Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Kardinali Urosa për qeverinë e Venezuelës: merr masa arbitrare e të dhunshme

Protestat kundër Maduros në Venezuelë - AFP

09/08/2017 13:50

Kryeipeshkvi i Karakasit, kardinali Jorge Urosa Savino, shpreh “habinë dhe kundërshtimin” e tij për masat e marra ditët e fundit nga qeveria venezuelane, sepse “janë kundër vullnetit të popullit sovran”. Në veçanti, prelati dënon largimin e Asamblesë Kombëtare nga selia e saj e ligjshme në Pallatin Federal Legjislativ dhe pushimin nga puna të kryebashkiakëve të opozitës. Janë masa, “që çudisin për dhunën dhe arbitraritetin”, pohon prelati në një komunikatë të shpërndarë dje nga kryedioqeza, me të cilën i kërkon presidentit Nicolas Maduro të “gjejë zgjidhje për krizën ekonomike, politike e shoqërore të vendit”. Ndërkaq, pas takimit të Limës, në Peru, 17 vende amerikane e deklaruan të paligjshme Asamblenë Kushtetuese të Maduros, por lanë derën të hapur për “bisedime të besueshme”, që çojnë drejt zgjidhjes paqësore të krizës së Venezuelës.

 “Parlamenti pushtohet nga një organ i pavlefshëm e i papranueshëm”

         Gjatë natës të së martës, 8 gusht, Pallati legjislativ i Karakasit u pushtua ushtarakisht nga Roja Kombëtare, e cila nuk i la deputetët të hyjnë. Kujtojmë se pjesa më e madhe janë opozitarë të Maduros, i cili e ka humbur shumicën në parlament, pas zgjedhjeve të fundit. Këtë akt kundër parlamentit, zënë nga Asambleja Kushtetuese, për të cilën u votua pak kohë më parë, kardinali Urosa e konsideron “pushtim arbitrar” nga një “organizëm i krijuar në mënyrë jo kushtetuese, sepse nuk është thirrur nga populli e dyshohet se është zgjedhur me manipulime”. Kardinali nënvizon se është fjala për dëbimin e këtij organi të rëndësishëm publik, gjithnjë “i vëmendshëm ndaj vullnetit të popullit, i cili e ka zgjedhur Asamblenë Kombëtare në konsultimet e 2 dhjetorit 2015”. “Ky është akt arbitrar, i dhunshëm e, prandaj, i papranueshëm”, thekson kardinali.

Dhunim i të drejtave të kryebashkiakëve

         Prelati venezuelan flet edhe për sanksionet “tejet të rënda” të Gjykatës së Lartë të Drejtësisë kundër disa kryebashkiakëve të opozitës. 14 prej tyre janë kërcënuar kohët e fundit nga Gjykata, ndërsa tre janë dënuar tashmë me burg. Kardinali Urosa i referohet sidomos pushimit nga puna dhe burgimit të kryetarit të bashkisë së Chacao-s, Ramon Muchacho, të hënën e kaluar, si edhe thirrjes së sotme në gjyq të kryetarit të bashkisë së El Hatillo-s, David Smolansky e kryebashkiakut të Lecherrìas, të dy, akuzuar për mosbindje. “Këto sanksione – pohon prelati – janë kundër të drejtave të kryebashkiakëve e të vullnetit të popullit, që i ka zgjedhur për të administruar bashkitë”. Së fundi, komunikata e kryedioqezës kërkon “të ndalen këto veprime e të krijohet një atmosferë qetësie, që mundëson gjetjen e zgjidhjeve për krizën e Venezuelës”.

09/08/2017 13:50