Në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku përshëndeti grupet e ndryshme të shtegtarëve, ardhur nga mbarë bota, duke i nxitur të gjithë të jenë dëshmi e gjallë e dashurisë përdëllyese të Zotit. Dashuri, që mund të jetë shpresë për çdo njeri, sepse Zoti nuk ia mohon mëshirën askujt.
Angazhimi është ky: “T’i qëndrosh besnik Krishtit, që na sfidon për të dalë nga bota jonë e vogël, e ngushtë, drejt Mbretërisë së Zotit e lirisë së vërtetë e për t’ua çuar Bekimin e Atit mbarë njerëzve”.
Jezusi - pohoi Papa - nuk themeloi një Kishë të përbërë nga njerëz të mirë e të drejtë, por nga mëkatarë e të ligshtë, që e kanë provuar mëshirën e Zotit e përpiqen të jetojnë sipas vullndesës së Tij, nësa ecin në shtigjet e ngatërruara të jetës së përditshme. Prej këndej, "misioni i parë dhe themelor i Kishës është të jetë spital fushor, vend shërimi, mëshire e faljeje e gurrë shprese për gjithë të vuajturit, të dëshpëruarit, të varfërit, mëkatarët e të flakurit jashtë radhëve të shoqërisë”.
"Ndjesa e mëkateve tona, që e marrim si dhuratë të dashurisë përdëllyese të Krishtit - kujtoi Papa - të jetë për ne burim shprese e arsye për të qenë të mëshirshëm me të tjerët”.
Së fundi, përshëndetjet drejtuar grupeve të ndryshme të shtegtarëve. Një përshëndetje e veçantë ishte për Rregulltaret e Zojës së Papërlyer, Misionare Klaretiane, të mbledhura në kapitullin e tyre të përgjithshëm.
Pastaj edhe përshëndetjet tradicionale drejtuar të rinjve, të sëmurëve e sidomos, çifteve të reja, të pranishme me shumicë në Sallën Pali VI, që vetëtinte nga bardhësia e fustaneve nusërore, pavarësisht nga vapa përvëluese e kësaj dite gushti.
Të rinjtë, që vizitojnë këto ditë pushimesh magjitë artistike të Romës, Papa i uroi që takimi me viset e shumta të ngarkuara me kulturë, art e fe, të jetë rast i përshtatshëm për të njohur e për të imituar shembullin e shumë dëshmitarëve të Ungjillit, që jetuan këtu, si Shën Lorenci, festën e të cilit do ta kremtojmë nesër.
Në vijim, i inkurajioi të sëmurët të bashkohen vazhdimisht me Krishtin e vuajtur, duke e mbartur me fe kryqin për shpërblimin e Botës.
Së fundi, në përshëndetjen drejtuar të posamartuarve, Papa i uroi ta ndërtojnë familjen “mbi themelin e patundur të Ungjillit të dashurisë”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |