2017-08-04 18:43:00

Dialog që nuk harrohet: Papa Benedikti XVI me ambasadorin Rrok Logu.


Ish ambasadori i pestë i Shqipërisë pranë Selisë Shenjte, Rrok Logu nuk është më. Ndërroi jetë në Itali, më 1 gusht. Pas Meshës së dritës kremtuar pardje në kishën e fretënve në Gjuhadol të Shkodrës,  tashti pushon në paqe, në varrëzën e Rrëmajit.

Nuk është më, por kujtimi i tij do të mbetet i gjallë. E jo vetëm në kujtesën e të afërmve, të miqve e dashamirëve, por edhe në kujtesën e historisë së Shiqpërisë, të cilën e përfaqësoi për katër vjet pranë Selisë Apostolike duke kërkuar mbështetjen e Papës, për realizmin e një ëndrre të vjetër, që mbetet ende ëndërr.

Po e kujtojmë sot vetëm me disa nga fjalët, që shkëmbeu me Benediktin XVI, në Castel Gandolfo, kur paraqiste letrat kredenciale, më 29 Shtator 2006. Duke i drejtuar fjalimin e rastit Papës, pasi sintetizoi historinë e Shqipërisë e të Kishës së martirizuar katolike ndër shqiptarë, theksoi me forcë një dëshirë historike:

“Në historinë e tij të gjatë, vendi im, (pa dashjen e shqiptarve) është bërë pjesë e sistemeve politiko-shoqërore të mëdha, gjë e cila ka lënë gjurmët e veta të dukshme. Sot populli shqiptar dëshiron të bashkojë sistemin e vet politiko-shoqëror me një sistem të madh, atë të Bashkimit Europian. Kjo dëshirë nuk shpreh vetëm prirjen për një jetë ekonomike më të mirë, por diçka më shumë e më të rëndësishme, prirjen e natyrshme drejt vlerave te demokracisë evropiane. Sa më të shpejtë të jenë hapat drejt realizimit të kësaj dëshire, aq më i shpejtë do të jetë edhe tejkalimi i dramës së familjeve tona të ndara për shkak të emigracionit dhe aq më energjike, shoqëria shqiptare në gjirin e shoqërisë europiane.

Në këtë aspiratë të madhe historike populli im sheh te Selia e Shenjtë përkrahësin e vet të madh, sepse këtu si askund tjetër flitet e kuptohet sipas gjuhës së dashurisë. Nënë Tereza, bijë e gjakut tonë, ka thënë "... populli shqiptar ka nevojë për shumë dashuri".

E shumë dashuri kishte edhe Ambasadori i ri, që e përfaqësonte aq denjësisht vendin e vet e që merrte nga Papa përgjigjen:

“Zoti Ambasador …

 Shqipëria dëshiron të integrohet edhe institucionalisht me kombet evropiane, duke e ndjerë veten të lidhur me to jo vetëm për shkaqe gjeografike, por kryesisht për shkaqe shoqëroro-kulturore. Nuk mund të mos uroj që një dëshirë e tillë të realizohet plotësisht e t’i japë ndihmesën e vet të veçantë procesit të harmonishëm të bashkimit të Evropës”.

E kujtuam sot Rrok Logun, që u nda nga ne në lule të burrësisë, vetëm me këtë dialog domethënës, që flet vetë. Tani Ai pushon në paqe, por emri i tij do të mbetet, ndërmjet tjerash, i shkruar edhe në historinë e diplomacisë shqiptare, e sidomos, të ëndrrës së madhe të popullit të vogël, për të hyrë, më në fund, në Evropë.








All the contents on this site are copyrighted ©.