Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë… Në gjurmët e Gjon Françesk Albanit: kardinal

Stema e Albanëve - RV

07/08/2017 11:52

Në emisionin e gjashtë të rubrikës: “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…”, vijojmë të ecim në gjurmët e Papës me gjak shqiptar, Klementit XI, në sa ngjit, herë një nga një e herë edhe dy nga dy, shkallët, që do ta çonin në fronin e Shën Pjetrit:

Më 1677 hyri zyrtarisht në prelaturë. Inoçenci XI e emëroi referendar1 të dy Senjaturave, apo gjykatave të larta papnore dhe këshilltar të Kongregatës Koncistoriale. Për disa vjet ishte qeveritar i Rietit, i Sabinës e i Orvietos. Në vitin 1683 u kthye në Romë, ku u emërua mëkëmbës i gjykatës së Shën Pjetrit, me privilegjin që të mbante edhe kanonikatin e Shën Lorencit. Pas një qëndrimi të shkurtër në Urbino, për t’i shërbyer të atit, që po jetonte çastet e fundit, me ndihmën e shokut të shkollës, Lorenzo Casoni2, asokohe sekretar i Cifrës, 3 ia doli mbanë  që Inoçenci XI ta emëronte sekretar i Brevave4, duke zëvendësuar kardinalin Slusius (3 tetor 1687). Në  fillim, për kryerjen e kësaj detyre e ndihmoi shumë Carlo Agostino Fabroni5 me të cilin lidhi një miqësi të ngushtë, që vijoi gjatë gjithë jetës. Më 29 tetor 1688 u emërua kanonik i Shën Pjetrit. Po ngjitja e tij e rrufeshme në shkallët e Kuries, nisi që në çastin kur u zgjodh Aleksandri VIII dhe vijoi deri në zgjedhjen e tij në fronin papnor. Më 13 shkurt  1690 u krijua kardinal diakon me titullin e Shën Marisë në Aquiro, shndërruar dy herë; së pari, me atë të Shën Adrianit (2 maj 1690) e, më pas, me titullin presbiterial të Shën Silvestrit “in Capite”(30 mars 1700); 12.000 skudat, që merrte për kryerjen e kësaj detyre, të papërputhshme me kardinalatin, Albani i shkëmbeu me abacinë e Shën Marisë dhe të Martirëve Gjoni e Pali i Kasmarit. Nën papninë e Aleksandrit VIII u ngarkua të hartojë një tekst, që i kundërvihej vendimeve të Asambleve të klerit francez të vitit 1682 dhe shtrirjes së mëtejshme të tagreve mbretërore, që mori formë zyrtare në brevën dënuese Inter multiplices.

Gjatë pesë muajve të konklavit, që do të përfundonte me zgjedhjen e Inocencit XII, Françesk Albani nuk pati ndonjë rol të veçantë, sepse i sapo  zgjedhur në Kolegjin Kardinalor. Por Papa i ri, në një nga aktet e tij të para, ia konfirmoi menjëherë detyrën e Sekretarit të Brevave dhe u këshillua me të për zgjedhjen e Kuries. E Albani, i cili e shihte me sy të mirë sjelljen rigoroze të Papës dhe jepte ndihmesë të dukshme për t’i hedhur poshtë vërejtjet e kardinalit të lëkundur Spada, shkroi bulën Romanum decet Pontificem (22 qershor 1692), kundër nepotizmit. Ai, së bashku me kardinajtë Bernardino Panciatichi e Fabrizio Spada, vijoi të kujdesej edhe për marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me Francën, duke fituar nam, të pajustifikuar, si filofrancez: ky anim ra edhe më shumë në sy, kur luajti rol të dorës së parë në mbështetjen e kandidaturës të  Filipit Anzhú për fronin e Spanjës, pasi Karli II, para se të vdiste, i drejtoi Papës kërkesën sekrete të shprehte botërisht qëndrimin e tij për këtë çështje. 

Gjatë papnisë së Papës Pignatelli6, Albani nuk u largua asnjëherë nga Roma, gjë që i shërbeu për të fituar njohuri shumë të vlefshme në drejtimin e shtetit: mësoi të njihte mekanizmat e ndërlikuara e delikate, që vinin në lëvizje jetën e Oborrit papnor, duke forcuar, në mënyrë të padukshme, por të vazhdueshme, pozitën e tij në pushtet. Mori pjesë në kongregata të shumta (të Riteve, të Imunitetit, të Ipeshkvijve dhe Rregulltarëve, të Propagandës, të Zyrës Shenjte, të Fabrikës së Shën Pjetrit, të Punëve koncistoriale), ku mundi të njohë nga afër drejtpeshimet shqetësuese të qeverisjes si dhe kriteret e formimit të organizmave kuriale. Në një Romë me qëndrime që ndryshonin vazhdimisht, duke nisur nga simpatitë   filozhanseniste e rigoroziste, për të kaluar sakaq tek ndikimet kuietiste apo apatike, të plogshta e probabiliste, në çastin e parë Albani u duk sikur do të ruante ekuilibrin intelektual, më shumë formal sesa thelbësor, tipik për një funksionar romak të epokës. Ndërsa, në të vërtetë, Albani dëshironte të rrinte sa më në periferi të polemikave fetare, për të mos e rrezikuar rrugën e karrierës. Më vonë, kur u forcua pozita e tij në Kurie, në vitin 1696,   doli nga ky anonimat, duke botuar, nën kujdesin e tij, veprën Nodus praedestinationis të kardinalit C. Sfondati7 pas vdekjes. Botimi u pasua nga polemika të stuhishme, me fjalë e me shkrim, posaçërisht nga rrethet agostiniane dhe zhanseniste, që kërkonin dënimin e librit e të autorit. Nuk ia arritën, por gjithë kjo potere e shqetësoi pa masë Inocencin XII si dhe vetë Albanin, gjë që nuk e harroi deri sa, pas shtatë vjetësh, u zgjodh Papë.  E pikërisht atëhere e pa të arsyeshme t’i përgjigjej Louis-Paul Du Vaucel, autor i polemikave më të fuqishme. Një rast tjetër po kaq simbolik për të zbuluar afërsinë e ideve të Papës Klementi me kardinalin Fabroni dhe mjediset e Shoqërisë së Jezusit, ishte edhe  qëndrimi  i tij ndaj parashikimit për dënimin  e “Maximes des saints” - apo “Fjalët e urta të Shenjtorëve” të Fénelonit. 8 Histori që do ta vijojmë në emisionin  e ardhshëm.

1  Referendar apo referues (në lat. referendarius, nga referenda,  përcjellore e foljes referre, ‘riferire’ ishte, në Perandorinë e vonë romake e më pas në atë Bizantine, funksionari i ngarkuar të shqyrtonte lutjet e qytetarëve, t’ia referonte perandorit (në këtë rast, Papës) e t’u transmetonte gjykatësve vendimet (këtu, të Atit të Shenjtë).

2 Lorenzo Casoni (Sarzana, 16 tetor 1645 - Romë, 19 nëntor 1720), kardinal e kryeipeshkëv katolik italian.

3 Sekretari i Cifrës, prelat që i përkiste familjes së Papës e që ishte i ngarkuar me përkthimin në shifër të korrispondencës sekrete të Papës.

 4 Breva apostolike është dokument papnor (litterae apostolicae), ma pak solemne se bula.

5 Carlo Agostino Fabroni (Pistoia, 28 gusht 1651- Romë, 19 shtator 1727)  kardinal italian, një nga anëtarët më të rëndësishëm të Kuries Romake të kohës së tij 

6 Innocentius PP. XII, lindur Antonio Pignatelli di Spinazzola

7 Paolo Emilio Sfondrati (Milano, 21 mars 1560 – Tivoli, 14 shkurt  1618), kardinal e ipeshkëv katolik.

8 Vepër në të cilën Fénelon merr në mbrojtje Zonjën Guyon dhe doktrinën kuietiste

07/08/2017 11:52