2017-07-31 16:00:00

Atë Sosa: jezuitët në mision për t’u pajtuar me Zotin e me njerëzit


Në festën liturgjike të Shën Injacit, themelues i Shoqërisë së Jezusit,  eprori i përgjithshëm i jezuitëve, atë Arturo Sosa, kremton meshën në orën 19.00, në kishën e Jezusit në Romë. Në mikrofonin tonë, atë Sosa shpjegon cilat janë sfidat aktuale të Urdhërit, që lindi në vitin 1534. Ta dëgjojmë:

         “Dua t’i përmbledh sfidat e Shoqërisë së Jezusit në dy grupe. I pari ka të bëjë me kontributin tonë në misionin e pajtimit të Kishës. Ka tri përmasa, të lidhura gjithnjë ndërmjet tyre: pajtimi me Zotin, pajtimi i njerëzve ndërmjet tyre dhe pajtimi me Gjithësinë, që është pjesë e pajtimit me Hyjin.

         Prandaj, sfida e parë është të ndjehemi bashkëpunëtorë me Zotin në këtë proces, pasi misioni është i Hyjit e Ai ia ka besuar Kishës. Pra, ky bashkëpunim e ka bazën në fenë, që vjen nga takimi me Zotin. Çdo i krishterë e, edhe Shoqëria e Jezusit në veçanti, kanë për detyrë ta kuptojnë, ta shqyrtojnë ku vepron Hyji në këtë çast të historisë njerëzore dhe si e bën këtë, në mënyrë që të jemi të gjithë në gjendje për t’u kthyer në mjet të Zotit, për të bashkëpunuar e kontribuar në gjithçka bën Ai i Lumi.

         E shohim Jezusin në kryqet e botës së sotme dhe e kuptojmë se pa drejtësi shoqërore nuk mund të ketë pajtim, nuk mund të kemi jetë të denjë, të lirë, ashtu siç e meritojnë të gjithë njerëzit e të gjithë popujt. Pajtimi në të gjitha përmasat e tij, na vë përballë sfidës për të dialoguar. Dialogu ndërkulturor e ndërfetar është përparësi për ne si anëtarë të Kishës dhe si anëtarë të një kongregate rregulltarësh. Në këtë çast, edhe Shoqëria e Jezusit është një korp apostolik shumëkulturor e kjo na lejon të kemi larmi brenda nesh e të jemi pasqyrë e njerëzimit.

         Hapi i mëpasëm është ndërkulturaliteti, që do të thotë të pasurojmë kulturat tona për të shkuar drejt universalitetit, me bazë larminë e jo uniformitetin, siç janë disa prirje të botës së sotme. Ashtu si Zoti është Trini e Njini, edhe ne mund të jemi të ndryshëm në një njerëzim të vetëm.

         Kemi pastaj dialogun ndërfetar, sepse fetë, së bashku, mund të japin një kontribut të jashtëzakonshëm për pajtimin e njerëzve. Një nga shkandujt më të mëdhenj të botës aktuale është përdorimi i Zotit si palë në konflikt, ndërsa për çdo fe, Hyji është Ai që bashkon.

         Grupi i dytë i sfidave është përshtatja e Shoqërisë së Jezusit me kohët e reja. Kjo fillon nga ndryshimi personal i secilit dhe nga kthimi i bashkësisë si e tillë. Mund të jemi vërtet dëshmitarë të jetës vëllazërore ndërmjet nesh, përreth personit që na bashkon, i cili është Jezu Krishti. E së fundi, duhen ndryshuar institucionet – gjëja më e vështirë, sepse rezistojnë. Papa Françesku e ka ftuar gjithë Kishën ta ndjekë këtë rrugë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.