2017-07-28 09:00:00

Shën Egjidi: “Udha e paqes” për t’iu kundërvënë terrorizmit


Do të mbahet në Gjermani, nga 10 deri më 12 shtator, “me frymën e Asizit”, takimi ndërkombëtar “Udhët e Paqes”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, me pjesëmarrjen e liderëve të feve të ndryshme botërore, për t’iu kundërvënë konflikteve dhe terrorizmit.

Takimi, i paraqitur këto ditë, do të mbahet në Münster e Osnabrück. Nga zemra e Evropës do të lartohet një mesazh i fuqishëm për paqen, duke u nisur nga dëshmia e të gjitha feve botërore. Të shumta, personalitetet fetare, që do të marrin pjesë: kardinaj, ipeshkvij, katolikë e ungjillorë, evropianë, afrikanë, amerikanë e, doemos, përfaqësues të Lindjes së Mesme të martirizuar prej vitesh, por edhe prijës myslimanë e hebraikë, ardhur nga vise të ndryshme të botës, si dhe imami i Al Azhar, Ahmad el-Tayyb, një nga autoritetet më të larta sunite. Me mijëra, pastaj, njerëz të tjerë, të ardhur nga mbarë Evropa.

“Është e nevojshme t’i aktivizojmë të gjithë për një paqe, që vjen nga poshtë - pohon Marco Impagliazzo, drejtues i Shën Egjidit në përfundim të konferencës së shtypit për paraqitjen e ngjarjes - që popujt të zgjohen e të ecin në udhët e paqes, duke i izoluar manifestimet e terrorizmit.

Të shumta, temat, që do të trajtohen gjatë takimit. “Lutjet për paqen në frymën e Asizit - vijon Marco Impagliazzo - janë rast për të prekur shumë tema, që kanë të bëjnë me jetën e  njerëzve: nga temat ambientale, tek varfëria e pabarazia, por edhe tema shpirtërore. Jemi në Gjermani, ku po përkujtohet 500-vjetori i Reformës protestante, e një nga temat do të jetë pikërisht rizbulimi i Fjalës së Zotit në jetën e besimtarëve, edhe duke u nisur nga përvoja ungjillore. Do të preken, prandaj, tema e emigracionit, e kujdesit për ambientin, e mbrojtjes së paqes. Por edhe tema, që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, për të dëgjuar përgjigjet, që japin fetë dhe njerëzit e fesë”.

Përveç liderëve fetarë, në takim do të jenë të pranishëm edhe liderë politikë. E konfirmuar, prania e kancelares gjermane Merkel dhe e presidentit të Europarlamentit, Antonio Tajani. “Shpresojmë se, me praninë e Angela Merkel e të presidentit Tajani - përfundon Impagliazzo - do të mund t’i përballojmë konkretisht strategjitë e reja për zhvillimin e temës së mirëpritjes  dhe integrimit të emigrantëve në Evropë, por edhe temat  që prekin jetën e të gjithë qytetarëve, si tema e punësimit të të rinjve të cilët, posaçërisht në pjesën jugore të Kontinentit tonë, po vuajnë shumë.   








All the contents on this site are copyrighted ©.