2017-07-28 14:50:00

Rusi: kardinali Koch takohet me metropolitin Hilarion. Më se dy milionë rusë nderuan reliket e Shën Kollit


“Meqë Shën Kolli jetoi në kohët kur krishterimi ishte ende i pandarë, ndërmjetësimi dhe ndihma e Shenjtit Mrekullibërës kanë vlerë të veçantë për bashkimin  e Kishës së Lindjes me atë të Perëndimit”. Këtë theksoi kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, në homelinë e mbajtur dje paradite, në bazilikën katolike të Shën Katerinës, në Shën Pjetërburg. Ndodhej në këtë qytet, delegacioni katolik - në të cilin bënte pjesë edhe kryeipeshkvi i Bari-Bitontos, imzot Francesco Cacucci - i ngarkuar për ta përcjellë Shën Kollin në rrugën e rikthimit në shtëpi. “Shkëmbimi i relikeve për nderim nga ana e besimtarëve - kujtoi kardinali - është formë posaçërisht e bukur, që ndikon në afrimin e Kishave tona e të besimtarëve tanë. M 28 korrik, kur Shën Kolli do të kthehet përsëri në Bari, është detyra e ne të gjithëve t’i qëndrojmë besnikë lutjes për bashkimin e të krishterëve, duke vijuar të kërkojmë ndërmjetësimin e Shenjtorëve, me vetëdijen se shenjtorët tanë, tashmë të bashkuar në qiell, janë ndërmjetësit dhe shoqëruesit më të mirë në udhën tonë ekumenike e mund të na ndihmojnë për ta vënë në jetë bashkimin e të krishterëve”.

Gjatë takimit, para se reliket të merrnin udhën e kthimit - lexohet në një komunikatë të Patriarkanës - u diskutuan shumë çështje, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet Patriarkanës së Moskës dhe Kishës Katolike Romake.  Të dyja palët theksuan atmosferën e jashtëzakonshme që u krijua me ardhjen e relikeve të Shën Kollit, Kryeipeshkvit të Myrës, nga Bari, në Rusi ku më se dy milionë besimtarë - sipas metropolitit Hilarion - i nderuan me devocion të thellë reliket në Moskë e në Pjetërburg.

Shtegtimi i relikeve drejt Rusisë, ku shën Kolli nderohet në mënyrë të veçantë, gjë që e tregon edhe përhapja e emrit të tij ndër rusë, deri tek dinastitë e carëve, u bë i mundur falë marrëveshjeve të arritura në takimin historik të Patrikut të Moskës dhe të gjithë Rusive, Kirill dhe Papës Françesku, më 12 shkurt 2016, në Havanë. Kardinali Koch shprehu gëzimin e tij të thellë për entuziazmin me të cilin i priti reliket mbarë populli rus, duke treguar, kështu, se i nderon fort shenjtorët e Kishës së lashtë, gjë që mund të ndikojë fuqimisht për të kapërcyer ndryshimet që ekzistojnë akoma ndërmjet të krishterëve. Të dyja palët theksuan se duhet vijuar bashkëpunimi ndërkonfesional në këtë drejtim. Metropoliti Hilarion dhe kardinali Koch shkëmbyen mendime edhe për çështjet që kanë të bëjnë me grupin e përbashkët të punës për bashkëpunimin kulturor ndërmjet Kishës ortodokse ruse dhe Selisë së Shenjtë.

Kujtojmë se reliket e Shën Kolli u vunë përsëri përudhë për herë të parë pas gati njëmijë vjetësh, nga Bari në Moskë, ku kaloi më se dy muaj, i rrethuar nga nderimi i besimtarëve ortodoksë. Reliket e Shenjtit u nisën pastaj Pjetërburg e që aty, sot rimorën udhën drejt shtëpisë, me një avion privat të drejtpërdrejtë, pasi në mëngjes u nderuan nga autoritetet më të larta fetare ortodokse të Rusisë. Shenjti arriti në shtëpi sot pasdite. U prit me një ceremoni tjetër prekëse, kryesuar nga kryeipeshkvi i Bari-Bitontos dhe delegat papnor për Bazilikën kushtuar ipeshkvit të Myrës si dhe përfaqësues të tjerë të lartë kishtarë e civilë.








All the contents on this site are copyrighted ©.