Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: lotët e Shën Lorencit

Shën Lorenci - RV

10/08/2017 12:25

Dikush i quan akoma “lotët e shën Lorencit”, duke pasur parasysh ato që derdhi shenjti, i martirizuar mbi thëngjij, megjithëse me kohë, vetë krishterimi u ka dhënë tjetër kuptim. Janë “yjet që bien” apo shiu i yjeve, të cilat, duke filluar që sot e për disa ditë me radhë – me kulm në natën ndërmjet 12 e 13 gushtit – do të përshkojnë qiellin e Tokës. Është fjala për meteoritët, që lë pas kometa Swift Tuttle. Njihen si “perseidet”, pasi zona ku i kap më mirë syri është konstelacioni i Perseut. Sot do të flasim për shën Lorencin, në përkujtimin e tij liturgjik, por edhe për këtë reshje yjesh, me të cilat shenjti është disi i lidhur.

 

         Tradita thotë se meteoritët nuk janë tjetër veçse lotët, që derdhi shenjti në ditën e martirizimit. Këto pika dhimbjeje, që tashmë enden pa fund në qiell, ranë mbi tokë ditën që shenjti ndërroi jetë, duke krijuar një atmosferë kaq të magjishme e plot shpresë, aq sa i dhurojnë fat atij, që i shikon. Sipas një historie tjetër, yjet që bien janë thëngjijtë mbi të cilat u dogj shën Lorenci, megjithëse historiografia na kujton se ai nuk vdiq i djegur, por iu pre koka. Por, cili është shën Lorenci, që u ka dhënë emrin edhe yjeve në qiell?

         I martirizuar më 10 gusht të vitit 258 pas Krishtit, në moshën 33-vjeçare, gjatë persekutimit të Pernadorit Valerian, i cili, sipas traditës, e dogji në një skarë të vendosur mbi një zjarr të madh, Shën Lorenci vinte nga Spanja e saktësisht nga Osca në Aragonë. I ri, shkoi në Saragozë për studime teologjike. Aty njohu Papën e ardhshëm, Siksti II e, ndërmjet tyre, u krijua miqësi e madhe.

         Të dy e lanë Spanjën për t’u zhvendosur në Romë. Kur, më 30 gusht të vitit 257, Siksti u zgjodh Ipeshkëv i Romës, i besoi Lorencit të ri detyrën e kryediakonit, pra, të mbikqyrësit të pasurive të Kishës dhe përgjegjësit të veprimtarive bamirëse në dioqezë. Lorenci ua shpërndau të varfërve gjithë ç’kishte Kisha.

         U kap më 6 gusht 258 nga ushtarët e perandorit Valerian në katakombet e Shën Kalistit, së bashku me Papën Siksti II dhe me diakonë të tjerë. Ndërsa Papa dhe diakonët u vranë menjëherë, jeta e Lorencit u kursye fillimisht, që ai t’i dorëzonte perandorit, brenda tri ditësh, të gjitha thesaret e Kishës. Gjithnjë tradita, tregon se paraditen e 10 gushtit, Lorenci u paraqit para Valerianit me një rresht të gjatë të varfërish, të sëmurësh e nevojtarësh, duke thënë: “Ja, thesarët e Kishës”. E atëherë, e lidhën në një skarë të madhe dhe e dogjën të gjallë jo larg nga burgu ku e mbanin. Trupi i tij u çua në Varrezën e Veranos, në katakombet e Shën Qiriakës.

         Papa Siksti III ndërtoi një bazilikë të madhe me tre navata në kodrinën ku u varros Lorenci martir, ndërsa Papa Onori III, në shekullin XIII, e bashkoi bazilikën me kishën e lashtë, duke ndërtuar kështu, Bazilikën e Shën Lorencit jashtë Mureve, ku, edhe sot, ruhet teka në dru e hekur me trupin e Shën Lorencit, diakon.

         Duke u nisur nga shekulli IV, shën Lorenci bëhet një nga martirët më të nderuar të Kishës së Romës. Atij i janë kushtuar kisha e bazilika në shumë vende të botës. Thuhet se një ushtar, i pranishëm në martirizimin e tij, mblodhi në një leckë disa pika djerse e gjaku, ndërsa Shën Lorenci jepte shpirt. I çoi në Amaseno, në provincën e Frosinones, në Itali, ku relikja ruhet në një ampulë. Çdo 10 gusht, ndodh mrekullia e lëngëzimit të gjakut. Kushedi, ndërsa rri me hundë përpjetë duke parë yjet që bien, për të shprehur një dëshirë, ndokujt do t’i bjerë ndërmend për shën Lorencin - martir, sepse deshi Krishtin. Tradita akoma i kujton yjet e plotësimit të dëshirave si “lotët e Shën Lorencit”.

10/08/2017 12:25