Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa të rinjve brazilianë: luftoni kundër korrupsionit, për një shoqëri të re

Papa para Zojës së Aparesidës - RV

01/08/2017 14:09

“Ju jeni shpresa e Brazilit dhe e botës: mos kini frikë ta luftoni korruposinin”. Kështu shkruan Papa në mesazhin drejtuar dje të rinjve brazilianë, që morën pjesë në projektin “Rota 300”, organizuar në këtë vit marian nga Konferenca ipeshkvnore e vendit latinoamerikan, me rastin e kremtimit të 300-vjetorit të dukjeve të Zojës së Aparesidës.

Me këtë rast, Françesku rikujton mesazhin e tij për Ditën XXXII Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Panama, më 22 deri më 27 janar 2019 dhe pohon: “Virgjëra Mari është shembull i çmuar për gjithë të rinjtë dhe ndihmë e madhe për shtegtimin e jetës”. Për ta vënë në jetë këtë të vërtetë - vijon Papa - nuk duhen reflektime të mëdha. Mjafton të ndalohesh e të kundrosh shtatoren e Nënës, në Shenjtëroren Kombëtare, siç bëri edhe ai vetë, duke u ndaluar para saj dy herë: më 2017, gjatë Konferencës V të episkopatit latino-amerikan, dhe  pastaj, më 2013, me rastin e DBR-së së Rio de Janeiros, shtegtimi i tij i parë ndërkombëtar, pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit.

Papa i falënderon të rinjtë për dëshminë e tyre të fortë të fesë, për zellin me të cilin i përballojnë sfidat e përditshme si dhe i inkurajon të shkojnë përpara në udhën misionare, nën mbrojtjen e Marisë, që dikon shpresë në zemrën e mbarë popullit brazilian. “Të dashur miq - vijon - në mes të paqartësive e pasigurive të përditshme, në mes të mungesave që krijon padrejtësia rreth jush, një gjë duhet ta keni gjithnjë të qartë: Maria është shenjë shprese, që do të dijë t’ju frymëzojë me zellin e pashuar misionar. Ajo i njeh sfidat, mes të cilave jetoni! Me vëmendjen dhe kujdesin e saj amëtar, do t’ju bëjë të kuptoni se nuk jeni kurrë vetëm”.

Më pas Papa tregon përsëri historinë e peshkatarëve të varfër, që pas një dite të pafrytshme peshkimi në lumin Paraiba do Sul, i hodhën edhe një herë rrjetat në ujë e, për çudinë e tyre të madhe, gjetën shtatoren  e Zojës, mbuluar me baltë: një herë trupin e pastaj edhe kokën. Ky fakt - shkruan Papa - ka në vetvete një simbolikë shumë domethënëse: ajo, që ishte e ndarë, bashkohet rishtas, si zemrat e peshkatarëve, si Brazili kolonial, i shkatërruar nga muri i skllavërisë, që gjen unitetin në atë fe, të cilën e frymëzoi fytyra e Zojës zezake (Fjalim drejtuar Ipeshkvjve të Brazilit, 27 korrik 2013).

Prej këndej, ftesa e Papës drejtuar të rinjve brazilianë ta lënë veten të shndërrohen nga takimi me Nënën e Aparesidës dhe urimi që Zoja t’i shndërrojë  “rrjetat” e jetës së tyre, rrjetat e miqve, rrjetat shoqërore, rrjetat materiale e virtuale - realitete shpesh të ndara - në diçka më domethënëse:  në bashkësi! Bashkësi misionare në “dalje”. Bashkësi, që janë dritë e tharm për një shoqëri më të drejtë e më vëllazërore.

Duke kujtuar, më pas mesazhin e tij në Asamblenë e CELAM të 2007-tës, Françesku u kërkon, në përfundim, të rinjve të mos kenë frikë e të angazhohen për ndërtimin e një shoqërie të re, me mjedise shoqërore politike ekonomike e universitare, të përshkuara nga fryma e Ungjillit: “Mos kini frikë ta luftoni korrupsionin e mos lejoni t’ju joshë! Duke besuar në Zotin, prania e të cilit është burim jete të begatë, e nën mantelin e Marisë, mund të zbuloni frymën krijuese dhe forcën për të qenë protagonistë  të kulturës së aleancës e, prej këndej, të  përftoni paradigma  të reja, që do ta udhëheqin jetën e Brazilit”.

01/08/2017 14:09