2017-08-08 11:41:00

Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë… Klementi XI, në prag të zgjedhjes


Folëm, në emisionin e kaluar, për hapat e para të kardinalit Françesk Albani drejt fronit papnor, duke e këputur emisionin tek qëndrimi ndaj veprës së kryeipeshkvit François de Salignac de La Mothe, i njohur edhe me emrin Fénelon. Në fakt, më 27 prill të vitit 1697, kur kryeipeshkvi i Cambrai vendosi t’ia nënshtronte librin “Maximes des saints”  (Fjalë të urta të Shenjtorëve) gjykimit të Papës, për t’i dhënë fund polemikës me Bossuet e me Luigjin XIV, kërkoi që kardinali Bouillon i Kongregatës së Zyrës Shenjte të mbështetej pikërisht nga Albani, i cili u bë mbrojtësi kryesor. Ai i priu një beteje të vërtetë brenda Kongregatës, që u mblodh më 12 nëntor 1698, e posaçërisht brenda komisionit të ngushtë, të ngarkuar për të arritur në një gjykim përfundimtar për veprën: ai, pavarësisht nga presionet e vazhdueshme të mjediseve teologjike, në favor të Bossuet1, bëri çmos për zbutjen e gjykimeve të ashpra e të paprapsueshme. Prej këndej u vu në shënjestër të thashethemeve e edhe të kërcënimeve shqetësuese, deri në paralajmërimin se po t’i kundërvihej mbretit të Francës, do ta cënonte jo pak mbështetjen e një kandidature të mundshme në konklavin e ardhshëm. Duke e përballuar këtë atmosferë të ndezur, ai ia doli mbanë të shpallej breva Cum alias (12 mars 1699), e jo një bulë e mirëfilltë dënimi, siç dëshironin kundërshtarët e Fénelonit: breva dënonte njëzet e tri shprehje “sive in obvio earum verborum sensu, sive attenta sententiarum connexione”, por nuk e përmendte asnjëherë termin “heretik”. Pas dënimit, Albani shpejtoi t’i shkruante Fénelonit një letër, përmes së cilës e mësonte si t’i shprehte Papës nënshtrimin e plotë. Letra u shkrua sakaq e u prit me admirim të madh nga Inocenzi XII, i cili i ktheu menjëherë përgjigje. Edhe në këtë rast Albani u angazhua me shumë sukses, jo aq pse ndiqte teoritë mbi dashurinë e pastër të autorit, të cilin e admironte, por sidomos për t’iu përgjigjur edhe një herë dëshirave të Inoçencit, i cili nuk donte ta poshtëronte Fénelonin, besnik i Papës, i jezuitëve dhe i të gjithë atyre, që mbronin arsyet e Romës,  e aq më pak, të vlerësonte, me një dënim të rreptë kundër Fénelonit, galikanizmin e zjarrtë të ipeshkvit Bossuet.

Që nga mbarimi i vitit 1699, të gjitha fuqitë  kryesore katolike, duke parë keqësimin e shëndetit të Inocencit XII, nisën të përgatiten, ndonëse në mënyrë të pabarabartë, për të siguruar hegjemoninë në konklav. Spikaste posaçërisht Luigji XIV, që e lidhte zgjedhjen e re të mundshme, me problemin e sundimit të Spanjës e rëndësinë që mund të merrte Italia për ruajtjen e hegjemonisë evropiane. Sapo vdiq Inocenci XII (27 shtator 1700) mendimet kryesore, që u shprehën, ishin kundër zgjedhjes së mundshme të një pape francez e në favor të një pape romak.  Konklavi nisi më 9 tetor të vitit 1700, në një atmosferë absolutisht të paqartë. Krijimi i dy grupeve: nga njëra anë, ai i kardinajve që përfaqësonin fuqitë e mëdha të Evropës, nga ana tjetër, i zelltarëve, që kërkonin zgjedhjen e një pape “ me gjoks e kokë të fortë”, tregonte qartë se do të duhej jo pak kohë për zgjedhjen e re. Albani hyri në konklav, pasi ishte shuguruar meshtar, në shtator, e kishte kremtuar Meshën e parë, më 6 tetor, në Bazilikën romake të Shën Marisë së Engjëjve, jo krejtësisht i paditur, siç mendojnë disa biografë dashamirë, për një kandidaturë të mundshme. Nëse, nga njëra anë, sjellja e moderuar, mbajtur në Kongregacionin e Sant Uffizio-s (Zyrës Shenjte) për dënimin e Fénelonit, si dhe miqësia e tij e njohur me kardinalin Bouillon, rënë në fatkeqësi, i kishin siguruar simpatinë e francezëve aq, sa të shkruhej në listën e të përjashtuarve, nga ana tjetër, emri i Albanit nisi të përmendej gjithnjë më shpesh nga grupi i zelltarëve, ku edhe bënte pjesë. Në votimin e parë të 10 tetorit, ndër 38 vota, ai mori vetëm gjashtë, për t’u lënë pastaj, mënjanë, për shkak të moshës së re, i “shikuar gjithnjë me sy të keq nga kardinajtë e moshuar si dhe nga shumica e familjarëve të tyre. 1 Gjatë gjithë muajit tetor, kardinajtë punuan në një atmosferë të ndezur, ku kishte pak arritje e shumë fjalë. E vetmja kandidaturë serioze, propozuar nga grupi i zelltarëve, ishte ajo e kardinalit Marescotti, e kundështuar rreptësisht nga francezët. Kjo, faza e parë e një konklavi, trazuar nga një aksident diplomatik me ambasadorin francez Grimaldi e nga një kryengritje e banorëve të Trastevere-s, shtypur menjëherë, shkaktuar nga zija e bukës. Kandidatura e Albanit mbeti gjithnjë në krye të propozimeve të zelltarëve. Për të nisi të flitej aty nga fundi i tetorit, por pa ndonjë përfundim të qartë. Këtë atmosferë e trazoi edhe më shumë lajmi mbi vdekjen e Karlit II2, mbret i Spanjës, që u mor vesh në Romë mbrëmjen e 19 nëntorit. Atëherë zelltarët nisën të kërkojnë me shumë këmbëngulje e urgjencë, një burrë të aftë për të luajtur në Selinë e Shenjtë rolin e frytshëm  të ndërmjetësimit në gjirin e fuqive të mëdha evropiane e për ta rivendosur prestigjin  papnor.   

 

1 L. A. Muratori, XI, fq 449. Ludovico Antonio Muratori (Vignola, 21 tetor 1672 – Modena, 23 janar 1750), prift, historian, shkrimtar, numizmatik e bibliotekar italian.

2 Karli II Habsburg, mbret i Spanjës (Madrid, 06. 11. 1661- Madrid, 01 nëntor 1700)

1 Jacques Bénigne Bossuet (Dizhon, 27 shtator 1627 – Paris, 12 prill 1704), shkrimtar, ipeshkëv katolik, teolog e predikatar francez








All the contents on this site are copyrighted ©.