Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Aktualiteti ndërkombëtar

Kongo: bota t’i shpëtojë fëmijët e uritur e të përdhunuar. Thirrje e Unicef

Të shprngulur kongolezë - AFP

08/08/2017 18:31

Bota nuk duhet t’i mbyllë sytë përballë situatës tragjike, në të cilën ndodhen fëmijët dhe familjet në zonën e Grand Kasai të Republikës Demokratike të Kongos, nënshtruar dhunës së tmerrshme nga ana e ushtrisë qeveritare dhe grupeve filoqeveritare nga njëra anë - e milicëve antiqeveritarë - nga ana e tjetër. Kjo, thirrja e Unicef, si përgjigje e thellimit të vazhdueshëm të nevojave humanitare në vendin afrikan, ku ndeshja politike u rindez edhe më shumë, pas njoftimit të presidentit Joseph Kabila, në fuqi prej vitit 2001, për të mos u larguar nga detyra, që duhet ta përfundonte më 2016 si dhe për ta reformuar kushtetutën, që të mund të vërë kandidaturën për një mandat të tretë në krye të shtetit.

Nuk pati pikë vlere, për të risjellë paqen shoqërore në vendin - tetë herë më të madh se Italia - marrëveshja e arritur ndërmjet palëve, më 31 dhjetorin e kaluar, me ndërmjetësimin e ipeshkvijve katolikë, për ta mbajtur presidentin Kabila në detyrë, derisa të mos shpalleshin zgjedhjet e reja brenda këtij viti. Dështuan të gjitha përpjekjet  për vendosjen e një qeverie të re tranzicioni. Sinjal shqetësues ishte edhe vrasja e dy specialistëve të Kombeve të Bashkuara si dhe përkthyesit të tyre, trupat e të cilëve u gjetën më 29 mars. Qenë dërguar në vendin afrikan për të verifikuar si po zbatohesin masat ndëshkimore vënë regjimit të Kinshasës nga Këshilli i Sigurimit. Çmim të lartë, në klimën e pasigurisë së përgjithshme, po paguan edhe Kisha katolike, që u bën thirrje autoriteteve kongoleze  për lirimin e dy meshtarëve të rrëmbyer natën ndërmjet 16 e 17 korrikut të kaluar, në dioqezën e Beni-Butembo, në veri të Kivu, ndërsa nuk dihet asgjë mbi fatin e tre etërve të tjerë asuncionistë, rrëmbyer në tetor 2012.

Popullsia, më se 80 milionë banorë, vijon të vuajë e të persekutohet. Dje, në kryeqytetin Kinshasa, humbën jetën më se 12 vetë, të vrarë me armë zjarri në zona të ndryshme, ndërmjet të cilave, zona pranë burgut në qendër të qytetit, sulmuar majin e kaluar, prej nga ikën më se 4 mijë të burgosur.

Ndërmjet qendrave më të prekura nga ndeshjet e përgjakshme, është ajo e Kasai, zonë minierash, fortesë e ndjekësve të Etienne Tshisekedi-t, kundërshtar historik i presidentit Kabila, vdekur shkurtin e kaluar. Këtu, gjatë 12 muajve të fundit, 1 milion e 400 mijë vetë u detyruan të braktisin shtëpitë. Ndërmjet tyre, 850 mijë fëmijë.

Komisariati i Lartë i OKB-së për refugjatët (Unhcr) foli, javën e kaluar, për krime kundër njerëzimit dhe “praktika të spastrimit etnik” kundër popullsisë, si nga ushtarët qeveritarë, ashtu edhe nga milicët rebelë. Gjatë tre muajve të fundit - dokumenton Agjencia e OKB-së - u vranë më se 250 mijë civilë. Ndërmjet tyre, 60 fëmijë nën moshën 8 vjeçe. Në zonë u gjetën  80 gropa të përbashkëta e, ndërmjet të mbijetuarve të ikur në Angolën e afërt, rreth 40 mijë njerëz të gjymtuar mizorisht treguan histori të llahtarshme për familjarë të djegur gjallë në shtëpitë e tyre, për dhunë seksuale mbi fëmijët, të cilët u detyruan deri të pinë gjakun e prindërve të tyre të mbytur. Prej këndej, një paralajmërim serioz, nga ana e Unhcr drejtuar qeverisë së Kongos e edhe vetë presidentit Kabila për t’i dhënë fund përhapjes së mëtejshme të dhunës e për të respektuar detyrimin e mbrojtjes së gjithë popullsisë, pavarësisht nga etnia e përkatësia, në zonën e Kasai.

Asnjë justifikim për fëmijët e dhunuar në të gjitha mënyrat

Kjo, britma për ndihmë e Marie-Pierre Poirier, drejtoreshë rajonale e Unicef për Afrikën veriore e qendrore.

Kur i pranojmë emigrantët në brigjet tona, duhet të mendojmë edhe për t’ua bërë të mundur jetën në vendet e tyre - nxit Giacomo Guerrera, president i Unicef Italia - duke e ftuar bashkësinë ndërkombëtare të ndërhyjë shpejt për t’i shpëtuar të paktën 400 mijë fëmijët kongolezë, para se uria, e shoqëruar me sëmundje të tjera, ta bëjë krejt të pamundur rikthimin e tyre në jetë.

08/08/2017 18:31