2017-08-02 11:42:00

Rubrika: Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë… Papa Kaio


Vijojmë edhe sot me rubrikën tonë kushtuar papëve, që në një farë mënyre, e kanë zanafillën në trevat e sotme shqiptare, por vështirë të konsiderohen “shqiptarë”. Sot, Papa Kaio (Salonë…-Romë, 22 prill 296). 

Papa Kaio ishte i 28-ti ipeshkëv i Romës e papë i Kishës katolike nga 17 dhjetori i vitit 283 – deri në vdekje, më 22 prill 296 (Adolf von Harnack, Chronol, I, 155). Papnoi 12 vjet, katër muaj e shtatë ditë. Pas vdekjes, nisi të nderohej si shenjt si nga Kisha katolike, ashtu edhe nga ajo ortodokse. Këto të dhëna janë më të sakta, se ato që i lexojmë tek historiani i mirënjohur i krishterimit në fasha, Euzebi i Çezaresë, sipas të cilit Kaio papnoi 15 vjet. Emri i tij kujtohet në Depositio Episcoporum të shekullit IV (pra, jo si martir). Data e vdekjes, më 22 prill, konfirmohet në Depositio martyrum, që na kujton edhe se Kaio u varros në kriptën papnore në katakombet e Shën Kalistit (X kl maii Caii in Callisti).

Sipas Shën Suzanës së Konkordios, ishte kushëri i Shën Suzanës së Romës e kishte lindur në Salonë (Solini i sotëm i Kroacisë) qytet i lashtë dalmat. Që këtu zë fill edhe dëshira e shqiptarëve të sotëm për ta bërë të vetin këtë Papë, që sipas të njëjtit dokument, ishte edhe kushëri i Dioklecianit, perandor, edhe ky me gjak ilir. Nëse kjo e dhënë do të vërtetohej historikisht, do ta justifikonte faktin se gjatë papnisë së Kaios, Diokleciani pati qenë më tolerant me të krishterët. Madje shumë prej tyre bashkëpunuan me të në Pallatin perandorak. Persekutimi i fundit, që shpërtheu pikërisht nga Diokleciani, është ai i vitit 303, disa vjet pas vdekjes së Kaios. Prej këndej vihet në dyshim edhe mundësia që të jetë martirizuar, lajm që e gjejmë në liber Pontificalis, ku na përshkruhet edhe shkaku i martirizimit. E mbytën, pse e pati këshilluar Shën Suzanën të bënte kushtin e virgjërisë. Prej këndej, të dyshimta edhe shkaqet e shenjtërimit të tij.

Në vitet e papnimit të Kaios, në Romë nisën të përhapen herezia e manikeizmit dhe kulti i Mitrës, ardhur nga lindja, gjë që i krijoi një mori problemesh Kishës së krishterë. Por është për t’u theksuar se pikërisht në këtë epokë, nisi të dilte gjithnjë më shumë në pah edhe prestigji i Kishës katolike, mbi kishat e tjera. E kjo ndodhte pikërisht nën Papën, që ne na pëlqen ta quajmë shqiptar, Kaion.

Varri i Kaios, me epitafin origjinal, u zbulua nga Gjon Pagëzues de Rossi. Në varr u gjet edhe unaza papnore, me të cilën Kaio vuloste letrat. Në Kishën katolike festa e tij liturgjike kremtohet me 22 prill, ndërsa në Kishën greke, më 18 dhjetor.

Në Martiriologun romak për të shkruhet: “U varros në Romë, në varrezën e Shën Kalistit, në Rrugën Appia, pasi shpëtoi nga persekutimi i perandorit Dioklecian, për t’i mbyllur ditët e jetës si dëshmitar i fesë”.

Në ikonografinë zyrtare Shën Kaio paraqitet duke vënë tiarën, në shoqëri me Shën Nereun.

Nderohet posaçërisht në Dalmaci e Venedik.

Gjejmë, kështu, në jetëshkrimin e Papës Kaio, dëshmitë se ishte me gjak ilir. E me sa duket, këtij Pape i dalin zot kroatët, me që vendlindja e tij bie pikërisht në Kroacinë e sotme. Ndërsa nuk duket gjëkundi as më e vogla gjurmë se e kishte kujtuar ndonjëherë origjinën e tij shqiptare…Siç do ta shikojmë tek Papa i tretë, në damarët e të cilit do të gjejmë vërtet disa pika gjaku ilir – e shumë krenari “shqiptare”. E kemi fjalën për Papën Gjoni IV. 








All the contents on this site are copyrighted ©.