2017-08-04 15:21:00

Papa: duke e dëshmuar Jezusin, paqja është e mundshme


“Në emër të Jezusit mund të tregojmë, me dëshminë tonë, se paqja është mundshme”: Papa reflekton sot për temën e paqes, me një tweet, botuar në faqen e tij të internetit në nëntë gjuhë @Pontifex, i ndjekur nga 36 milionë vetë. Viti 2017, që nisi, si zakonisht, me kremtimin e Ditës Botërore të Paqes, u hap me ftesën e Françeskut drejtuar të gjithëve që të angazhohen për ta zhdukur dhunën nga zemra, nga fjalët e nga gjestet. E këtë thirrje, pikërisht në fillim të vitit të ri, Papa e shoqëroi edhe me lindjen e Dikasterit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, për të promovuar, në mënyrë sa më të frytshme, drejtësinë, paqen, mbrojtjen e krijimit dhe të emigrantëve, me një seksion të udhëhequr personalisht nga ai vetë.

Këtë temë e gjejmë, pastaj, në homelitë e Meshëve të mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në të cilat Françesku e kujton vazhdimisht paqen, duke theksuar se ajo nuk mund të fabrikohet nga njeriu, sepse është dhuratë, që na e bën Shpirti Shenjt, edhe në mes të trazirave më të mëdha  të jetës.

“Paqja e Zotit - reflekton Papa – është paqe reale, që hyn në realitetin e jetës, që nuk e mohon jetën: kështu është jeta! Ka vuajtje, sëmundje, gjëra shumë të këqija, ka luftëra… po kjo paqe, që ndjehet brenda vetes, në shpirt, është dhuratë, nuk humbet, por shkon përpara, duke e mbartur me durim Kryqin dhe vuajtjen. Paqja pa kryq, nuk është paqja e Jezusit: është paqe, që mund të blihet, por nuk mund të dhurohet. Mund ta fabrikojmë vetë. Veç nuk zgjat, mbaron shumë shpejt!”.

Kujtojmë, pastaj, thirrjet e panumërta të Papës për paqen, në një botë të mbërthyer nga krizat, nga Iraku, në Siri; nga Sudani i Jugut, në Republikën Demokratike të Kongos; nga Ukraina, në Venezuelë…Ftesat për bashkëpunim ndërmjet feve. E, sidomos, nismën “Një minut për paqen” nënvizuar në audiencën e 7 qershorit  të kaluar, në kujtim të takimit, më 2014-të, në Kopshtet e Vatikanit, me presidentin izraelit Shimon Peres dhe atë palestinez Mahmoud Abbas, në praninë e patrikut të Kostandinopojës, Bartolomeu I, për t’u lutur që të marrin fund tensionet në Lindjen e Mesme:

“Në kohën tonë - pohon Françesku - ndjehet fort nevoja për t’u lutur së bashku,  të krishterë, hebrenj e myslimanë, për paqen!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.