Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Çmimi Niwano për paqen, peshkopit luteran Munib A. Younan

Peshkopi luteran Younan me Papën Françesku në Lund të Suedisë - AP

27/07/2017 13:52

Çmimi Niwano për paqen iu dha sot në Tokio të Japonisë, peshkopit luteran Munib A. Younan, që mbulon zonën e Jordanisë dhe të Tokës Shenjte. Më parë, ai ka qenë kryetar i Federatës Luterane Botërore. Çmimi iu dha për këmbënguljen dhe dhembshurinë në punën e tij për të favorizuar dialogun ndërfetar në Tokën Shenjte.

Ç’është Çmimi Niwano?

         Fondacioni japonez për Paqen “Niwano” – i cili e merr emrin nga themeluesi, Nikkyo Niwano, kryetari i parë i organizatës laike budiste “Rissho Kosei-kai” - ua jep këtë çmim të gjithë individëve dhe organizatave nga e gjithë bota, që japin kontribut të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërfetar. Peshkopi Younan është takuar me Papën Françesku në tetorin e vitit të kaluar, gjatë përkujtimit të 500-vjetorit të Reformës Protestante në Lund e Malmö të Suedisë. Me këtë çmim janë nderuar edhe personalitete të tjera të njohura si teologu katolik zviceran, atë Hans Küng, Bashkësia e Shën Egjidit e kryeipeshkvi katolik brazilian, imzot Helder Camara e të tjerë.

Energji ekumenike pozitive nga Lund

         Duke folur në mikrofonin tonë, peshkopi luteran, Munib A. Younan e përmendi takimin me Papën në Suedi dhe nënvizoi se kremtimi i përbashkët në Lund rrezaton energji pozitive kudo, edhe në Japoni. Të krishterët janë të paktë në këtë vend, por numri i tyre, theksoi peshkopi, “nuk përcakton kurrë dëshminë për pajtim dhe aftësinë për ripërtëritje të fesë së tyre”. Pavarësisht se të paktë, ata janë ndërtues urash në shoqëri. Duke vënë në dukje punën e të krishterëve japonezë në krijimin e kulturës së mospërdorimit të dhunës, sidomos pas bombës atomike mbi Hiroshimë e Nagasaki, peshkopi Younan përfundoi me fjalët: “Vërej se forca e Kishës nuk është kurrë në numra, por në dëshminë e saj aktive për shoqërinë”.

Motivacionet e Çmimit Niwano

         “Në një botë të karakterizuar nga liderë, që i theksojnë ndryshimet dhe urrejtjen – thuhet në motivacionin e Çmimit Niwano – peshkopi Younan ka luftuar me koherencë për të promovuar rrugën e kundërt. Vepra e tij nënvizon paqen e jo pushtetin, bashkimin e jo mbizotërimin. Peshkopi Younan personifikon ato cilësi, që Fondacioni Niwano për Paqen i vlerëson ndër krerët fetarë e, përmes këtij Çmimi, e nderon sinqerisht veprën e tij”.

Kush është peshkopi Younan

         Lindur më 1950 në Jeruzalem nga prindër refugjatë palestinezë, Munib A. Younan shugurohet pastor luteran në vitin 1976 dhe bëhet peshkop në vitin 1990. Në një intervistë për të përmuajshmen “Jesus”, Younan e përshkruante kështu dialogun ndërfetar: “Dialogu duhet të synojë gjithnjë njohjen dhe dashurinë: kur fetë zbulojnë pajtimin, reshtin së qeni pjesë e problemeve, që shtypin botën dhe, kthehen në zgjidhje. Kur ulem në tryezën e dialogut ndërfetar, nuk ndjej se po më lëkunden bindjet e mia e as se feja po më vihet në rrezik; përkundrazi, ajo përforcohet kur sheh si vepron Zoti me njerëzimin”.

27/07/2017 13:52