Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Tweet i Papës në festën e shën Domenikut të Guzmánit: t’i shërbejmë Ungjillit me fjalë e jetë

Shën Domeniku Guzman - RV

08/08/2017 13:22

 “Sot, lavdërojmë Atin Qiellor përmes veprës së Shën Domenikut, në shërbim të Ungjillit të predikuar me fjalë e jetë”. Në tweet-in e sotëm, Papa Françesku nënvizon tiparet karakteristike të meshtarit spanjoll, themelues i Fretërve predikatarë, i cili ka jetuar ndërmjet shekullit XII e XIII. Festën liturgjike të shën Domenikut të Guzmánit e kremtojmë sot. Lindur në Caleruega, në Castiglia, në vitin 1170, në moshën 15-vjeçare frekuenton shkollat e famshme të arteve liberale dhe të teologjisë në Palencia, ku, në kontakt me mjerimin e luftën, kupton thirrjen e tij rregulltare.

         Shugurohet meshtar, në moshën 24-vjeçare, si kanonik rregulltar i katedrales së Osma-s. Së bashku me ipeshkvin Diego, fillon të udhëtojë nëpër Evropë, ku ndeshet me një rrezik të madh për krishterimin e atëhershëm, me lëvizjen heretike të Katarëve, të ashtuquajturit “albigjezë”, të përhapur sidomos në Francën jugore. Dërgohet nga Papa Inoçenci III, në vitin 1206, së bashku me Diegon, misionar në Langdok, ku predikimi i tij i parreshtur, debatet publike, bisedimet personale, vepra e bindjes, lutja dhe pendesa, shoqërohen nga një jetë e thjeshtë, në varfëri absolute.

         Pasi emërohet nga ipeshkvi i Tuluzës si predikatar i dioqezës, shën Domeniku vendos t’i japë predikimit një formë të qëndrueshme e të organizuar, duke themeluar Urdhërin Domenikan, i cili e merr emrin prej tij. Urdhëri rregulltar miratohet zyrtarisht nga Papa Onori III, në vitin 1216. Nga ajo kohë, shën Domeniku i çon fretërit e vet në të gjithë Evropën, sidomos në Paris e Bolonjë, qendrat kryesore universitare të asaj kohe. Në dy Kapitujt e parë të përgjithshëm, më 1220 e më 1221, përcaktohen elementet themelore të urdhërit: predikimi, studimi, varfëria, jeta e përbashkët, rregullat, përhapja gjeografike, misionet.

         I stërmunduar nga puna apostolike e nga pendesat e mëdha, shën Domeniku vdes në vitin 1221, i rrethuar nga fretërit e vet, në kuvendin e tij të dashur në Bolonjë të Italisë, në një dhomë, që s’ishte e vetja, sepse ai, themeluesi, nuk kishte qelë të vetën. Ishte 51 vjeç. Shpallet shenjt vetëm pas 13 vjetësh, më 1234, nga Papa Gregori IX, mik i madh i tij. Trupi i tij ruhet që nga viti 1267, në një arkë prej mermeri, vepër e artistëve në zë, ndërmjet të cilëve edhe Mikelanxhelo. Kapela ku ndodhet, në bazilikën që mban emrin e Shën Domenikut, është cak shtegtimesh nga Italia e nga Evropa. Të shumta, mrekullitë, që janë bërë me ndërhyrjen e shenjtit, të cilin populli bolonjez e ka “Pajtor mbrojtës të përhershëm të qytetit”.

08/08/2017 13:22