Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Ipeshkvijtë e SHBA-ve ndihmojnë edhe Kishën katolike në Shqipëri

Ndihmë për të rinjtë shqiptarë, nga Kisha katolike motër e SHBA-ve. Një kontribut i ndjeshëm është caktuar për Qendrën Dom Bosko, në shërbim të  shkollimit të të rinjve në Shqipëri, themeluar 21 vjet më parë për formimin kulturor, shoqëror e akademik të fëmijëve e të të rinjve të varfër e të papërkrahje. Qendra ndihmon kryesisht popullsinë në rritje, ardhur nga zonat fshatare e malore. Prej saj, më se një mijë fëmijë e të rinj marrin arsimin fillor, të mesëm e të lartë. Kanë mundësi të mësojnë edhe në një qendër për  përgatitjen profesionale, një qendër rinore e një asistence. Ndihma në të holla do të shërbejë për modernizimin e ndërtesave dhe të mjediseve të tyre, që fëmijët të mund të mësojnë në ambiente të sigurta.

Ndihmë për 22 vende evropianolindore

Ndihma e Kishës amerikane, prej 4 milion e 400 mijë dollarësh, do të përdoret për të financuar projekte në 22 vende të Evropës qendro-lindore. Shumat vijnë nga mbledhja vjetore e lëmoshëve, që organizon komisioni i posaçëm ipeshkvnor, aktualisht i kryesuar nga kryeipeshkvi i Çikagos, kardinali Blade Cupich. “Si familje në fe - pohon kardinali – jemi pranë atyre që punojnë pa u lodhur për rindërtimin e Kishës në Evropën qendrore e lindore, e cila vijon të përballojë sfida për kapërcimin e dhjetra viteve të shtypjes politike e fetare".

…ndërmjet të cilëve, Ukraina

Ndihma parashikohen edhe për shtatë priftërinj, pesë murgjër e tetë murgesha  që shërbejnë në famullitë pranë zonave të luftës në Ukrainën lindore. Pavarësisht nga rreziqet e konfliktit të armatosur, që vijon në këtë zonë, ata mbetën aty, për asistencë baritore e humanitare ndaj nevojtarëve. Ndihma, që vjen nga Amerika, do të përdoret për të blerë ushqime, ilaçe si dhe për transportin e priftërinjve dhe të rregulltarëve, që ndihmojnë dhjetra mijëra të shpërngulur në zonë.

Duke rindërtuar Kishën, ndërton të ardhmen!

Kardinali Cupich nënvizon se Kisha e SHBA-ve do të vijojë t’i mbështesë përpjekjet  për përtëritjen e  bashkësive katolike të këtyre vendeve që – pas shembjes së ish-Bashkimit Sovjetik, më 1991 - punuan edhe për rindërtimin e strukturave politike, ekonomike e shoqërore: “I shikojmë ata, që jetojnë në këto zona - shton – si shembull shprese e durimi”.

Të Mërkurën e Përhime, si çdo vit, nisi fushata për mbledhjen e vitit 2017, me temë: “Duke rindërtuar Kishën, ndërton të ardhmen!”.

01/08/2017 12:08