2017-07-28 13:34:00

Siria nuk e harron atë Dall’Oglio-n, zhdukur para 4 vjetësh


29 korrik 2013: zhduket në Raqqa të Sirisë atë Paolo Dall’Oglio. Ndoshta rrëmbehet, ndoshta vritet nga ekstremistët islamikë. Që nga ajo ditë, vetëm zëra dëgjohen mbi fatin e tij të mundshëm, por asnjë element konkret. Edhe sot, pas katër vjetësh, mbetet veç heshtja.

         Heshtje, që mbështjell me mister historinë e jezuitit, që në vitet ’80, arriti të rithemelojë bashkësinë e lashtë murgare katoliko-siriake, Mar Musa, duke e shndërruar në Qendër dialogu ndërfetar ndërmjet krishterimit dhe islamizmit. Gjatë gjashtë vjetëve të konfliktit, në këtë zonë kanë gjetur vdekjen mijëra rregulltarë, meshtarë e civilë.

         Sipas të vëllait, muzikantit Pietro Dall’Oglio, “Paolo duhet të ketë shkuar në Raqqa për të folur me krerët e Isisit e për t’u thënë atyre se të krishterët besojnë në dialog, në integrim. Deshi kështu t’i vinte vulën impenjimit të tij si jezuit, në mbrojtje të paqes, të besimtarëve e të bashkëvëllezërve të tij”. I impenjuar në dialogun ndërfetar, atë Dall’Oglio u përjashtua nga regjimi i presidentit al-Assad, në vitin 2012, duke u ftuar prej tij të mos jepte asnjë opinion për gjendjen politike në vend.

         Filluar në vitin 2011, lufta kundër partisë së vetme të presidentit Bashar al-Assad, u shndërrua shpejt në një konflikt, që përfshiu gjithë vendin. Radikalizimi i ndeshjeve, fragmentimi i forcave ndërluftuese në banda, organizata ekstremiste, ose kriminale, infiltrimi i xhihadistëve në radhët e opozitorëve të al-Assadit, e detyruan bashkësinë ndërkombëtare të ndërhyjë. Ekuilibri i lëkundshëm i zonës, që vuante akoma nga pasojat e luftës në Irak e nga ato të të ashtuquajturave “pranvera arabe”, u prish më tej, duke vënë ballë për ballë edhe fuqi të mëdha si SHBA-të dhe Rusia.

         Në Siri luftohet që prej gjashtë vjetësh: gati 500 mijë të vdekur, 12 milion të shpërngulur, një numër i papërcaktuar të zhdukurish, i pamundur të vlerësohet pikërisht për shkak të gjendjes. Përpjekjet diplomatike botërore, përmes Konferencës së Gjenevës e asaj të Astanasë, nuk sjellin ndonjë rezultat, që e zgjidh përfundimisht krizën. Mbetet e, fatkeqësisht, shtohet, vuajtja e pafund e popullsive të zonës, por edhe dashuria e pafund, që frymëzoi atë Dall’Oglion e vazhdon të frymëzojë gjithë njerëzit vullnetmirë të flijohen për sirianët.








All the contents on this site are copyrighted ©.