2017-08-11 11:01:00

Meditim pranë kriptës së Shën Kjarës


Po vizitojmë sot kriptën e shenjtores së Asizit, Kjarës, në festën e saj  liturgjike, duke ecur në gjurmët e shkrimtarit të shquar danez, Joergensen Johannes, në “Shtegtimet e tij françeskane”.

I ngarkuar me mbresa, pas vizitës në Shën Damian, ku lutet para Kryqit bizantin, që i pati folur zemrës së djaloshit Françesk, shtegtari, i pushtuar nga kujtime ende të freskëta françeskane, hyn në Kishën e Shën Kjarës.  Edhe këtu, ashtu si në Kishën e Shën Françeskut, zbret në kriptën ku bën gjumin e mbramë Kiara e Asizit. Që nga viti 1850, datë kur u rigjet varri i Saj e kur u ndërtua kripta, shtegtarët mund të gjunjëzohen para trupit të Shenjtores së parë françeskane, ashtu si e ruajtën  shekujt. Para syve të tyre ngrihet një perde e, pas kryqit, që e mbulon  pjesërisht kristalin, fafitet flaka e një qiriu, gjithnjë i ndezur, nën kujdesin e të bijave. Nën dritën e kësaj flakëze mund të shikosh Shën Kjarën, me gjithë bukurinë shkreptimtare. Clara nomine, vita claria, clarissima moribus (i bukur emri, e kjartë jeta, e shndritshme vdekja) siç thotë për të jetëshkruesi i Shën Françeskut, Tomasso da Celano.    

Shtegtarët ndalohen gjatë në lutje para këtij varri, ku të duket se jeta rijeton. Nuk vdes. Vetëm përgjumet. E nuk mund të mos kujtosh fjalët që pati thënë për të, Adele Pierrobet, një grua italiane, që e donte me pasion Shën Françeskun, në një syzim prekës, titulluar “Në Asizi”:

“Shën Kjara, pas kafazit së saj, më bën të kujtoj kohët kur jetoi, kohë kur feja ishte e flaktë e kur njeriu mundohej t’i shërbente vetëm së mirës. E murgeshat, që shkojnë e vijnë, si hije të tejdukshme, për t’u lutur pranë relikeve të bekuara të Nënës së tyre, duket sikur më pëshpërisin në vesh e më kujtojnë se ato kohë nuk kanë kaluar e se feja, paqja e të mirat françeskane vijojnë të enden lumturisht nëpër shtigjet e rrëpirta të botës. Në forma të tjera, por me të njëjtin shpirt.

Si qenie të ndryshme prej nesh, bijat e Shën Kjarës vijojnë edhe sot e kësaj dite jetën e këputur të Nënës, që fle në këtë kriptë. Luten e punojnë. Luten për vete, për ne, e sidomos për ata, që nuk luten kurrë... Punojnë, për ata, që u kërkojnë ndonjë gjë e jeta e tyre rrjedh, në punë e lutje, e qetë  dhe e virtytshme.

Punojnë e luten, ashtu si punonte e lutej në Shën Damian, në ato ditë të largëta, e bija e Kontit Scifi, që solli ndërmjet mureve të ftohta bukurinë e saj rinore e, me praninë shenjte, e mbushi plot me dritë, ngrohtësi e lumni, qelinë e varfër, të zhveshur, të akullt. Dritë që vijon të shndrisë në horizontet e zymta të botës… Dashuri që nuk vdes, vijon të marrë frymë mes nesh – siç i këndoi Kjarës poeti italian Eliseo Battaglia në poezinë “Dashuri që frymon”. Merr frymë e frymëzon! Sepse “Engjëjt e paqes”, trashëgimtaret shpirtërore të Shën Kjarës, vijojnë të jetojnë në Asizi… nëpër botë... e ndër shqiptarë, ku zgjodhën si banesë të parë një skutë ferri, degën e punëve të brendshme, për ta kthyer në Parriz.

*Sipas Joergensen Johannes, Pilgrimsbogen”, I Corvi, 1957, fq.188-9








All the contents on this site are copyrighted ©.