2017-08-06 09:00:00

Kard. Turkson për ditën botërore të turizmit: koha e pushimeve të mos jetë kohë pa përgjegjësi


“Turizmi i qëndrueshëm, mjet për zhvillim”: ky, titulli i Ditës së ardhshme botërore të turizmit, që do të kremtohet më 27 shtator  2017, në përkim me Vitin ndërkombëtar në vijim, kushtuar nga Kombet e Bashkuara së njëjtës temë. Me këtë rast kardinali Peter K.A.Turkson, prefekt i Dikasterit papnor për Shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, botoi mesazhin, në të cilin nënvizohet se “turizmi mund të jetë mjet i rëndësishëm për zhvillimin dhe për luftën kundër varfërisë”, duke e pasur mirë parasysh se - siç mëson Doktrina shoqërore e Kishës - zhvillimi nuk mund të kufizohet vetëm në fushën ekonomike por, për të qenë i vërtetë, duhet të jetë i gjithanshëm, domethënë të synojë në zhvillimin e përgjithshëm të njerëzve dhe të njeriut.

“Kur flasim për turizmin - shkruan kardinali - e kemi fjalën për një fenomen me rëndësi të dorës së parë, si për numrin e njerëzve që lidhen me të - shtegtarë e punonjës të turizmit - e për dobinë që mund të sjellë - ekonomike, kulturore e shoqërore - ashtu edhe për rreziqet që nuk mungojnë në sferat e ndryshme të tij.

Siç dokumenton Organizata Botërore e Turizmit (Omt), në vitin 2016 numri i turistëve në plan ndërkombëtar arriti në 1 miliard e 235 milion vetë. Sektor, ky i turizmit, që përfaqëson 10% të prodhimit të brendshëm brut në shkallë botërore e 7% të eksportimeve të përgjithshme, duke punësuar një numër të madh njerëzish, në përpjestimin 1 me 11, në mbarë Planetin”.

Kanë kaluar 30 vjet - vijon mesazhi - që kur OKB-ja  përdori për herë të parë konceptin “zhvillim i qëndrueshëm”, parë si zhvillim, që plotëson nevojat e së tashmes, pa cënuar mundësitë e zhvillmit për breznitë e ardhshme, e kjo do të thotë - shpjegon kardinali Turkson - se turizmi duhet të jetë plot përgjegjësi, jo shkatrrimtar, jo i dëmshëm për mjedisin e për kontekstin shoqëroro-kulturor ku shtegtohet, posaçërisht respektues ndaj popullsive dhe trashëgimisë së tyre, pa harruar mbrojtjen e dinjitetit personal dhe të drejtave të punonjësve, e jo e fundmja, plot me vëmendje për njerëzit më të pafat e më të ligshtë. Koha e pushimeve - vijon kardinali – nuk mund të jetë as pretekst për mungesë përgjegjësie, e as kohë për shfrytëzimin e të tjerëve: madje ajo duhet parë si kohë e fisme, në të cilën secili mund t’i shtojë vlera të reja jetës së tij e asaj të të tjerëve. Përsa u përket ekonomive në vështirësi, turizmi i qëndrueshëm mund të jetë mjet zhvillimi, nëse bëhet udhë për krjimin e mundësive të reja, e jo burim problemesh të reja. Prandaj Kisha flet sot për turizëm me fytyrë njerëzore, “turizëm bashkësie”, “bashkëpunimi”, “solidariteti”, duke vlerësuar edhe  pasurinë artistike, që është “udhë e mirëfilltë bukurie”.








All the contents on this site are copyrighted ©.