2017-08-08 13:21:00

Venezuelë: rritet rebelimi kundër regjimit të Maduros


Atmosfera e revoltës në Venezuelë bëhet gjithnjë më e ndezur, përballë shtypjes, gjithnjë më të ashpër. Në orët e fundit forcat e armatosura të Karakasit pohuan se ndaluan një grup ushtarakësh, që u përpoq të sulmojë një nga bazat e tyre, në qytetin e Valencias. Gjatë ndeshjes u vra një nga rebelët.

Kapiteni i grupit saktësoi: “Deklarojmë se rebelimi ynë kundër ‘tiranisë’ së presidentit Maduro, është i ligjshëm”. E, duke përjashtuar akuzën e grushtit të shtetit, shtoi: “Yni është aksion qytetar e ushtarak”. Ndërkaq, gjatë manifestimeve, pikërisht në mbrojtje të ushtarakëve në revoltë, u vra edhe drejtuesi i një grupi të opozitës.

Presidenti venezuelan, duke komentuar ngarjen, edhe si sintezë e qëndrimit të qeverisë, pohoi: “Një javë më parë fituam me vota, sot na u desh të fitojmë mbi terrorizmin me plumba”. Ky, ushqimi që po i jep diktatura popullit të vet të uritur! Gjë që e nxiti OKB-në të denoncojë “përdorimin e shpeshtë, të tepruar e sistematik të forcës”. 

Në këtë atmosferë, prokurorja e përgjithshme e Venezuelës, Luisa Ortega Diaz, e shkarkuar nga detyra me akuzën e tradhtisë ndaj atdheut, sepse nuk e përdori autoritetin e saj për t’i shtypur protestat, pohon, në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”:  “Po të më ndodhë gjë, do të ketë gisht qeveria! E sidomos, shërbimet sekrete. Sigurimi!”. E shton edhe: “Në Venezuelë nuk ka më qeveri. Ekzekutivi lufton vetëm për ta pushtuar ilegalisht vendin e për të shfrytëzuar pasuritë e tij, nën hundën e venezuelanëve”.

Situatë e ndërlikuar, pra, e vështirë për t’u shpjeguar saktësisht, në atmosferën e kaosit, sipas Silvana Monti Pacifici, gazetare dhe anëtare e Shoqatës latino-amerikane, në Itali:

“Tani flitet për këtë rebelim: rebelim, po, nga ana e ushtarakëve. Ndërsa qeveria pohon se e shtypi këtë kryengritje. Dyshoj: nuk e di saktësisht nëse ishte rebelim, apo kurth i qeverisë, që njerëzit të dalin në shesh e pastaj të krijohet atmosfera e dhunës. Situatë tepër e pështjelluar, kjo”.

Në sfondin e fillimit të punimeve të Asamblesë së re Kushtetuese, zgjedhur në atmosferë manipulimesh, situata rëndohet më tej, në një vend, që mbetet në morsën e krizës dramatike, të nënvleftësuar nga bashkësia ndërkombëtare. Përsëri Silvana Monti Pacifici:

“Populli venezuelan nuk ka ushqim, nuk ka as pagën më të vogël për të mbijetuar e as ilaçe, për t’u mjekuar. Spitalet janë të boshatisura. E unë nuk gjej fjalë për ta përshkruar këtë situatë, parë me çkujdesje të pafalshme nga bashkësia ndërkombëtare. Diktatura po ndeshet me mbarë popullin e vendit, që jeton në mjerim, që mund të ishte tejet i pasur e që nuk ka as bukën e gojës! Për faj të kujt?".

Urgjente, prandaj, ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare, pohon përsëri Silvana Monti Pacifici:

“Sigurisht duhet deklaruar gjendja e emergjencës humanitare, që krijon mundësinë të arrijnë ilaçet e domosdoshme për popullsinë. Flitet për 100 të vdekur: këto shifra nuk janë të vërteta. 100 të vdekur, nga protestat e prillit rrugëve, deri më sot. Jo! Janë shumë më tepër, por qeverisë nuk i pëlqen të numërojë edhe të sëmurët e të plagosurit, që vdiqën, sepse nuk mund  të mjekoheshin në spitale: këta nuk i vë në hesap qeveria. Por a ju duket e natyrshme të dalësh në rrugë, të marrësh ndonjë plumb e të mos kesh as ku të shkosh për të mbyllur plagën, që t’u hap?  Po vdiqe prej saj, thonë pastaj se vdiqe nga një vdekje e natyrshme. Po gjëja më e rëndësishme është  të deklarohet, në nivel ndërkombëtar, se Kushtetuesja e Maduros është jashtë ligji, antidemokratike, e padëshirueshme nga populli”.

Ndërkaq organizatat jo qeveritare, në bashkëpunim me Kishën, po përpiqen t’i sjellin sadopak lehtësim popullsisë, duke e furnizuar me ilaçe e sende të domosdoshme për jetesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.