Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Patriaku Sako: bota t’i ndihmojë të krishterët të rikthehen në trojet e tyre

Kishë e rrënuar në Irak - EPA

04/08/2017 12:58

Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, bashkësitë e krishtera, të pranishme posaçërisht në zonat veriore të Irakut, pësuan vuajtje të rënda për shkak të persekutimit të egër e të dhunës së papërshkrueshme nga ana e Shtetit të vetëshpallur Islamik. Iraku është vend që, për shkak të luftërave dhe të ndeshjeve sektare, u rrënua si politikisht, ashtu edhe ekonomikisht: nëse në vitet ’90 të krishterët ishin më se 1 milion, në vitin 2006 numëroheshin më pak se 300 mijë.

Situata e të krishterëve është shumë e rëndë në të gjithë Lindjen e Mesme. Sipas raportit të fundmë të Cnewa, Catholic Near East Welfare Association, agjenci e themeluar nga Papa Piu XI, në vitin 1926, për të ndihmuar të varfërit, numri i të krishterëve të Lindjes së Mesme, që jetojnë ndërmjet Qipros, Egjiptit, Irakut, Izraelit, Jordanisë, Libanit, Cisjordanisë, Gazës, Sirisë e Turqisë, arrin në 14 milionë e gjysëm. Të dhënat vijnë nga shumë burime statistikore, ndërmjet të cilave, Vjetari Papnor i Selisë së Shenjtë.

Duke u nisur pikërisht nga Iraku, heksodi i të krishterëve nis në vitin 2006, për të arritur kulmet  posaçërisht rreth viteve 2010 e 2014, për shkak të sulmeve të vazhdueshme kundër kishave dhe lagjeve të krishtera, me pasojë, vdekjen e qindra civilëve.

Edhe në Sirinë fqinje, rrënuar nga lufta  civile, shpërthyer në vitin 2011, popullsia e krishterë u pëgjysmua. Të krishterët, sipas Cnewa, nga 2,2 milionë që ishin, sot kanë mbetur vetëm 1,1 milion. Qindra mijëra u detyruan t’i braktisin vendet e tyre.

Bashkësia më e madhe e krishterë e Lindjes së Mesme ndodhet në Egjipt, ku besimtarët koptë përbëjnë 10% të popullsisë, rreth 9,4 milionë. Por edhe këtu trazirat ekonomike dhe politike, që pasuan, shtuan aktet e  dhunës  sektare me vulë islamike, me pasojë 76 kisha të djegura vetëm gjatë viteve të fundit.

Ndërsa në Izrael, siç shpjegon Raporti, sot numërohetn 170 mijë të krishterë, shumica arabë izraelitë, që përbëjnë 2,4% të popullsisë. Në vitet 1948, vit i lindjes së Izraelit, të krishterët arrinin  në 20% të popullsisë, por me shpërthimin e konfliktit arabo-izraelit, shumë palestinezë të fesë së krishterë u larguan nga vendi.

Në Cisjordani të krishterët janë 59 mijë; ndërsa në Gazë, janë vetëm 1. 300 ndërmjet 2 milionë banorësh.

Në Jeruzalem të krishterët janë 15.800, në gjirin e një popullate prej 870 mijë banorësh.

Në Jordani aktualisht jetojnë rreth 350 mijë të krishterë, më pak se 2,2% e popullsisë, me shumicë myslimane sunite. Por vitet e fundit, si pasojë e persekutimit të Isis, këtu janë strehuar më se 30 mijë të krishterë irakianë. Analoge, situata në Liban, ku në vitin 1932 më se gjysma e popullsisë ishte e krishterë. Sot përqindja e tyre nuk e kalon 40%, mbasi shumica e libanezëve, për shkak të mungesës së punës, është shpërndarë nëpër botë.

Mbi situatën e të krishterëve në Lindjen e Mesme, Patriarku  i Babilonisë së Kaldejve, Louis Rapfael Sako, pohon: “Bota t’i ndihmojë të krishterët të rikthehen në trojet e tyre”. Sipas Patriarkut Sako, situata është përmirësuar mjaft në krahasim me të kaluarën, por mbetet frika për të ardhmen, sepse ka ende konflikte e Daesh (Shteti i vetëshpallur Islamik) nuk është mundur akoma. Njerëzit kanë ende frikë nga kjo ideologji, ende e fortë. Pastaj ndeshen një mori vështirësish për rikthimin e të krishterëve në Rrafshin e Ninives. Qeveria nuk ka para. Ndërsa Kisha ka nisur të rindërtojë shtëpitë, sepse të krishterët duan të kthehen, por nuk munden, pikërisht për shkak të vështirësive të panumërta, që duhen kapërcyer. Prej këndej Patriarku Sako i bën thirrje për ndihmë mbarë botës, që nuk duhet ta pranojë një Lindje të Mesme pa të krishterë! 

04/08/2017 12:58