Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: Meshtari dhe shenjtëria

Fra Anton Demeter, françeskan rumun, i persekutuar nga komunizmi - RV

03/08/2017 13:25

Në emisionin e sotëm po ju propozojmë një pjesë, shkëputur nga një reflektim i kardinalit José Saraiva Martins (ish-prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve) mbi shenjtërinë e meshtarit. Shpresojmë t’iu shërbejë atyre që shugurohen meshtarë në këtë periudhë, por edhe besimtarëve, sepse Zoti na ka thirrur të gjithëve ta shenjtërojmë jetën.

         Për ta kuptuar mirë krejt realitetin e mrekullueshëm të shërbimit meshtarak, ai duhet shikuar, pikësëpari, në përmasën e tij thelbësisht kristologjike, pra, në marrëdhënie me Krishtin, meshtari i vetëm dhe i përjetshëm i Besëlidhjes së Re. Në shugurimin meshtarak, Krishti u vë atyre, që ka zgjedhur për këtë shërbim, një vulë të re, të brendshme, të pashlyeshme, që i bën të ngjashëm me Të.

         Pra, meshtari është, në kohë e në histori, ikona e pranisë së gjallë dhe vepruese të Krishtit. Që këndej rrjedh detyra themelore e tij: ta bëjë Krishtin të pranishëm, të dukshëm, në jetën dhe në shërbimin e tij. Ta pasqyrojë fytyrën e Tij, fytyrën e Krishtit të ngjallur.

         Por, përveç kësaj përmase vertikale, kristologjike, shërbimi meshtarak ka edhe një përmasë horizontale, kishtare. Përmes shugurimit, meshtari bëhet shërbëtor, ministër i Krishtit, për t’u shndërruar, duke u nisur nga Ai, për Të e me Të, edhe në shërbëtor, ministër të Kishës. Meshtari e shpreh dashurinë e tij për Kishën, në mënyrë konkrete dhe të frytshme, në shërbimin e Fjalës: duke e pranuar, duke e bërë të vetën, duke ia kumtuar popullit në asamblenë liturgjike; në kremtimin e Sakramenteve, sidomos të Eukaristisë; duke e marrë si kriter e normë për interpretimin e fakteve, të ngjarjeve e të historisë.

         Së fundi, shërbimi meshtarak ka një përmasë pneumatologjike. “Shpirti i Zotit është mbi mua; sepse Ai më shuguroi e më dërgoi t’u kumtoj të gjithëve Lajmin e Mirë” (shih Lk 4,18). Këto fjalë të shqiptuara nga Jezusi në sinagogën e Nazaretit, plotësohen gjatë çdo shugurimi meshtarak. Vërtet, ipeshkvi shugurues i kërkon Atit Qiellor të risojë në të shuguruarin dikimin e Shpirtit të tij të shenjtërisë (Rituali). Shugurimi e kushtimi ndaj Krishtit e Kishës, si edhe ndaj misionit të tyre për të kumtuar Lajmin e Mirë, janë vepër e Shpirtit Shenjt.

         Por Shpirti i Krishtit nuk është vetëm në zanafillën e shërbimit të meshtarit. Ai është gjithashtu, edhe protagonisti i vërtetë i shenjtërisë, në të cilën meshtari, pikërisht për hir të shërbimit të tij, është i thirrur në mënyrë të veçantë. Shenjtëria është intimitet me Zotin, është imitim i Krishtit të varfër, të dlirë e të përvuajtur; është dashuri pa rezerva për shpirtrat e dhurim i vetvetes për të mirën e tyre; është dashuri për Kishën, që është e shenjtë e na do të shenjtë, sepse i tillë është misioni, që Krishti i ka besuar” (GPII, Mësime, VIII/2, 1984, 839).

          “Banoni në mua sikurse edhe unë në ju”: fraza, që thotë Jezu Krishti (Gjn 15, 1.4-5), duhet të jetë shqetësimi i parë i priftit, zemra, kriteri dhe norma e gjithë jetës së tij. Të krishterët duan të gjejnë tek meshtari jo vetëm njeriun që i pret, që i dëgjon me dëshirë dhe u dëshmon simpati të sinqertë, por edhe e, sidomos, njeriun e dashuruar me Zotin, që i përket Hyjit, që i ndihmon ta shohin Atë, të mendojnë për Të, të lartohen deri tek Ai (shih PDV, 47).

         Përveç kësaj, shenjtëria e vërtetë meshtarake kërkon një jetë intensive me lutje, kuptuar si takim i gjallë e personal me Zotin, si dialog që merr pjesë në bisedën atë-bir të Jezusit me Atin Qiellor. Kjo do të thotë që meshtari, në ushtrimin e ministerit të tij, duhet ta bazojë jetën e vet shpirtërore dhe programet e tij baritore, jo mbi “dijen” njerëzore, por mbi impulsin, mbi dhuratën e Shpirtit. Gjithashtu, kjo do të thotë që meshtari duhet të jetë gjithnjë i butë e i përvujtë ndaj zërit të ëmbël dhe veprës së fuqishme të Shpirtit Shenjt. Ashtu si Krishti, edhe ai duhet ta lërë veten në dorë të Shpirtit. E në masën me të cilën do ta bëjë këtë, jeta e tij do të rrezatojë shenjtëri, dritë e ngrohtësi për vëllezërit.

03/08/2017 13:25