2017-08-01 12:31:00

Ndjesa e Asizit. Nesër, vizita e kard. Parolin. Imzot Sorrentino: “hir i veçantë”


Festë e dyfishtë liturgjike, këtë vit, në Asizi. Solemnitetit të Ndjesës së Asizit, në shenjtëroren e Porciunkolës, që fillon sot e përfundon nesër më 2 gusht, i shtohet edhe mbyllja e 800-vjetorit të kësaj Ndjese. Jubileu u përurua më 2 gushtin e vitit të kaluar e vetëm dy ditë pas fillimit, Papa Françesku shkoi shtegtar në Porciunkola për të kërkuar Ndjesën e Asizit.

Shën Françesku dhe Ndjesa e Asizit

         “Dua t’ju çoj të gjithëve në Parajsë”: kjo është fraza e njohur e Shën Françeskut, kur njoftoi popullin e Asizit se Papa Onori III u kishte dhënë mundësi besimtarëve të kërkonin ndjesën e plotë në kishën e vogël të Porciunkolës. Ishte 2 gushti i vitit 1216 e që atëherë, solemniteti, i cili tashmë njihet si Ndjesa e Asizit apo Falja e Asizit, kremtohet çdo vit me një kalendar të pasur me veprimtari.

Veprimtaritë

         Në orën 11.00 të ditës së sotme, eprori i përgjithshëm i Fretërve të Vegjël, atë Michael Perry, kremtoi meshën solemne, e cila përfundoi me procesionin e “Hapjes së Faljes”, ndërsa nga mesdita e sotme deri në mesnatën e nesërme, 2 gusht, besimtarëve u jepet ndjesa e plotë në Porciunkola, sipas kushteve të Kishës. Pra, besimtari, i penduar për mëkatet, duhet të rrëfehet, të marrë Kungimin, të lutet sipas ndjetit të Papës e të bëjë një vepër të mirë. Falja e Asizit mund të merret edhe në të gjitha kishat famullitare e në ato françeskane nëpër botë.

Kardinali Parolin në Asizi

         Nesër, do të jetë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin ai, që do ta mbyllë Jubileun e Ndjesës me kremtimin solemn në Asizi. Mesha do të transmetohet drejtpërdrejt në Itali nga Padre Pio Tv dhe TVSat, ndërsa në botë nga Maria Vision Italia.

Imzot Sorrentino: “hir i veçantë”

         “Kemi nevojë ta ndjejmë mëshirën e Zotit e të mësojmë stilin e mëshirës”, deklaroi për Radio Vatikanin, ipeshkvi i Asizit, imzot Domenico Sorrentino, i cili kryesoi sot, në orën 19.00, Mbrëmësoret e para, pas shtegtimit të dioqezës në orën 16.00. “Hir i veçantë, përvojë e thellë e gëzimit, që vjen prej Zotit”, shtoi ipeshkvi, duke iu referuar ndjesës së plotë.








All the contents on this site are copyrighted ©.