piu XI (1922-1939) fillon të shkojë sërish, nga data 24 gusht 1933. Tregohet se udhëtonte fshehurazi me një makinë, së cilës iu shpua goma rrugës, por Piu XI mbahet mend sidomos për restaurimet e pallatit apostolik, që u vlerësuan edhe nga papët e mëvonshëm. Aty shkuan verës Piu XII, Gjoni XXIII e madje, Papa Pali VI ndërroi aty jetë.

Por, do t’i takojë Papës polak, Gjon Palit II, revolucionarizimi i vërtetë i pushimeve verore, që shenjti i ardhshëm i kalonte jo vetëm në Castel Gandolfo, zbukuruar edhe nga një pishinë e dhuruar nga polakët, por edhe në mal, në Cadore e në Val d’Aosta. Si ai, edhe Benedikti XVI. Ndërsa Papa Françesku i kalon pushimet në Shtëpinë e Shën Martës dhe e ka hapur rezidencën e Castel Gandolfos për vizitat e publikut. Tani për tani, historia e pushimeve verore papnore, përfundon me kaq.

11/08/2017 15:01