Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa: kundër luftrave dhe terrorizmit, impenjim i feve për paqen

Tempulli budist Tendai në malin Hiei

04/08/2017 12:07

“Të lutemi e të punojmë së bashku për paqen”: ky është impenjim i përhershëm për fetë, por më i rëndësishëm se kurrë në zonat, ku akoma mbretëron lufta e terrorizmi. Papa Françesku e thekson këtë në një letër për të nderuarin Koei Morikawa, kryeprift i Tendai-t, degëzim i budizmit. Rasti është Takimi i 30-të i lutjes për paqen, që filloi më 3 gusht në malin Hiei, në Kioto të Japonisë. Në të merr pjesë edhe një delegacion i Selisë së Shenjtë.

         Në tekst, Ati i Shenjtë përshëndet përfaqësuesit e traditave të ndryshme fetare, që marrin pjesë në Takim, duke u shprehur afërsinë e tij shpirtërore e duke u bashkuar me lutjen e tyre “për arritjen e pajtimit e të harmonisë në shumë anë të globit, të përshkuara nga lufta”.

         “Ky takim fetar vjetor – nënvizon Papa Françesku – kontribuon në mënyrë domethënëse në frymën e dialogut e të miqësisë, që u lejon ndjekësve të feve në botë të punojnë së bashku për të hapur rrugë të reja drejt paqes së familjes njerëzore”. Pikërisht lutja e mbështet këtë impenjim, sepse, sipas Atit të Shenjtë, e thellon respektin e ndërsjelltë, i përforcon lidhjet ndërmjet njerëzve dhe i nxit ata të bëjnë përpjekje për të krijuar marrëdhënie të drejta e solidare.

         Në botën aktuale, ku dhuna, terrorizmi e kërcënimet e ndryshme shtohen, dëshmia e lutjes së përbashkët është mesazh për njerëzit vullnetmirë, vijon Papa. Besojmë se paqja mund të arrihet, pasi e dimë se asgjë s’është e pamundur për Zotin, prandaj i lutemi. Këtë ide, Papa Françesku e pati shprehur më 20 shtator 2016 në Takimin ndërfetar të Asizit, nisur nga shën Gjon Pali II 30 vjet më parë, me Ditën Botërore të lutjes për paqen, po në Asizi, më 27 tetor 1986.

         Ajo ngjarje qe frymëzim për një grup budistësh japonezë Tendai, të cilët në gusht të vitit 1987, organizuan një takim të ngjashëm në malin Hiei. U ftuan të gjithë krerët e feve të vendit. Dita u zgjodh për të përkujtuar tragjedinë e bombës atomike mbi Hiroshimë, më 6 gusht 1945.

04/08/2017 12:07