2017-08-02 17:49:00

Festë e madhe e besimtarëve për rifillimin e audiencave të përgjithshme


U shndërrua në festë të madhe, rifillimi i audiencave të përgjithshme të Papës, sot paradite, në Sallën Pali VI, në Vatikan. Sapo arriti, pak pas orës 09.00, Françesku u përshëndet nxehtësisht nga turma e besimtarëve, ardhur nga të katër anët e botës, që e priti me gëzim të madh. Nësa përshkonte sallën, për të arritur në tribunë, Papa përshëndeti njerëz të të gjitha moshave, bekoi e puthi një mori fëmijësh, pozoi disa herë për  “selfie” të ndryshme, vuri në kokë disa kësula, për t’ua kthyer përsëri pronarëve, i fshiu lotët një gruaje të moshuar, e cila i dhuroi një borsë të vogël me foto të shtypura anash. Shumë, edhe të sapomartuarit, që ndoqën sot katekizmin e Papës, të pranishëm për bekimin. Ndërmjet tyre, edhe disa çifte, ardhur nga Afrika e Azia, me veshje tradicionale të vendeve të tyre.

“Takimi me Papën ishte për ne fuqimisht emocionant - tregojnë Giada e Antonio, çift i ardhur nga Puglia -  Papa na bekoi e na inkurajoi  të duhemi  e të shkojmë përpara, pavarësisht nga vështirësitë. E, duke kujtuar katekizmin e sotëm të Atit të Shenjtë, kushtuar rëndësisë së Pagëzimit në jetën e të krishterit, shtojnë: “Në jetën tonë të përbashkët tani do ta kemi edhe më shumë të pranishëm hirin e posaçëm, të cilin e morëm që të vegjël, përmes Pagëzimit. E pastaj, në një të nesërme, nëse Zoti do të na falë një fëmijë, do t’i flasim edhe atij për Pagëzimin, këtë prani dashurie të Zotit, që edhe ne e  njohëm falë prindërve tanë.

Në përfundim të audiencës, para Papës dhanë një shfaqje të shkurtër “Zërat e Haitit”(Voices of Haiti), Fondacion i Andrea Bocellit dhe 40 anëtarëve të Tokyo Opera Association. E, ndërmjet pjesëve të propozuara nga Voices, 99 personat e shoqëruar nga Andrea Bocelli, edhe një “Ave Maria”, kënduar në gjuhën italiane.








All the contents on this site are copyrighted ©.