2017-07-28 17:00:00

Atë Pjetër Meshkalla: i mbetur jashtë liste? Kujtim në 29 vjetorin e vdekjes


Për figurën madhore të jezuitit shqiptar, Atë Pjetër Meshkalla, është thënë shumë e është shkruar pak. Vetëm disa artikuj, botuar aty-këtu në gazeta e revista, kryesisht katolike, libri i Fritz Radovanit “At Pjetër Meshkalla SJ ” 1 e ndonjë dorëshkrim ende i panjohur… Në listat e martirëve nuk figuronte emri i Tij. Në mjetet e komunikimit masiv: internet, bloge, FaceBook… e takojmë nganjëherë. Por tepër pak. Nësa meriton shumë, ky Njeri i madh, që nuk vdiq në tortura, sepse nën mbrojtjen e Zojës ë Bekuar, siç e shkruan ai vetë:

“... po ... ju diftoj çka më ndodhi kur u arrestova në fillim. Nisi hetuesia me pyetjet që nuk meritojnë as të kujtohen. I kundërshtova hetuesit... Përgjigjja ishte një shputë aq e fortë, sa nuk më mbajtën kambët e rashë përtokë... atë çast m’u duk se u hap qiella. Mes xhixhave që më lëshojshin sytë, m’u duk se pashë në vegim Zojën e Papërlyeme: ‘O Zojë, më ndihmo me i bajtë torturat – iu luta - më forco mos të ligështohem, me ruej nën dorën Tande!’... Ndoshta, askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë hangra vetëm një shputë. Ç’prej asaj dite që iu pshteta Zojës, nuk më preku ma kush prej tyne me dorë!”.

Prandaj jashtë liste? – mund të pyesë ndokush.

Jo! Sepse Kisha shenjtnon vetëm ata, që e dhuruan jetën për Krishtin me martirizim: jeta mund të dhurohet në një mori mënyrash. Si jeta e Pater Meshkallës, që shtrihet  ndërmjet dy datave: 26 shtator 1901 - 28 korrik 1988 e që u diskutua shumë përtej këtyre datave. Edhe kur u ngjitën në elter 28 martirët shqiptarë, viktima të diktaturës, ndokush u ankua, sepse nuk e dëgjoi emrin e tij. Ndokush tjetër kujtoi se ai nuk vdiq i martirizuar. Të tjerë, që i njihnin më hollë proceset e lumnimit e të shenjtërimit, folën për disa parime kishtare, lidhur me figurën e Pater Pjetrit. Por të gjithë ishin një mendjeje: “Pater Meshkalla, i mbetur a jo jashtë listash, “asht Njeri madh, Meshtar Shenjt!”. Ky, opinioni popullor, që tregon qartë se jezuiti shqiptar nuk është kurrë jashtë liste!  Edhe pse Kisha nuk i mat kohët me orën tonë...

Duke gërmuar në detin e internetit, sot, që kujtojmë përvjetorin e kalimit të tij në banesat e amshuara, ia rikujtojmë jetën e kaluar në Seminarin Papnor në Shkodër,  në Linc të Austrisë, në Goricë të Sllovenisë, në Napoli të Italisë e deri te shugurimi  meshtarak në Shkodër, më 1931, deri te burgu, deri te varrezat e Rrëmajit, ku prehet sot në varrin monumental të Jezuitëve. E sa pak na duket se flitet për atë, që u quajt “Engjëlli i birucave”, “Simboli i inteligjencës katolike të persekutuar nga komunizmi”; “Apostull i lirisë”; “Krijesë e jashtëzakonshme”; “Ndërmjetësues mes Zotit e njeriut”; “I aftë për t’u mësuar bashkëvuajtësve t’u bëjnë ballë torturave e të vdesin krenarë, duke i mëshiruar vrasësit  e tyre të degraduar mendërisht” – siç e kujtojnë bashkëvuajtësit, duke i kaluar fjalët e Tij gojë më gojë, si fjalë të urta popullore.

E gjejmë pak emrin e tij në mjetet e komunikmit masiv, por për fat të mirë, gjejmë shumë emrin e shkollës që e mishëron Emrin e tij.  Shkollën Pater Pjetër Meshkalla,. E cila na bind se Ai nuk është aspak jashtë liste…  

Atë Pjetër Meshkalla vijon të flasë si flasin Vegimtarët:

“Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdhaj e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët...zhduken, zhyten, nuk shihen ma.... hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen të tjerë...deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdhaj a të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë... Qe ambicioni i temelit: me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumtun!”.

Por që ta kemi këtë Shqipëri, duhen kujtuar mirë fjalët, që ia pat thanë një prifti të ri në vitin 1962, lidhur me “gjashtë arësyet që  mësojnë se njeriu duhët me heshtë!...” të mësuara nga imzot Çoba;

- “Shko e thuej Imzot Çobës, me të mësue gjashtë arësyet që duhen për me folë, se, s’asht koha me heshtë ma!”...

E sidomos:

“Diktatura ma e rrezikshme, asht ajo, që paraqitet me maskën e demokracisë!”.

Kështu e kujtojmë Pater Meshkallën sot, në listë me shumë të tjerë, që një ditë, pa dyshim, do t’i shikojmë në lartësitë e elterit…Prej nga do të vijojnë të na tregojnë rrugën e drejtë! Sepse figura gjithnjë aktuale….

 1 Fritz Radovani, AT PJETËR MESHKALLA S.J., Botim i dytë, Melbourne 2004 








All the contents on this site are copyrighted ©.