Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e së dielës XVII të vitit kishtar "A": Mbretëria e Zotit

Krishti predikon për Mbretërinë e Zotit - RV

28/07/2017 19:44

Kërkimi i gëzimit të vërtetë banon në zemrën e çdo njeriu. Çdo dëshirë fsheh në vetvete etjen për këtë lumturi. Ungjilli i sotëm na tregon se mbretëria e Zotit është gëzimi i vërtetë: është thesar, që dikush e zbulon e bën gjithçka për ta pasur; është perlë e rrallë, që një koleksionist dëshiron ta ketë me çdo kusht. Lodhja e mundimi për ta bërë tonën këtë lloj pasurie zhduket nga kënaqësia se ia arritëm qëllimit. Problemi i të krishterëve është se, nganjëherë, nuk janë plotësisht të bindur se vullneti i Zotit është gëzimi ynë e nuk i besojnë premtimet e Krishtit. Por plani i Zotit na e tregon horizontin: të shëlbohemi nga Biri i Tij.


Leximi i parë (1 Mbr 3, 5. 7-12) 
Jepja, o Zot, urtinë shërbëtorit tënd!


Lexim prej Librit të Parë të Mbretërve 

Në ato ditë, në Gabaon, Zoti iu shfaq Salomonit natën në ëndërr e i tha: “Kërko çka do që të jap unë!” Salomoni tha: “E tani, o Zot, Hyji im, ti e bëre mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim, Davidit. Mirëpo, unë jam djalosh i ri dhe nuk di si duhet mbretëruar. Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete, të popullit e panumërt që nuk mund të njehet as nuk mund të numërohet për shkak të madhësisë. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër që di të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqes. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd të madh?”
Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri dhe Hyji i tha Salomonit: “Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as vdekjen e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi, ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’do ta ketë askush pas teje si ti.” 

Fjala e Zotit 


Psalmi 119 (118)
Ref:Ligji yt, o Zot, është gëzimi im
____________________
Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje,
por tani unë e mbaj fjalën tënde.
Më i mirë është për mua ligji yt
se me monedha ari e argjendi.
____________________
Le të më ngushëllojë, pra, përdëllimi yt
sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.
Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj,
sepse ligji yt është kënaqja ime.
____________________
Oh, sa i dua urdhërimet e tua:
më tepër se arin, se gurin e çmueshëm.
Nergur i mbaj urdhërimet e tua të gjitha,
e urrej çdo udhë gënjeshtre.
____________________
Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua,
prandaj i mban shpirti im.
Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon:
të miturit i bën të urtë.
____________________

Leximi i dytë (Rom 8, 28-30)


Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve 

Vëllezër, ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi. 

Fjala e Zotit
 

Ungjilli (Mt 13, 44-52) 
Mbretëria e Zotit – visar i fshehur.


Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut 

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë. Mandej Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. Kur e gjen një perlë me vleftje të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.”
Përsëri Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku. Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin. Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh. A i kuptuat të gjitha këto?” “Po!” – i përgjigjën ata. E ai u tha: “Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan zotështëpisë, që nxjerr nga visari i vet gjëra të reja e të vjetra.” 

Fjala e Zotit 


Predikimi
Mbretëria e Zotit – visar i fshehur

Shumë njerëz të sotëm, të cilët dëshirojnë të jenë “bashkëkohorë” dhe “modernë”, të cilët kujtojnë së janë shumë të mençëm, nuk tregohen mjaft të mençëm kur është në pyetje feja. Fenë s’mund ta kuptojnë sa duhet dhe sa dëshirojnë me arsye. Prandaj ose thonë se nuk besojnë, ose nuk duan të besojnë derisa t’u vërtetohen të vërtetat e fesë me argumente të cilat ata mund t’i kuptojnë. Kështu shpeshherë humbin një visar të paçmueshëm, sepse – si po na mëson Krishti në Ungjillin e sotëm – Mbretëria e Zotit (apo, me fjalë të tjera: përmbajtja e fesë sonë) është sikur visari i fshehur në arë. Kush ta gjejë, ai shet gjithçka ka, shkon dhe e blen atë arë – për ta fituar ashtu atë visar, i cili ia sjell lumturinë e jetës.
Prandaj, ata që nuk duan të besojnë në fjalën e Zotit janë sikur njeriu i cili ka dëgjuar për visarin e fshehur në një arë, por kurrsesi nuk do të shkojë në atë arë për ta kërkuar, sepse tutet se ashtu do të dalë qesharak. Ai pret argumente. Pret t’i vërtetohet se kush e ka fshehur visarin, kur e ka fshehur, sa, qysh, çfarë visari: ar, argjend, perla, të holla... E derisa ky i mbledh argumente, tjetri që ka dëgjuar të njëjtën gjë shkon, kërkon ditë e natë derisa ta gjejë. E kur ta gjejë, e merr dhe shkon. Kurse ai njeri i parë, kur rastësisht kalon nëpër atë ar, e sheh gropën e zbrazët, prapë do të vazhdojë të mendojë: a ishte aty visari i fshehur, apo njëfarë i marri mundohej kot duke e kërkuar. 
Krishti një herë ka thënë: “Ku është visari yt, atje është edhe zemra jote.” Shikoni! Krishti nuk ka thënë: “Ku është mendja jote se atje është edhe visari apo pasuria jote”. Mendja jonë shpesh herë gabon. Prandaj duhet t’i lutemi Zotit sikurse lutej mbreti Salomon. Duhet t’i lutemi për urtinë, për arsyen e shëndoshë, për aftësinë që të kuptojmë se çka është për të mirën tonë, çka është e dobishme për shëlbimin tonë. Sepse Zoti bashkëpunon me të gjithë ata që e duan, për të mirën e tyre. 
Shën Pali thotë se Zoti na ka paracaktuar për shëlbim. Na ka paracaktuar të bëhemi të ngjashëm me të Birin e tij Jezu Krishtin. Pasi na ka paracaktuar, ai edhe na ka ftuar, na ka shfajësuar dhe na ka lumturuar. 
Ne pra duhet t’i përgjigjemi thirrjes së Zotit, kështu që ta pranojmë Mbretërinë e Zotit, e cila është në bashkim me Jezu Krishtin. Ta pranojmë ashtu sikurse e kanë pranuar apostujt e tij. Levi tagrambledhës (më vonë shën Mateu apostull) është munduar krejt jetën për të grumbulluar sa më shumë pasuri të kalueshme, materiale, por ajo nuk ia solli lumturinë. Kur u takua me Krishtin, kur e zbuloi në të visarin e fshehur të Mbretërisë së Zotit, la gjithçka pati dhe shkoi pas tij. Në të ka gjetur kuptimin e jetës së vet. Njësoj edhe shën Andreu Apostull, i cili – kur e gjeti Krishtin – nuk mund ta fshihte më gëzimin dhe lumturinë e vet, por menjëherë shkoi dhe ia solli Krishtit edhe vëllain e vet Simon Pjetrin. Njësoj ishte edhe me Filipin, Natanaelin etj. Pra, ata kanë gjetur visarin për të cilin ka folur Krishti. Për këtë arsye ishin të gatshëm për atë visar të flijonin gjithçka kishin, madje edhe jetën e vet. 
Në qoftë se ne e kemi zbuluar ne Jezu Krishtin dhe në Mbretërinë e tij visarin tonë të fshehur, kuptimin e jetës sonë – atëherë është e pamundshme që zemra jonë të jetë indiferente dhe që besimi ynë mos ta shndërrojë jetën tonë në përkim me vullnetin e Zotit. 
Dhashtë Zoti këtë hir secilit besimtar!

28/07/2017 19:44