Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: ekumenizmi

Papa Françesku dhe Patriarku ortodoks Kirill në Havanë të Kubës, 12 shkurt 2016 - ANSA

27/07/2017 14:52

Edhe në programin tonë të sotëm folëm shpesh deri tani për dialog dhe ekumenizëm. Duken tema të rëndësishme për veprimtarinë e Kishës Katolike kësaj vere. Jo më larg se në fund të gushtit, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin do të shkojë në Moskë e do të takohet me Patrikun ortodoks Kirill, me të cilin u takua vjet në Havanë të Kubës edhe Papa Françesku. Por ç’është “ekumenizmi”? Kjo është fjala që do të shpjegojmë në emisionin e sotëm.

         Ekumenizmi është lëvizja, që synon afrimin dhe bashkimin e të gjithë besimtarëve të krishterë, pavarësisht se cilës Kishë i përkasin, asaj katolike, asaj ortodokse, apo protestante. E rëndësishme është feja e përbashkët në Trininë e Shenjtë: në Hyjin Atë, në Birin e Tij, Jezu Krishtin dhe në Shpirtin e Shenjtë. Fjala “ekumenizëm” rrjedh nga termi grek “oikouméne”, që fillimisht tregonte pjesën e banuar të Tokës e më pas, u përdor nga Kishat e krishtera për të shprehur synimin e lëvizjes, pra, bashkëpunimin dhe bashkimin gjithnjë e më të madh të të gjithë besimtarëve, që banojnë në botë.

         Lëvizja ekumenike u bë e nevojshme për shkak të ndarjeve ndërmjet të krishterëve. Elementë kundërshtie vihen në dukje që në bashkësitë e para të krishtera, siç dëshmojnë Veprat e Apostujve dhe disa letra të Shën Palit. Megjithatë, ndarjet e vërteta, me pasoja që ndihen edhe sot, filluan rreth 400 vjet pas vdekjes së Jezusit, mbi çështje bazë, si natyra e Tij si Zot i vërtetë dhe njeri i vërtetë. Në veçanti, disa Kisha, si ajo siro-lindore dhe kopte (e më vonë edhe ajo armene e etiope), nuk e pranuan rezultatin e punimeve të Koncilit të Kalcedonisë, në vitin 451, sipas të cilit natyra hyjnore e ajo njerëzore e Jezu Krishtit janë të bashkuara “pa konfuzion e pa ndarje”. Ndërkaq, Kisha asire ishte ndarë nga të krishterët e tjerë që në Koncilin e Efesit, në vitin 431.

         Por ndarjet më të mëdha kanë qenë pa dyshim ato ndërmjet Kishës së Kostandinopojës dhe Kishës së Romës, me skizmën e vitit 1054, si edhe ato ndërmjet Katolicizmit e Protestantizmit, duke filluar nga shekulli XVI. Të dyja, për shkaqe politike e fetare, kanë sjellë ndryshime në interpretimin e mësimeve të fesë dhe në praktika të ndryshme të jetës së krishterë. Natyrisht, ekziston një trashëgimi e përbashkët feje, e pranuar nga të gjithë të krishterët para ndarjeve. Për shembull, Pagëzimi dhe, me disa interpretime të ndryshme, Eukaristia pranohen si sakramentet kryesore për shpëtimin e shpirtit; feja në Trininë e Shenjtë është e përbashkët; të gjithë të krishterët vendosin në qendër të reflektimeve e të jetës së tyre Biblën e kështu me radhë.

         Kishat e kuptuan shpejt se, siç ka thënë Papa Benedikti XVI, “të krishterët janë më bindës, në se bashkohen”. Përpjekjet e para u bënë që në vitin 1274, me Koncilin e Lionit e më pas, në vitin 1439, me Koncilin e Firences, ku pavarësisht nga mosarritja e qëllimit, u bënë propozime për bashkimin ndërmjet Kishave të Lindjes e të Perëndimit. Në shekullin XIX, duhet kujtuar impenjimi i veçantë i Kishës Anglikane, i cili gati një shekull më vonë, në vitin 1910, bëri të fillonte zyrtarisht lëvizja ekumenike. Vërtet, në Konferencën Botërore të Shoqërive Misionare protestante dhe anglikane iu kërkua misionarëve të predikonin Ungjillin e jo ndarjet ndërmjet Kishave. Kisha Katolike mori pjesë në një dialog të rëndësishëm me anglikanët në Bisedimet e Malines (1921-1925) e po në atë periudhë, i bashkangjitet lëvizjes edhe Kisha Ortodokse.

         Pjesëmarrja e katolicizmit merr hov të jashtëzakonshëm me Papën Gjoni XXIII, i cili, në vitin 1959, thirri Koncilin II Ekumenik të Vatikanit, që filloi më 11 tetor 1962. Gjatë Koncilit, i cili përfundoi në vitin 1965, kur ishte Papë, Pali VI, u ftuan “delegatë vëllezër”: ortodoksët, luteranët, anglikanët, evangjelistët, kuakerët, metodistët… madje edhe dy vëzhgues të Kishës së Moskës. Është takimi i parë që prej shekujsh skizme! Bazilika e Shën Pjetrit nuk kishte parë kurrë asgjë të ngjashme! U anulluan shkishërimet e shpallura pas skizmës dhe iu kushtua një dokument i Koncilit pikërisht ekumenizmit. Fjala është për “Unitatis Redintegratio” (Rivendosja e bashkimit). Është shenja e dukshme e një Kishe që me të vërtetë dëshiron të kapërcejë armiqësitë e lashta, ndarjet, keqkuptimet.

         Më 5 e 6 janar 1964, në Jeruzalem, pasardhësi i Papës Gjoni XXIII, Pali VI, takon Atenagorën I, Patrik ekumenik i Kostandinopojës, Primat nderi ndër nëntë Patrikët e Kishës Ortodokse. Është një raport që rifillon pas gati njëmijë vjetësh! Është edhe fillimi i një dialogu me 450 milion vëllezër të ndarë! Atenagora I pranon: “Prej shekujsh bota e krishterë jeton në natën e ndarjes. Sytë e saj janë lodhur së shikuari errësirën”.

Që atëherë, rruga ekumenike drejt bashkimit të të krishterëve vazhdon, duke pasur parasysh atë bashkim, për të cilin vetë Krishti është lutur:

“Nuk lutem vetëm për këta,

por edhe për ata që nëpërmjet fjalës së këtyre do të besojnë në mua,

që të gjithë të jenë një gjë e vetme,

ashtu si ti o Atë je në mua e unë në ty,

të jenë edhe ata në ne një gjë e vetme

që bota të besojë se ti më ke dërguar”.

27/07/2017 14:52