Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Aktualiteti ndërkombëtar

Trafiku: në çdo katër viktima, një është fëmijë

Manifestim kundër trafikut

30/07/2017 10:00

“Fenomen i turpshëm”, që e shpërfytyron fytyrën e njerëzimit, “krim i tmerrshëm” e, megjithatë, një nga bizneset më fitimprurëse të Planetit, për ta ndaluar të cilin duhet bërë gjithë ç’është e mundur. Kjo, thirrja, e njëkohësisht edhe padija, që Papa Françesku e përsërit vazhdimisht, duke u bërë thirrje qeverive të angazhohen kundër trafikut të qenieve njerëzore. Thirrje, që jehon edhe më fuqishëm në atmosferën e Ditës Botërore të OKB-së, që u kremtua sot, më 30 korrik, për t’iu kundërvënë kësaj plage të tmerrshme. Duke u takuar me anëtarët e Renate, rrjet fetar kundër trafikut, më 7 nëntor 2016, Papa pohonte:

“Një nga plagët më të dhimbshme të kësaj bote është trafiku i qenieve njerëzore, formë moderne e skllavërisë, që shkel mbi dinjitetin, dhuratë e Zotit, e shumë vëllezërve e motrave e që përbën një krim të vërtetë kundër njerëzimit”.

Përpjekjet për ta njohur këtë fenomen sa të rëndë, aq edhe të përhapur, nuk mungojnë, por mbetet ende shumë për të bërë, që opinioni publik të fitojë gjithnjë më tepër vetëdijen e që të arrihet në koordinimin e përpjekjeve nga ana e qeverive, e autoriteteve gjyqësore, atyre ligjvënëse dhe veprimtarëve shoqërorë.

E akoma, Papa ngul këmbë mbi nevojën për të sensibilizuar e për të edukuar kundër çdo forme të indiferencës, me të cilën mbulohet fenomeni tejet i trishtuar i trafikut: prirja e shumëkujt për të kthyer kokën mënjanë  e për të bërë sikur nuk shikon, në një kohë kur interesa të pushtetshme ekonomike e rrjete kriminale veprojnë krejtësisht të patrazuara.

Thellimin e vetëdijes shoqërore synon edhe lëvizja Save The Children (Të shpëtojmë fëmijët) që, në prag të Ditës Botërore kundër trafikut të qenieve njerëzore, botoi një raport, titulluar: “Skllevërit e vegjël të padukshëm të 2017-tës”, në të cilin përfshihen të dhëna për viktimat, për vendet ku spikat fenomeni dhe  përgjegjësitë e shfrytëzuesve.

Arrin në 21 deri në 31 milion, numri i njerëzve të rënë në rrjetet e trafikut, pa harruar se fenomeni shtrihet edhe më gjerë. Të dhënat e deritanishme, regjistruar në 106 vende, flasin për një përpjestim alarmant. Nga 63. 251 raste në nivel global, më se 17.710 janë fëmijë, 1 me 4 përsa u përket fëmijëve dhe adoleshentëve, me shumicë të ndjeshme femërore. Për t’u theksuar se, pas grave, fëmijët zënë vendin e dytë ndërmjet njerëzve më të shfrytëzuar në botë.  

Fenomeni spikat jo vetëm në Afrikë, por edhe në vendet e BE-së, ndërsa format më të përhapura të shfrytëzimit janë kryesisht prostitucioni i detyruar (67%) dhe skllavëria në punë krahu, në bujqësi, në shërbime shtëpiake e në mjedise të tjera nga më të ndryshmet. Biznes kriminal, ky, në mbarë botën, që vë në lëvizje një shumë prej 32 miliardë dollarësh e që nuk e ka aspak në mend të pakësohet, duke goditur edhe Italinë, ku vijon vrullshëm sulmi i emigrantëve, që zbarkojnë çdo ditë në brigjet e vendit evropian më të prekur nga fenomeni. Ndërmjet të trafikuarve, një numër i madh fëmijësh të pashoqëruar, adoleshentesh nigeriane, gjithnjë më të mitura, të detyruara të marrin rrugën e prostitucionit, vajzash të parritura bengaleze, të shfrytëzuara në punë të zeza e mijëra e mijëra të mitur “në kalim”, të bllokuar në qytete a kufij, në pritje të lejës për të kaluar në Evropë e edhe më tej…

“Lufta kundër trafikantëve dhe shfrytëzuesve të fëmijëve - lexohet në raportin e Save The Children - duhet të jetë e vendosur dhe e paepur, duke nisur nga vendet e origjinës e të kalimit të fëmijëve dhe të adoleshentëve të pashoqëruar, që arrijnë më pas në Itali e në Evropë, e në vend që të gjejnë ardhmërinë e ëndërruar, bien në dorë të shfrytëzuesve të rinj, të cilët përfitojnë mizorisht prej tyre. Të dhënat vërtetojnë edhe se, për fat të keq, ekziston një rrjet gjithnjë më i organizuar kriminal, që i josh të miturit, duke i nxitur të nisen drejt kufijve, ku pothuajse të gjithë, e sidomos, të gjitha, pësojnë dhunë të tipeve nga më të pabesueshmet, para se të arrijnë në Itali, ku  sistemi i strehimit dhe i mbrojtjes si dhe ai kundër trafikut  e shfrytëzimit, nuk arrijnë të ndërhyjnë aq shpejt, sa t’ua heqin nga dora shfrytëzuesve prenë e tyre të çmuar. Kështu “klientët” nisin qetë-qetë shpërdorimin e të sapoardhurve, duke i shfrytëzuar si skllevër seksi e punësh të rënda.

Ndërhyrja e kërkuar nga qeveritë për ta ndaluar këtë veprimtari të urryer kriminale, që shfrytëzon posaçërisht fëmijët, duhet të ketë një kornizë ndërkombëtare, përndryshe fenomeni do të vijojë, duke shkatërruar miliona jetë njerëzore e duke ushqyer krimin e organizuar, që rëndon ndjeshëm a pandjeshëm, mbi jetën e mbarë njerëzimit.   

30/07/2017 10:00