2017-08-02 13:55:00

Selia e Shenjtë: lind rrjeti global kundër mafies dhe korrupsionit


“Front i përbashkët kundër formave të ndryshme të korrupsionit, të krimit të organizuar e të mafies”: ky është objektivi i Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, përmes Konsultës së tij të Drejtësisë. Kështu thuhet në dokumentin përfundimtar të debatit për korrupsionin, që u mbajt në Vatikan më 15 qershor.

         Është fjala për një rrjet ndërkombëtar, që frymëzohet nga ndjeti universal i Papës Françesku për lutjen e muajit shkurt të vitit të ardhshëm 2018, në kujtim të vrasjes së të Lumit Giuseppe Puglisi. Me të, Ati i Shenjtë u kërkon “atyre, që kanë pushtet material, politik e shpirtëror të mos sundohen nga korrupsioni”. Ky, qëllimi i Konsultës. Kisha, lexohet në tekstin përfundimtar, është e përhapur në gjithë botën, pra, është natyrshëm një rrjet, që duhet të ndihmojë edhe në luftën kundër korrupsionit, me guxim, vendosmëri, transparencë e frymë krijuese bashkëpunimi.

         Konsulta “do të thellohet në studimin e një përgjigjeje globale – përmes konferencave ipeshkvnore dhe Kishave lokale – për shkishërimin e mafiozëve dhe të organizatave kriminale e në perspektivë, edhe për shkishërimin e të korruptuarve”. Duke filluar nga shtatori, ajo do t’i orientojë nismat e impenjimet e vitit të ardhshëm drejt këtij objektivi.

         Korrupsioni, lexohet në dokument, “para se të jetë akt, është gjendje: që këndej, nevoja e kulturës, edukimit, arsimimit, ndërhyrjes institucionale, pjesëmarrjes së qytetarëve”. Konsulta nuk do të japë vetëm këshilla, pasi nevojiten gjeste konkrete. Veprimtaria e saj do të jetë edukative e do t’u drejtohet institucioneve dhe opinionit publik për të krijuar mendësinë e lirisë e të drejtësisë për të mirën e përbashkët. Do të ndërhyjë sidomos aty ku korrupsioni është kthyer në sistem shoqëror mbizotërues. Rrugë jo e lehtë, për të cilën do të kërkohet edhe dialogu me jo të krishterët.

         Themelore, nënvizohet në dokumentin përfundimtar, të vlerësohet lidhja ndërmjet drejtësisë dhe bukurisë. Trashëgimia e jashtëzakonshme historike, artistike dhe arkitektonike përbën një element të jashtëzakonshëm mbështetës për veprimtarinë edukative dhe shoqërore kundër çdo forme korrupsioni e krimi të organizuar.

         Gjithashtu, vijon dokumenti, Konsulta do t’u japë politikanëve ide, që shndrisin veprimtarinë e institucioneve, në mënyrë që të zbatohen me të vërtetë traktatet ndërkombëtare e të uniformohen ligjet, për t’i ndjekur më mirë tentakulat e krimit, që i kapërcejnë kufijtë e shteteve.

         “Konsulta do të thellohet edhe në marrëdhëniet e proceseve të paqes me format e korrupsionit”, sepse “korrupsioni sjell mungesën e paqes”. Është e nevojshme, përfundon teksti, një lëvizje, një rizgjim i ndërgjegjeve. Konsulta e drejtësisë e Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm e sheh këtë si motivacion për punën e saj, si detyrim moral. “Ligjet – nënvizohet në dokument – janë të nevojshme, por nuk mjaftojnë. Nivelet e veprimit do të jenë tre: edukimi, kultura, shoqëria civile. Duhet të ecim me guxim e t’i prekim ndërgjegjet, për të kaluar nga indiferenca në perceptimin e rëndësisë së këtyre fenomeneve, që më pas, të luftohen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.