Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë… Gjon Françesku Papë

Pallati Albani në Urbino, ku lindi Klementi XI - RV

09/08/2017 10:13

Mbetëm, në emisionin e kaluar të rubrikës “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë”, në atmosferën e ndezur të Konklavit të Kardinajve, të ndarë në dy grupe, që do të zgjidhnin Papën e ri. Ndërmjet shumë propozimeve, emri Albani nisi të lakohej gjithnjë më shpesh, derisa kardinali me gjak shqiptar arriti të ulej në fronin e Shën Pjetrit, si i 243-ti Papë i Kishës katolike, që nga viti 1700, deri në vdekje.

Por, të rikthehemi tek atmosfera e Konklavit, që do ta zgjidhte…

Pignatelistët, otobonistët, altiranët, odeschalchinët e barberinët, të gjithë pinjoj të familjeve më të fuqishme fisnike romake, ishin një mendjeje për Albanin: ata u takuan me francezët që, objektivisht të izoluar, në fillim kërkonin t’i zvarrisnin punimet, duke u përpjekur ta “turbullonin” unitetin e partisë së qendrës me propozimin e disa emrave të parëndësishëm. Por, përballë propozimit për Albanin, pranuan, ndonëse jo pa lëkundje. Në këto rrethana, me projektin politik të grupit të zelltarëve, filluan të përkonin edhe  disa të tjerë. Ndërkaq Albani nisi të dyshonte në aftësinë e tij për ta mbartur barrën e rëndë të papnisë, e vetëm pasi u këshillua me katër teologë, të cilët i kujtuan “ratio praecipua”(një arsye të veçantë), që e detyronte ta merrte tiarën, pranoi të bëhej papë: zgjedhja e tij, e vendosur që më 20 nëntor, u publikua më 23 nëntor 1700. E ai mori emrin Klement, nga fjala latine clemens-(tis), i urtë, i thjeshtë, i mirë, që në Shqipëri përdoret edhe si toponim: Kelmend. Prej këndej shpesh shqiptarët e quajnë edhe papën Albani, Kelmendi XI.

Në një atmosferë, në të cilën theksohej fuqimisht se votimi qe i njëzëshëm, të gjithë e ndjenin veten tejet të kënaqur nga kjo zgjedhje. Papa i ri u përshëndet me një duartrokitje të stuhishme popullore, ndonëse vendi vuante nga zija e bukës. E ai iu përgjgj menjëherë me shumë vepra mëshire, e jo më pak, edhe me deklarata të ashpra e të vazhdueshme, në të cilat theksonte se do ta respektonte bulën antinepotiste.  

Pasi përgënjeshtroi me shumë mirësjellje zërat, që pohonin se Papa i ri kishte thirrë nga Napoli shokun e studimeve Lorenzo Casoni-n për të drejtuar Sekretarinë e Shtetit, emëroi në këtë detyrë Fabrizio Paolucci-n. Gjithsesi, atmosfera e besimit, e krijuar rreth Papës së ri, nuk vonoi të trazohej nga ngjarje, që peshonin rëndë mbi sovranitetin politik të Selisë Apostolike. Në fakt, papnia nisi në rrethana ndërkombëtare të ngarkuara me konflikte: trashëgimi i fronit të Spanjës nga Filipi V dhe njohja e tij si sovran nga ana e fuqive kryesore, e edhe nga Papa, krijuan mosmarrëveshje të pallogaritshme ndërmjet Francës e Perandorisë. Protesta e Perandorit Leopoldi I, kërcënimet e tij gjithnjë më të hapura  për të zbritur në Itali dhe aleancat e shumta, që vijonte të kërkonte edhe ndërmjet shteteve protestante, patën si pasojë, në kahin e kundërt, përgatitjet për luftë dhe manovrat diplomatike të Luigjit XIV. Papa duhej t’i përgjigjej programit politik të zelltarëve, që kërkonin pavarësinë e Selisë Apostolike nga kushtëzimet e fuqive kryesore. E kjo për Klementin do të thoshte se duhej mbajtur një qëndrim i rreptë asnjanës. Gjatë gjithë vitit të parë të papnisë u angazhua në kërkim të një roli paqëtues ndërmjet kombeve katolike si dhe në përpjekjen e kotë për ta mbajtur luftën sa më larg trojeve italiane: këtyre hipotezave, që kishin parakushtin e natyrshëm, sipas të cilit autoriteti papnor duhet të ishte aq i fuqishëm, sa të mund të ndikonte në luftën për hegjemoni evropiane, Papa iu përgjigj me forma politike absolutisht konvencionale.

Në të vërtetë, duke mos pasur përvojë ndërkombëtare, veç asaj që kish mundur të përvetësojë në Oborrin romak, Klementi nuk diti ta vlerësojë faktin se Selia e Shenjtë nuk i kishte më mjetet e përshtatshme diplomatike e as autonominë e aparatit politik, mbi të cilin do të mund të themelohej një strategji e suksesshme neutraliste. Në rend të dytë, përveç shprehjes së  një farë kulture e mendësie të shteteve, që i kundërvihej pushtetit kishtar, konflikti evropian pasqyrohej në vetë Kurien, ku nuk mungonin filoimperialët ose franko-spanjollët, gjë që vinte në dukje pasigurinë e vetë Papës. Veç kësaj, asnjanësia e propozuar prej tij, që theksonte sa e rrezikshme ishte përçarja e kombeve të krishtera përballë turqve, dështoi plotësisht. Kështu edhe plani për t’ia besuar territoret e diskutuara  garancisë së Romës, ose ndonjë princi tjetër neutral, nuk u mor kurrë seriozisht në konsideratë. Pasi u përpoq ta sensibilizonte me breva të panumërta mbarë Evropën, duke siguruar vetëm premtimin krejt të panevojshëm të ndërmjetësimit të Augustit II të Polonisë, Papa, i kapur nga një shqetësim i fortë, nuk arriti ta pengojë e as ta vonojë ngjarjen e majit të vitit 1701, kur trupat perandorake franceze iu sulën Italisë. E tregues  edhe më i qartë i brishtësisë së tij politike, ishte dështimi i plotë i propozimit drejtuar fuqive italiane për organizimin e një federate neutraliste. Në Romë nisi të ndjehej një këmbanë alarmi, me tingujt shqetësues të së cilës do të merremi në emisionin e ardhshëm… 

09/08/2017 10:13