2017-07-27 16:50:00

Kard. Parolin për “Sole 24 Ore”: në Moskë e Pekin, përpjekje për dialog


“Vëmendja e Selisë së Shenjtë ndaj Evropës Lindore nuk fillon sot, por shumë kohë më parë e, nuk është shuar kurrë, as në vitet më të errta”. Ndërkaq, në Lindjen e Largët, sfida “është po ajo e ka natyrë baritore”. Kështu shprehet në një intervistë të gjatë për gazetën italiane “Sole 24 Ore”, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili, në fund të gushtit, do të shkojë në Moskë, por e hedh vështrimin edhe mbi Kinën e mbi Evropën aktuale.

“Sot, nënvizohen shpesh dallimet ndërmjet vendeve të ndryshme perëndimore dhe Rusisë, sikur të ishin dy botë të ndryshme, secila me vlerat dhe interesat e veta”, vëren kardinali. “Në një kontekst të tillë, sfida është të kontribuojmë për mirëkuptimin më të madh ndërmjet atyre, që ka rrezik të paraqiten si dy pole të kundërta”. “Çështja e paqes dhe e kërkimit të zgjidhjes për krizat e ndryshme duhet të vendoset mbi çdo lloj interesi kombëtar apo të pjesshëm”.

“Diplomacia e Kishës Katolike – vijon kardinali Parolin – është diplomaci e paqes. Nuk ka interes për pushtetin: as politik, as ekonomik, as ideologjik. Pikërisht për këtë, mund t’i paraqesë me liri më të madhe njërit, arsyet e tjetrit dhe, ta paralajmërojë secilin për rreziqet, që një botëkuptim autoreferencial mund të ketë për të gjithë”.

Në Lindjen e Largët, shton më tej kardinali Parolin, “ka sfida të reja, që presin përgjigje të pagjetura e krijuese, por në fund të fundit, qëllimet e Kishës janë të njëjta gjithmonë”. “Konkretisht, Kisha Katolike kërkon t’i garantohet e drejta për të shprehur lirisht fenë e vet, në të mirën e të gjithëve e në favor të harmonisë në shoqëri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.