2017-08-02 15:08:00

Audienca e përgjithshme: drita e Zotit, për të shndritur terrinat e botës


“Vlera e dritës është shenjë e dukshme e edhe simbolike e shpresës së krishterë, që di t’u transmetojë breznive të ardhshme arsyen për të jetuar": këto, fjalët e para të Papës në katekizimin e audiencës së parë të përgjithshme, pas pushimeve verore të korrikut.

Papa e filloi reflektimin, duke u nisur nga zakoni i lashtë për t’i ndërtuar kishat të drejtuara nga lindja, për të hyrë në vendin e shenjtë nga një portë, drejtuar nga perëndimi e për të ecur nëpër navatën drejt lindjes, alegori e perëndimit të diellit, vdekjes së dritës, por edhe e agimit, kur errësira largohet e mundur nga rrezet e para të agut, rreze drite, që të kujtojnë menjëherë Krishtin, Diell i lindur nga horizonti i lartë i botës. Kështu edhe në ritet e lashta të Pagëzimit - kujtoi Papa - mohimi i djallit shqiptohej duke u sjellë drejt perëndimit, ndërsa Besojma, drejt absidës, në lindje. E, nëse në kohët moderne - vërejti Françesku -  e kemi humbur aftësinë për ta kuptuar gjuhën e kozmosit, mbetet i njëjtë kuptimi i ritit si dhe pyetja: “Ç’do të thotë të jesh i krishterë?”:

“Do të thotë të shikosh dritën, të vijosh ta dëshmosh fenë në dritë, edhe kur bota mbështillet prej errësirës së natës”.

As të krishterëve - shpjegoi Papa - nuk u mungon errësira, e jashtmja, por edhe ajo e brendshmja, errësira shpirtërore. Nuk jetojnë jashtë botës, por, përmes hirit të Krishtit, marrë në Pagëzim, janë burra e gra “të drejtuar kah drita”:

“Nuk besojnë në errësirën, por në shkrepjen e dritës; nuk i dorëzohen errësirës së natës, por shpresojnë e presin agimin; nuk janë njerëz të shpartalluar nga vdekja, por në pritje të rilindjes; nuk thyhen nga e keqja, sepse besojnë gjithnjë në mundësitë e pafundme të së mirës”.

Ne jemi ata - nënvizoi Papa – që besojmë se Zoti është Atë: e kjo është drita! Besojmë se Jezu Krishti zbriti ndër ne si shok, posaçërisht i njerëzve më të varfër, më të brishtë: e kjo është drita! Besojmë se “Shpirti Shenjt vepron pa pushim për të mirën e njerëzimit”, se “dhimbjet më të mëdha të historisë kapërcehen". E kjo është shpresa, që na rizgjon çdo mëngjes. Besojmë se çdo dashuri, çdo miqësi, çdo dëshirë e mirë,  në fund të fundit do të përplotësohet në Zotin: “Kjo është forca, që na shtyn ta përqafojmë çdo ditë jetën tonë, sa shkrep rrezja e parë e agimit e deri në perëndim të dritës”. 

Më pas nxitja e Papës drejtuar gjithë besimtarëve për ta kujtuar  vazhdimisht datën e pagëzimit të tyre:

“Ne lindëm dy herë: të parën, për jetën natyrore, të dytën, falë takimit me Krishtin, në gurrën e pagëzimit. Aty vdiqëm për vdekjen, e nisëm të jetojmë si Bij të Zotit në këtë botë. Aty u bëmë kaq njerëzorë, sa nuk do të kishim mundur kurrë as ta përfytyronim”.

Ç’hir i madh për të krishterin - brohoriti Papa - të bëhet “mbartës i Jezusit” në botë! Posaçërisht për ata, që janë në zi, të dëshpëruar, të zhytur në errësirë, në hidhërim e në urrejtje. E kjo kuptohet menjëherë nga një mori hollësirash: nga drita, që vezullon në sytë e të krishterit, nga paqja, që nuk zhduket as në ditët më të ndërlikuara, nga dëshira për të rifilluar udhën e dashurisë për të tjerët, edhe kur jeta të sulmon me një mori zhgënjimesh.

E, në fund, një pyetje tjetër e Papës: “Në të ardhmen, kur të shkruhet historia e ditëve tona, ç’do të thuhet për ne?”:

“Se ishim të aftë për shpresë, apo se e vumë dritën tonë nën magje?Nëse do të jemi besnikë ndaj Pagëzimit tonë, do të përhapim gjithnjë dritën e shpresës, sepse Pagëzimi është fillimi i shpresës, i shpresës së Zotit, e do të mund t’u përcjellim breznive të ardhshme arsye jete!”.

Pas katekizmit, gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Françesku iu drejtua posaçërisht shtegtarëve të gjuhës arabe, ardhur nga viset e ndryshme të Lindjes së Mesme, posaçërisht nga Siria, Libani e Iraku, këta të fundit, shoqëruar nga ipeshkvi kaldeas Shlemon Warduni.

Duke iu drejtuar shtegtarëve polakë, Papa kujtoi me nderim të thellë kardinalin Macharski, në kryevjetorin e vdekjes. Më pas, disa përshëndetje drejtuar përfaqësuesve të disa Kongregatave, në përfundim të kapitujve të përgjithshëm. Ndërmjet tyre, edhe Motrat e Shën Palit, të pranishme në Sallën e Palit VI.

Në përfundim të audiencës, një koncert i shkurtër para Papës, dhënë nga “Voices of Haiti” (Zërat e Haitit), Fondacioni Andrea Bocelli, edhe ai i pranishëm në Sallë, me 95 këngëtarë të tjerë e 40 muzikantë të Tokyo Opera Association.  








All the contents on this site are copyrighted ©.