Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Venezuelë: thirrja e ipeshkvijve për t’iu kundërvënë dhunës

Protesta paqësore në Venezualë

28/07/2017 13:23

Situatë dramatike

Të diel, më 30 korrik, në Venezuelë do të zgjidhet Asambleja kushtetuese, sipas dëshirës së presidentit Maduro, pas një jave vendimtare për vendin, në gjendje emergjence të thellë humanitare. Popullit i mungon gjithçka. Buka e përditshme, ilaçet, shërbimet më urgjente, ndërsa kundërshtarët e qeverisë Maduro i padisin sundimtarët për ushtrimin e dhunës nga ana e Rojes Kombëtare bolivariane.

Një vend me burime nafte edhe më të pasura se Arabia Saudite, është katandisur në varfëri të padurueshme, ndërsa protestat e grevat e përgjithshme kundër Asamblesë së Maduros vijuan gjatë gjithë kësaj jave, vendimtare për ardhmërinë e vendit, që jeton nën thundrën e padurueshme të një qeverie, akuzuar edhe nga ipeshkvijtë katolikë venezuelanë për shtypje çnjerëzore të manifestimeve të qytetarëve. Ipeshkvijtë iu kundërvunë që në fillim kushtetueses dhe synimeve “për krijimin e regjimit diktatorial, vendosjen e shtetit socialist, marksist e ushtarak dhe zhdukjen e autonomisë së pushteteve dhe të organeve të sotme të shtetit, posaçërisht Asamblesë kombëtare, të zgjedhur drejtpërdrejt nga vetë populli”.

Thirrje e re e prelatëve për mospërdorimin e dhunës

Vetëm pak orë e ndajnë Venezuelën nga zgjedhjet e Asamblesë kushtetuese kombëtare e pikërisht në këto orë dramatike, kryetari i Konferencës ipeshkvnore venezuelane ripohon refuzimin e kësaj nisme, duke e konsideruar “antikushtetuese, të panevojshme e të dëmshme për popullin venezuelan”. Këto, fjalët e shkruara në deklaratën e Kryesisë së Konferencës Ipeshkvnore të Venezuelës, botuar mbrëmë.

Dhuna nuk mund t’i zgjidhë kurrë konfliktet shoqërore

Edhe një herë lartojmë zërin kundër dhunës, ngado që të vijë. Nëse duhet kryer ky proces, të cilin ne nuk e mbështesim  - saktësojnë ipeshkvijtë - duhet të kryhet pa dhunë. Dhuna nuk mund të jetë kurrë mënyrë për t’i zgjidhur konfliktet shoqërore, që keqësohen nga dita në ditë në gjirin e shoqërisë venezuelane. “Nga dhuna e padurueshme, vrasjet, plagosjet e burgimet, mund të lindë vetëm dhunë e re”, lexohet në tekstin e ipeshkvijve, rimarrë nga agjencia Fides.

Thirrje e ipeshkvijve drejtuar Forcave të Armatosura Bolivariane

Më pas deklarata e ipeshkvijve u drejtohet Forcave të Armatosura Kombëtare Bolivariane(Fanb): “Duam t’i kujtojmë Fanb se detyra e tyre e parë është të mbrojnë popullin, po faktet e këtyre ditëve tregojnë të kundërtën. Roli i Fanb është të mbrojë paqen… Të mos e thellojmë vuajtjen dhe ankthin e shumë njerëzve, që duan të jetojnë në paqe, që dëshirojnë t’u dëgjohet zëri i protestës e që ky zë të respektohet”.

Teksti përfundon me dy thirrje: “Mos vrisni e ruajeni gjallimin e një populli që ndan bashkë bukën, ilaçet,  jetën!”.

Bashkësia ndërkombëtare fajtore

Përballë kësaj situate, Ingrid Dussi, sekretare e përgjithshme e Këshillit Drejtues të Shoqatës Latino-Amerikane (ALI) kërkon të deklarohet gjendja e zisë së bukës, e emergjenecës dhe e krizës humanitare dhe flet për një bashkësi ndërkombëtare fajtore, sepse indiferente, e aftë vetëm për deklarata krejt të pafuqishme, me të cilat dënon një fenomen, që vijon i patrazuar, të rrezikojë jetën e një populli të tërë, me pasoja negative mbi gjithë zonën.  

28/07/2017 13:23