Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Aktualiteti ndërkombëtar

Votim i përgjakur në Venezuelë: 13 të vdekur

Ndeshjet në sheshin Altamira në Karakas të Venezuelës - AP

31/07/2017 12:52

Pas luftës në rrugë, lufta e numrave. Një ditë pas votimit për Asamblenë Kushtetuese në Venezuelë, qeveria flet për një pjesëmarrje prej 41,5%, me mëse 8 milion vetë, që iu afruan kutive të votimit. Të dhënat përgënjeshtrohen nga opozita, e cila bojkotoi votën. Sipas saj, abstensionizmi ka arritur shifrën 87% e votat e përgjithshme nuk e kapin 2 milionëshin. Në internet, opozita publikoi një sërë fotografish, që tregonin qendrat e votimit pothuaj bosh.

Bilanci

         Ndërkaq, dy të mitur, një grua ushtare dhe një nga kandidatët për Asamblenë Kushtetuese janë ndër 13 të vdekurit e ndeshjeve të forcave të rendit e të grupeve të armatosura çaviste (përkrahës të presidentit të mëparshëm Chaves) me opozitën. Pavarësisht se protestat ishin ndaluar e do t’u kushtojnë pjesëmarrësve deri në 10 vjet burg, mijëra njerëz dolën në sheshe kundër Asamblesë Kushtetuese, e cila, sipas presidentit Maduro duhet të reformojë Kushtetutën çaviste të vitit 1999. Zgjedhjet e djeshme u zhvilluan pa vëzhgues ndërkombëtarë.

Dënimi i bashkësisë ndërkombëtare

         Edhe për këtë arsye, vende si Meksika, Kolumbia, Peruja dhe Argjentina patën deklaruar që më parë se nuk do t’i njohin rezultatet. Kili e quajti votimin “të paligjshëm”, ndërsa Uashingtoni dënoi dhunën, si “një hap i ri drejt diktaturës”. Vetë presidenti, pavarësisht nga reagimi botëror, foli për “votën më të rëndësishme, mbajtur në 18 vjetët e historisë së revolucionit”. E kërcënoi opozitën se drejtuesit e saj do të përfundojnë ose në qeli, ose në çmendinë. Megjithatë, opozita lajmëroi se do të vijojë protestat. Ndërkaq, SHBA-të përgatisin masa të reja kundër çavistëve dhe “arkitektëve të autoritarizmit” në vend, siç u shpreh zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert. Së shpejti, do të njoftohen sanksione të reja amerikane kundër industrisë venezuelane të naftës, që u shtohen masave të mëparshme.

Nota e ipeshkvijve

         Ndërkaq, ipeshkvijtë e Venezuelës kërkuan të mos reformohej Kushtetuta, por të zbatohej. Asambleja Kushtetutese, nënvizojnë ata në një notë para votimit të djeshëm, është e rrezikshme për demokracinë e vendit e nuk do t’i zgjidhë problemet, përkundrazi, do t’i rëndojë ato, duke filluar nga kostoja e jetës, mungesa e ushqimeve dhe e ilaçeve e duke përfunduar me krizën politike.

31/07/2017 12:52