2017-07-28 14:30:00

Imzot Rudelli: Promovimi i të drejtave të njeriut në veprimtarinë e Selisë së Shenjtë


“Promovimi i të drejtave të njeriut në veprimtarinë ndërkombëtare të Selisë së Shenjtë”: kjo është tema e konferencës, që mbahet sot, në Rovereto të Italisë, nga imzot Paolo Rudelli, Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës. Konferenca organizohet nga Fondacioni “Vepra Këmbana e të Rënëve”, i cili i fton më pas të pranishmit të merrnin pjesë në një koncert, që mbylli veprimtarinë.

Rrënjët e edukimit për paqen

         “Paqja është vepër e drejtësisë” ishte motoja ipeshkvnore e Papës Piu XII, por nëse nuk ka paqe pa drejtësi, kjo e fundit nuk arrihet po të mos zbatohet ligji. Prandaj, Deklarata universale e të drejtave të njeriut, shpallur nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së, në Paris, më 10 dhjetor 1948, është gur themeli për ndërtuesit e paqes, një revolucion juridik, politik e kulturor, i cili edhe sot, nuk ka përfunduar akoma. Që ato të drejta të mos mbeten vetëm në letër, nevojitet një punë e vazhdueshme për përshtatjen e rendit shoqëror kombëtar e ndërkombëtar.

Diplomacia e Selisë së Shenjtë

         E Selia e Shenjtë, me diplomacinë e saj, është mjeshtre në këtë punë. Edhe konferenca e sotme e imzot Rudelli-t, bën pjesë në nismat e “Këmbanës së të Rënëve”, organizuar në Rovereto e në Strasburg, për t’u thelluar në mekanizmat diplomatike, që bëjnë të mundur të punohet konkretisht për vënien në jetë të vlerave të përfaqësuara nga Maria Dolens, kështu quhet këmbana, që kujton të rënët në luftë.

Fjala e imzot Rudelli-t

Prelati i lartë vë theksin pikërisht, mbi rëndësinë e një veprimi konkret e të përditshëm, ndoshta pa zhurmë e bujë, por që sjell rezultate e jo thjesht deklarata e marrëveshje në parim. Ku ka çuar kjo rrugë; cilat janë sfidat e nismat e Selisë së Shenjtë në veprimtarinë ndërkombëtare; cilat janë praktikat, që kanë dhënë rezultate: këto, argumentet kryesore të fjalës së imzot Paolo Rudelli-t në Rovereto.

Maria Dolens në 103-vjetorin e Luftës I Botërore

         Maria Dolens, siç quhet Këmbana e të rënëve, që i jep emrin Fondacionit, e ka zanafillën në idenë e një meshtari nga Rovereto. Don Antonio Rossaro deshi të gjente një mënyrë për të kujtuar gjithë të rënët nga Lufta I Botërore, 103-vjetori i fillimit të së cilës kremtohet pikërisht sot. Mendoi të realizonte një këmbanë, e cila do të përbëhej nga bronxi i topave të 19 kombeve, që morën pjesë në Luftën I Botërore. Këmbana mbërriti në Rovereto nga Trento në vitin 1925. Por tingulli nuk u pëlqye e atëherë u shkri sërish në Verona, madje dy herë, në vitin 1938 e në vitin 1939. Mbërriti në Rovereto në vitin 1940, por u prit fundi i Luftës II Botërore për ta vendosur në kështjellën e qytetit. Përsëri kaloi një sërë peripecish e u shkri për herë të tretë deri sa, më në fund, më 31 tetor 1965 u bekua nga Papa Pali VI në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë. Vetëm pas bekimit të Papës, këmbana u kthye në Rovereto, në kodrën e Miravalle-s e, që atëherë, saktësisht që nga Pashkët e 10 prillit 1966, nuk ka reshtur së përhapuri tinguj në kujtim të të rënëve. Në vitin 1968, me dekret presidencial, u themelua Fondacioni “Vepra e Këmbanës së të Rënëve” me synimin për të edukuar brezat e rinj që të kërkojnë paqen e të respektojnë të drejtat e njeriut.








All the contents on this site are copyrighted ©.