2017-08-01 09:00:00

Njëqind vjet më parë, Letra e Benediktit XV kundër “masakrës së kotë”


Sa dramatike, aq edhe e padiskutueshme, pesha e viteve 1914-1918 për mbarë Evropën. Edhe syri më i çkujdesur nuk mund të mos e vërejë “masakrën e kotë”, siç e pati quajtur Benedikti XV Luftën I Botërore, nisur nga çasti kur Perandoria austro-hungareze i shpalli luftë Mbretërisë së Serbisë, pas vrasjes së arkidukës Franc Ferdinandi Habsburg, në Sarajevë. Kjo, shkëndija që ndezi zjarrin e madh, përvëlues, për mbarë Evropën.

Mjafton të vëmë ballë për ballë hartat politike të Evropës së ’14-tës e të pas 18-tës, për të vërejtur menjëherë zhdukjen e Perandorisë cariste e të asaj otomane  si dhe rënien e perandorive gjermane e austriake.

Katër vjet mjerimi pa fund. 17 milionë të vdekur. Ushtarë e civilë. E kjo, vetëm sa për të krijuar një ide të vagëlluar, për atë që ndodhi gjatë ndeshjes më gjakatare në historinë e njerëzimit. Deri më sot!

Ishte 1 gushti i vitit 1917  kur, pas tri vjet thirrjesh të papërfillura, Benedikti XV shkruante Letrën, drejtuar krerëve, që vijonin t’i shtynin popujt e tyre drejt greminës.

“Pra, u dashka që bota e qytetëruar të shndërrohet në fushë rrëmaji? E Evropa, kaq e lavdishme dhe e lulëzuar, të ngarendë krejt e çakërdisur drejt një marrëzie universale e një vetëvrasjeje të mirëfilltë? (…) Përballë një situate të tillë, para një kërcënimi kaq të rëndë, me zërin  e vetë njerëzimit e të arsyes njerëzore, lëshojmë kushtrimin për paqe dhe përsërisim thirrjen tonë të zjarrtë  drejtuar atyre, që kanë në dorë fatet e Kombeve!”

Por Papa Benedikti, në shekull Giacomo Della Chiesa, nuk u kufizua vetëm duke bërë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit. Me pragmatizën e guxim të madh, u dha qeverive këshilla për pikat konkrete, që do t’i ndihmonin të merreshin vesh për ta shmangur tragjedinë: “Pakësimin e menjëhershëm e reciprok të armatimeve, institucionin e arbitrazhit me funksion paqësues, pronësinë e përbashkët mbi detet dhe rikthimin e territoreve të pushtuara”.

I shtyrë nga detyra e Atit të përbashkët të besimtarëve e nga psherëtimat e bijve, që kërkonin me ngulm ndërhyrjen e tij paqëtuese, tërhoqi vëmendjen për t’i pasur parasysh aspiratat e popujve, duke koordinuar, atje ku duhej, interesat e tyre, me interesat e përbashkëta të njerëzimit.

Papa këshillon të zgjidhet çështja e rendit  në Armeni, në Shtetet ballkanike dhe në shtetet e reja, të ngritura mbi gërmadhat e  mbretërisë së lashtë të Polonisë. Mundim i kotë! I papërfillur, Benedikti XV do të shikonte si shpërbëhej para syve të tij një Evropë që, për shkak të konflikteve të pazgjidhura me fund, vetëm pas 20 vjetësh, do të detyrohej të rrokullisej në një greminë tjetër. Në atë të Luftës II Botërore.

E të mendosh se udha e njerëzimit, me përsëritjet e çuditshme të ngjarjeve historike (edhe në shekullin XXI),  paraqitet me të njëjtin egoizëm, buzë të njëjtave gremina, madje edhe më të frikshme, me të njëjtat zëra, që lartohen deri në qiell e me të njëjtën shurdhëri. E nevojshme të lexohet Mesazhi i Papës Françesku me rastin e takimit të rangut të lartë të G20, mbajtur në Hamburg (Gjermani, 7 korrik 2017): “Historia e njerëzimit, edhe sot, na paraqet një panoramë të gjerë ndeshjesh aktuale ose të mundshme. Po lufta, gjithsesi, nuk është kurrë rrugëzgjidhje. Në prag të njëqindvjetorit  të Letrës së Benediktit XV drejtuar krerëve të Popujve ndërluftues, e ndjej për detyrë  t’i bëj thirrje botës t’i japë fund një herë e mirë këtyre masakrave të kota!” (…).  Është kontradiktë tragjike dhe inkoherencë, uniteti në dukje, në forumet e përbashkëta me synime ekonomike ose shoqërore dhe vijimi këmbëngulës i synimeve për ndeshje luftarake!








All the contents on this site are copyrighted ©.