Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në Engjëllin e Tënzot: në periudhën verore të rikalitim korpin e shpirtin, pa e harruar atë, që vuan.

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot

06/08/2017 13:22

Liturgjia e festës së Shndërrimit të Zotit - e edhe pushimet verore – ishin pra sot, në qendër të lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, të përvëluar nga vapa e, megjithatë, përplot me shtegtarë.

Papa shpalosi edhe një herë faqen e sotme ungjillore, atë që tregon sesi Pjetri, Jakobi e Gjoni qenë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme. Jezusi i mori me vete e i çoi në vetmi, mbi malin e lartë (Mt 17,1) e, ndërsa lutej, fytyra e Tij ndryshoi pamje e shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha, porsi drita. Iu dukën Moisiu dhe Elia e nisën bisedën me Të. Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po ngre këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”(v.4). S’e kishte kryer ende mirë fjalën, kur i mbështolli një re e shndritshme.

Kjo, ngjarja e Shndërrimit të Zotit - kujtoi Papa – nga e cila vjen një mesazh shprese: na fton ta takojmë Jezusin, për të qenë në shërbim të vëllezërve. Ngjitja e Apostujve mbi malin Tabor na nxit të reflektojmë mbi rëndësinë e shkëputjes nga sendet e kësaj bote, për të shtegtuar drejt lartësive, ku kundrohet Jezusi. Është ftesë për ta dëgjuar vëmendshëm e në lutje zërin e Krishtit, Birit të dashur të Atit, duke kërkuar çaste intime lutjeje, që krijojnë kushtet për ta pranuar me bindje e gëzim Fjalën e Zotit - theksoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot - duke kujtuar, më pas, kohën e verës, kohë pushimi, por edhe, e sidomos, kohë takimi me Zotin:

“Jemi të thirrur ta zbulojmë heshtjen paqëtuese e ripërtëritëse të meditimit të Ungjillit, që na çon drejt një caku të pasur me bukuri, shkëlqim e gëzim. Në këtë perspektivë, koha verore është çast providencial për ta kërkuar e për ta gjetur Zotin. Në këtë periudhë nxënësit e studentët janë të lirë nga angazhimet shkollore e shumë familje nisen për të pushuar. Është e rëndësishme që në këtë periudhë pushimi e shkëputjeje nga shqetësimet e përditshme, të rikalitësh forcat e korpit e të shpirtit”.

Më pas Françesku u rikthye tek përvoja mahnitëse e Shndërrimit. Kujtoi, pas ngjitjes, edhe zbritjen e dishepujve nga mali, me sy e zemra të shndërruara nga takimi me Zotin.

Udhë kjo - nënvizoi Françesku - që mund ta bëjmë edhe ne. Rizbulimi gjithnjë i gjallë i Jezusit nuk është qëllim në vetvete, por ftesë për t’u ulur nga mali, të forcuar nga fryma e Shpirtit  hyjnor, për të bërë hapa të reja shndërrimi e për ta dëshmuar vazhdimisht dashurinë e krishterë, si ligj të jetës së përditshme:

“Të shndërruar nga prania e Krishtit dhe nga afshi i Fjalës së Tij, do të jemi shenjë konkrete e dashurisë gjallëruese të Zotit për të gjithë vëllezërit tanë, posaçërisht për ata që vuajnë, që janë vetëm, të braktisur, për të sëmurët, për gratë e burrat që, në të katër anët e botës, poshtërohen nga padrejtësia, prepotenca, dhuna”.

Në shndërrimin e Krishtit ndjehet zëri i Atit Qiellor, që thotë: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!”. T’i drejtojmë, prandaj, sytë nga Maria - ftoi Papa - Virgjëra e dëgjimit, gjithnjë gati për ta  pranuar e për ta ruajtur në zemër çdo fjalë të Birit hyjnor (Cfr Lk 1,51):

“Dashtë Nëna qiellore e Jezusit të na ndihmojë të  hyjmë në sintoni me Fjalën e Zotit, që Krishti të bëhet dritë e prijës i gjithë jetës sonë!”.

Në përfundim, Papa u rikthye te pushimet verore, duke ia besuar Marisë:

“Asaj ia besojmë pushimet e të gjithëve, që të jenë të qeta e të frytshme, por sidomos, verën e atyre, që nuk mund të bëjnë pushime, sepse i pengon mosha, shëndeti, puna, ngushtica ekonomike a probleme të tjera, që edhe për ta kjo kohë të jetë çlodhëse, e pasur me prani mike e çaste të gëzuara”.

Në përfundim, pas përshëndetjes së përzemërt drejtuar grupeve të pranishme në Shesh, ndërmjet të cilëve, shumë të rinj, urimi për një të diel të gëzueshme dhe kujtimi: “Ju lutem, mos harroni ta thoni një uratë edhe për mua!”.

06/08/2017 13:22