Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 7 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Sikstin II papë e shokët e tij, martirë

Papa Siksti II - RV

07/08/2017 12:58

Sipas Librit të Papëve, Shën Siksti u zgjodh në Selinë e Shën Pjetrit në vitin 257, pas vdekjes së Papës Shtjefni II. Shën Çipriani, që e quan ‘meshtar i mirë e paqësor’, tregon, në një letër drejtuar ipeshkvit afrikan Suksesit, persekutimin e vitit 258 pas Ediktit të dytë të Valerianit. Sipas këtij Edikti, ipeshkvijtë, meshtarët e diakonët dënoheshin me prerjen e kokës, ndërsa Kisha shpronësohej nga çdo pasuri, duke përfshirë edhe varrezat.
Sipas Papës Damasi, Shën Sikstin e kapën pikërisht në varreza, ku po kumtonte Fjalën Hyjnore. Ka mundësi që ngjarja të ketë ndodhur në katakombet e Shën Kalistit, që shërbenin edhe si Kishë e nëndheshme, në atë kohë të rëndë persekutimi. Papa Siksti ishte i shoqëruar nga shtatë diakonë, kur e arrestuan. Nuk i burgosën, por ua prenë menjëherë kokat, duke shtuar në radhët e shenjtorëve të Kishës katolike, shtatë emra të rinj: Siksti, Feliçisimi, Agapito, Gjenaro, Manjo, Vinçenci e Shtjefni. I teti, Lorenci protodiakon, u mbyt tri ditë më pas në rrugën romake Tiburtina.Siksti II pushon në paqe në varrezën e Shën Kalistit pranë kriptës së Shën Çeçilies.

07/08/2017 12:58