Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Aktualiteti ndërkombëtar

Koreja e Veriut – SHBA. Imzot Tomasi: dialog, ose kërcënim bërthamor konkret

Një bombardier amerikan shoqëron një avion luftarak koreanojugor - EPA

10/08/2017 14:21

“Si të krishterë duhet të ecim në udhën e paqes” e duhet të bëjmë ç’është e mundur që njerëzit ta kuptojnë se “nga kërcënimi bërthamor mund të mbrohemi vetëm duke i zhdukur armët atomike”. Ky është mendimi i kryeipeshkvit Silvano Maria Tomasi, për shumë vjet, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në zyrën e OKB-së në Gjenevë, ndërsa tensioni ndërmjet SHBA-ve dhe Koresë së Veriut ka arritur maja tepër të larta. Piong-jangu deklaron se në gjysmën e gushtit, pra, javës që vjen, do të jetë gati për të sulmuar bazën ajrore amerikane të Andersenit, në ishullin Guam. Plani parashikon hedhjen e katër raketave me rreze të mesme veprimi, të cilat mund të përshkojnë hapësirën mbi Japoni, për t’i dhënë një paralajmërim edhe aleates së SHBA-ve. Kjo është përgjigjja koreanoveriore ndaj deklaratave të presidentit amerikan Trump, i cili i kujtoi Piong-jangut se arsenali bërthamor amerikan është më i fuqishëm se kurrë.

         Imzot Tomasi nënvizon, në mikrofonin e Radio Vatikanit, se armët shkatërrojnë gjithçka, pa dallim. Vendet, që duhet të ulen në tryezën e bisedimeve për t’i zhdukur nga qarkullimi armët bërthamore, e dinë këtë fort mirë, por është e vështirë të tërheqësh në dialog njerëz me objektiva politike e ushtarake të kundërta, pranon imzot Tomasi:

         Është interesant fakti se, para disa javësh, 123 vende nënshkruan një konventë, e cila ndalon krejtësisht përdorimin e armëve bërthamore. Pra, nga njëra anë, po ecim drejt një ndërgjegjësimi më të madh e, nga ana tjetër, shohim se, fatkeqësisht, disa vende që kanë armë atomike duan t’i mbajnë ato e ta zhvillojnë më tej këtë teknologji ushtarake. Ne, si të krishterë, duhet të ecim në rrugën e paqes e të përforcojmë edukimin e kulturën publike. Për të qenë të sigurtë nga kërcënimet bërthamore, është e nevojshme që asnjë vend të mos i ketë këto armë. Duhet gjetur një alternativë më konstruktive dhe e sigurtë. 

10/08/2017 14:21