2017-08-02 14:56:00

Ndërroi jetë ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Zoti Rrok Logu


Dje, ndërroi jetë në Shtëpinë e Lehtësimit të Vuajtjes, në San Giovanni Rotondo të Italisë, ambasadori i pestë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Zoti Rrok Logu

Ambasadori i pestë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë,  Zoti Rrok Logu, lindi më 23 gusht të vitit 1962. Ishte i martuar, me dy fëmijë. Më 1987 u diplomua në inxhinieri elektrike pranë Universitetit të Tiranës dhe në vijim kreu detyrën e inxhinierit elektronik pranë centralit elektrik të Komanit (1987-1992). Më pas qe kryeinxhinier në ndërrmarrjen elektrike në Shkodër (1992-1994), asistent për menaxhimin në Programin ECHO të Karitasit italian në Shqipëri (1994-1998), drejtor i programit të ndërtimit të Karitasit shqiptar (1999-2001); drejtor teknik i Karitasit sviceran për rindërtimin e Spitalit të Lezhës (2002-2004), profesor i inxhinierisë elektrike pranë Politeknikumit të Tiranës (2004-2006). Ka qenë edhe këshilltar i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit për marrëdhëniet me institucionet shtetërore dhe anëtar i Komisionit Shtetëror për Kultet (2004-2006).

Autor i disa studimeve mbi sistemet e energjisë elektrike, fliste anglisht, frëngjisht dhe italisht.

Ishte data 29 shtator 2006, kur ia dorëzoi Letrat kredenciale Papës Benedikti XVI, në Kastel Gandolfo ku, sipas traditës, u shkëmbyen edhe fjalimet e rastit.

Duke shfletuar arkivin tonë, ku ruajmë shumë zëra të gjalla e të vdekura, ju ftojmë të ndiqni një fragment nga intervista dhënë RV  me këtë rast:

Trupi i vdekur i Rrok Logut do të nisë shtegtimin drejt Shqipërisë sonte, me traget, për të arritur në Shkodër, ku nesër do të vendoset për homazhe në Sallën e Françeskanëve “Illyricum”. Mesha e Dritës do të kremtohet të premten, në orën 10.00, në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, për t’u varrosur pastaj, në Rrëmaj.








All the contents on this site are copyrighted ©.