2017-08-08 11:59:00

Zbulohen gjurmët e para të Betsaidës, fshatit të Shën Pjetrit


Fshati i peshkatarëve të Betsaidës, vendlindja e shën Pjetrit, shën Andreut dhe shën Filipit, apostuj, ka gjasa të jetë gjetur, pas dhjetra vjetësh kërkime arkeologjike. Dymijë vjet më parë, u quajt Julias nga Herodi Filip, i biri i Herodit të Madh, për të cilin flet Bibla. U zgjerua dhe u zhvillua, por në shekuj, vendndodhja e fshatit u harrua.

Mbi bazën e përshkrimeve të historianit me origjinë hebraike, Giuseppe Flavio, Betsaida shtrihej jo larg Cafarnaumit, në afërsi të vendit ku bashkohen lumi Jordan me Detin e Galilesë. Ekspertë të Institutit izraelit Kinneret të arkeologjisë në Galile, udhëhequr nga arkeologu Mordekai Aviam, mendojnë se kanë hyrë brenda perimetrit të fshatit, pasi kanë gjetur, në një rrip toke, objekte të shekullit I, II e III. Ndër to, një monedhë argjendi të epokës së Neronit, pjesë të një mozaiku, si edhe elemente të një banjoje publike romake, të cilat të bëjnë të mendosh për një kulturë të tipit urban. Mund të jenë pikërisht këto, gjetjet e para të Betsaida-Julias.

Ku ndodhej Betsaida?

Këto objekte janë gjetur në një shtresë toke të panjohur deri tani, rreth 2 metra nën një shtresë të kohës bizantine, kryesisht të shekullit V, që ishte analizuar edhe më parë. Shtresa e poshtme gjendet 212 metra nën nivelin e detit. Në të kaluarën, arkeologët mendonin se në kohën e Krishtit, Deti i Galilesë ndodhej 209 metra nën nivelin e sotëm të detit, prandaj e kërkonin Betsaidën më lart. Në zonën, që sot njihet si Parku i Jordanit, u gjetën dy ndërtesa të shekullit I dhe II pas Krishtit, por dukeshin të vetmuara e jo pjesë e ndonjë fshati.

Sipas arkeologut Aviam ka mundësi që niveli i liqenit të Tiberiades të ishte edhe më i ulët. Nëse është kështu, ndoshta, Betsaida ndodhet vërtet 212 metra nën nivelin e detit. Nga gërmimet del se në shekullin III pas Krishtit, banjoja publike romake u përmbyt nga ujrat e lumit Jordan dhe u mbulua me mbeturina, mbi të cilat u formua shtresa e epokës bizantine.

Kërkimet e atë Michele Piccirillo e atë Giovanni Battistelli

Kërkime arkeologjike në këtë zonë kanë bërë e vijojnë të bëjnë edhe françeskanët e Rojtarisë së Tokës Shenjte. Vlen të përmenden atë Giovanni Battistelli, ish-Rojtar i Tokës Shenjte, si edhe atë Michele Piccirillo, të dy françeskanë e arkeologë të mëdhenj. Kujtojmë se kompleksi arkeologjik në Umm al-Rasas, qyteti biblik i Mephaat, ku u gjetën mozaikët e çmuar të kishës së Shën Palit, zbuluar nga atë Piccirillo, u shpall Pasuri e njerëzimit nga UNESCO, në vitin 2004.








All the contents on this site are copyrighted ©.