2017-08-08 14:16:00

Mesha e parë e don Kolë Dedajt, meshtar i ri i Kosovës


Të dielën e kaluar, meshtari i ri i Kosovës, don Kolë Dedaj, shuguruar jo më larg se të shtunën, më 5 gusht, kremtoi meshën e parë në kishën e Shën Pjetrit e të Shën Palit në Gjakovë. Të shumtë të pranishmit, ndër të cilët prindërit, që ia dhuruan këtë djalë Zotit. Homelinë e rastit e mbajti kryeredaktori i ekipit të gjuhës shqipe, don David Gjugja. Më hollësisht, të dëgjojmë bashkëpunëtoren tonë, Rabije-Mrikë Ibraj nga Kosova…


Kisha Katolike në Kosovë, me ndihmën e Zotit, po rritet e begatohet çdo ditë në të gjitha drejtimet. Së fundmi, shugurimi i meshtarit të ri, don Kolë Dedaj, të shtunën e kaluar e ka rritur numrin e meshtarëve. Gjithashtu, gëzon fakti se thirrjet e reja për meshtarë e motra nga të rinjtë e të rejat e kësaj toke dardane janë shtuar viteve të fundit.

Për këtë rritje dhe për shugurimin e don Kolës gëzohet edhe Papa Françesku, i cili përmes një pergamene i ka dërguar don Kolës Bekimin e Tij Apostolik për shugurimin meshtarak, me urimet e përzemerta e kërkimin e hireve prej Zotit  për një jetë të shenjtë e të frytshme shpirtërore për të, familjarët e të gjithë pjesëmarrësit. Këtë letër urimi e bekimi të Papës, e prezantoi në meshën e të dielës në kishën e “Shën Pjetrit e Shën Palit” në Gjakovë, don David Gjugja, kryeredaktor i Radio Vatikanit për Gjuhën Shqipe.

Kjo ishte edhe mesha e parë e don Kolës, të cilën e kryesoi me plot dinjitet, sikur të kishte thënë meshë disa herë më parë. Ai sigurisht me ndihmën e Zotit, mblodhi forcat, si një student i përkushtuar, që ta kalojë provimin përballë gjithë atyre besimtareve, që e kishin mbushur plot e përplot kishën, përballë familjarëve të tij, shumë meshtarëve e motrave, e njerëzve vullnetmirë, nën tingujt e asaj muzike të mrekullueshme  dhe përgjithësisht, në një atmosferë madhështore që krijohet vetëm në raste tejet të veçanta.

Fjalën predikuese edhe në këtë meshë e mbajti don David Gjugja, i cili fillimisht tha se kremtimi i shugurimit të don Kolës dhe mesha e parë e tij sot, janë ngjarje me përjetime të jashtëzakonshme dhe me plot emocione.

“Është gëzim i madh për ty i dashur Kolë dhe për familjen tënde, e cila për shumë vite, të ka përcjellur e mbështetur udhës sate të formimit drejt Meshtarisë, duke përjetuar eksperiencën e shumë prindërve tjerë të Biblës, ty të kanë ofruar krejtësisht Zotit, që të jesh në Shërbimin e Tij të plotë.

Gjithashtu, është gëzim edhe për Kishën e Kosovës, e posaçërisht për famullinë e Shën Pjetrit e Shën Palit në Gjakovë dhe fshatin tënd Korenicë, që përmes meshtarisë sate, e shijojnë dashurinë që Zoti ka ndaj këtij populli shqiptar, e ndaj këtij vendi - Kosovës.

Mesha e parë e jote sot, don Kolë,  ka rëndësi të veçantë, sepse bie në një festë domethënëse për ne të krishterët, është festa e Shndërrimit të Jezu Krishtit para dishepujve të tij”, tha don David Gjugja, gjatë fjalës së tij të gjatë, plot përmbajtje, me të cilën i dha edhe këtë porosi meshtarit të ri:

“Misioni yt nuk është vetëm në sferën shpirtërore e kishtare - do të thotë të mësosh e të transmetosh vetëm përmbajtjen e fesë - por edhe në sferën shoqërore, kulturore e atë kombëtare - do të thotë, krahas vlerave ungjillore, t’i kultivosh, frymëzosh e t’i ushqesh besimtarët dhe shqiptarët me vlerat e shenjta që përbëjnë identitetin tonë kombëtar, që kemi trashëguar nga të parët tanë, e që simbolizohen në flamurin e kombit shqiptar”.

Më pas, françeskani, atë Ndue Kajtazi, meshtar i Kishës së “Shën Pjetrit e Palit” në Gjakovë, përshëndeti familjen e don Kolës dhe gjithë pjesëmarrësit, që madhëruan këtë ngjarje të bukur. Në veçanti, ai përgëzoi don Kolën  për kremtimin e meshës së parë, që siç tha, m’u duk sikur don Kola të kishte përvojë të gjatë. “Tepër mirë, shumë në nivel ishte qëndrimi i tij prej meshtari”, tha pater Ndou. Në fund, meshtari i ri, don Kola dha bekimin e kësaj meshe të shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.