2017-08-09 14:22:00

Papa: Kisha është e përbërë nga mëkatarë, që provojnë ndjesën e Zotit


Misioni i parë dhe themelor i Kishës është të jetë spital fushor, vend shërimi, mëshire e faljeje e gurrë shprese për gjithë të vuajturit, të dëshpëruarit, të varfërit, mëkatarët e të flakurit jashtë radhëve të shoqërisë”. Këtë theksoi sot Papa në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur, në këtë ditë të vaptë vere, në Sallën Pali VI, në Vatikan. E përzemërt e festive, pritja e shtegtarëve ardhur nga mbarë bota, me përqafime, shtrëngime duarsh, selfie e deri edhe me shkëmbimin e kësulave.   

Katekizmi i Papës e mori shtytjen nga fragmenti ungjillor, në të cilin Jezusi, i ftuar për drekë në shtëpinë e Simeonit, farizeut, ia fal mëkatet një gruaje, që përkulet tek këmbët  e Tij, ia lyen me vaj erëmirë, ia lan me lot, ia fshin me flokët e gjatë. Ngjarje prekëse, por që i shkandullon pa masë të pranishmit. Sipas mendësisë së kohës - shpjegoi Papa – ndërmjet shenjtit e mëkatarit, ndërmjet të pastrit e të papastrit, distanca duhet të ishte tejet e dukshme. Po sjellja e Jezusit ndryshon:

“Që nga fillimi i misionit të tij në Galile, Ai i afron të gërbulurit, të pushtuarit nga shejtani, të sëmurët, të përjashtuarit. Nuk ishte parë kurrë në ato ana një sjellje e tillë. Aq e vërtetë, sa kjo simpati e Jezusit për të përjashtuarit, “të paprekshmit”, do të ishte një nga gjërat, që do t’i shqetësonte më shumë bashkëkohasit”.

Atje ku është një njeri, që vuan, Jezusi e merr mbi vete e vuajtja e tjetrit bëhet e Tija:

“Jezusi nuk u predikon njerëzve ta mbartin vuajtjen me heroizëm, sipas mënyrës së filozofëve stoikë. Jezusi merr pjesë në dhimbjen njerëzore, e ndan vuajtjen me tjetrin. E kur e takon, nga e gjithë vetvetja i buron sjellja, që karakterizon krishtërimin: mëshira”.

Atje ku është një burrë a një grua që vuan, Jezusi dëshiron shërimin e tyre, dëshiron çlirimin, jetën e plotë. Prandaj ua hap krahët mëkatarëve:

“Sa e sa njerëz kalojnë, edhe sot, jetë të gabuar, sepse nuk gjejnë askënd që të jetë i gatshëm t’i shikojë ndryshe, me sytë, a më mirë të themi, me zemrën e Zotit, domethënë me shpresë. Ndërsa Jezusi shikon mundësinë e ringjalljes edhe në njeriun, që zgjedh vazhdimisht rrugë të gabuara. Jezusi është gjithnjë aty, me mëshirën, që ka në zemrën e hapur në dy kanatat, duke e shikuar njeriun me ndjesë e shpresë. Ai përqafon, kupton, afrohet. Kështu është Jezusi!”.

Papa shprehu trishtimin e tij për ata, të cilët nuk e provojnë mëshirën, posaçërisht kur është fjala “për katolikë, që besojnë se janë të përkryer e i përbuzin të tjerët”. Mëshira - saktëson - nuk është dashuri e kollajshme, që shitet e blihet lirë:

“Ne, që jemi mësuar ta provojmë faljen e mëkateve ndoshta edhe tepër lehtësisht, duhet të kujtohemi nganjëherë sa shtrenjt na bleu Zoti! E pagoi vërtet shtrenjt, secilin prej nesh: me jetën e Jezusit! Ai do ta kish dhuruar edhe vetëm për njerin nga ne!”.

I Biri i Zotit shkon në kryq, posaçërisht sepse i fal mëkatet, sepse dëshiron çlirimin e plotë,  përfundimtar të zemrës njerëzore:

“Kështu mëkatarët falen. E qetësohen edhe psikologjikisht, sepse të çliruar nga barra e mëkatit. Po Jezusi bën shumë më tepër: u ofron njerëzve, që gabuan shpresën për një jetë të re. ‘Por, o Zot, unë s’jam njeri, po zhele’. Shiko përpara. Po të jap një zemër të re! Kjo është shpresa që jep Jezusi. Një jetë  të shënuar nga dashuria”.

Një mendim për Kishën:

“Na bën mirë të mendojmë se Zoti nuk zgjodhi si brumë të parë për Kishën e vet njerëz, që nuk gabojnë kurrë. Kisha është popull mëkatarësh, që provojnë mëshirën dhe faljen e Zotit. Pjetri i kuptoi më shumë të vërtetat për veten nga kënga e këndesit, sesa nga hovet, që i vlonin në kraharor, duke e bërë ta ndjente veten mbi të tjerët!”.

Jemi të gjithë mëkatarë të varfër - përfundoi Papa - nevojtarë për mëshirën e Zotit, që ka forcë të na shndërrojë e të na japë shpresë; e të na e japë ditë për ditë - përfundoi Papa - dhe e bën këtë! Ua bën njerëzve, që e kanë kuptuar këtë të vërtetë themelore. Zoti dhuron misionin më të bukur në botë, domethënë, dashurinë për vëllezërit e motrat, dhe kumtimin e një mëshire, të cilën ai nuk ia mohon askujt. Kjo është shpresa jonë. Të shkojmë me këtë besim në faljen, në dashurinë përdëllyese të Jezusit.








All the contents on this site are copyrighted ©.