2017-07-26 10:56:00

Papa Françesku: Fjalë e shprehje feje, shprese, dashurie


Sot, e mërkura e fundit pa audiencën e përgjithshme. Sheshit të Shën Pjetrit  i mungon Papa, por jo shtegtarët e ardhur nga mbarë bota që, pavarësisht nga dielli përvëlues, presin durueshëm në radhë për të vizituar Bazilikën e Shën Pjetrit e më pas, Muzetë e famshme të Vatikanit. Eshtë rast i papërsëritshëm… Duke u kënaqur me kaq, në pritje të së mërkurës, më 3 të muajit të ardhshëm, kur audiencat do të rifillojnë në Sallën Pali VI, për t’i mbrojtur shtegtarët nga vapa e gushtit.

Por ne po rikthehemi edhe sot në Shesh, ku vijojnë të jehojnë fjalët e Papës Françesku. E pikërisht fjalë e shprehje papnore, kushtuar fesë, shpresës e dashurisë, shkëputur nga katekizmat e audiencave të përgjithshme, zgjodhëm, në vend të katekizmit mungues të sotëm:

Jemi të gjithë mëkatarë, por t’i lutemi Zotit të mos jemi edhe hipokritë, Hipokritët nuk e dinë ç’do të thotë shpresë e krishterë, falje, gëzim, dashuri e Zotit.

Zoti nuk na shpëtoi me ndonjë ide. U ul ndër ne e u bë njeri. Fjala u mishërua! Një i krishterë nuk mund të jetë kurrë i mërzitur e as i trishtuar. Kush e do me të vërtetë Krishtin, është njeri që di të gëzohet e të dhurojë gëzim.  

Zoti na flet përmes Shkrimit Shenjt, në lutje. Të rrimë në heshtje para Tij e të meditojmë Ungjillin.

I krishteri, gjithnjë plot me shpresë, nuk e humbet kurrë guximin.

Po të duam ta ndjekim Krishtin nga afër, nuk mund të kërkojmë një jetë të rehatshme e të qetë. Do të kemi jetë impenjative, por plot me gëzim e paqe.

Jezusi nuk është vetëm mik. Është mësues i së vërtetës e i jetës, që na tregon rrugën ku gjindet lumturia.

O Zot, na e jep hirin të qajmë mbi indiferencën tonë, mbi mizorinë, që e shohim nëpër botë dhe e ndjejmë edhe në zemrat tona.

Madhështia e një shoqërie matet me mënyrën si e trajton nevojtarin, atë që nuk ka pronë tjetër, veç varfërisë së vet.

Mos e harroni kurrë se Zoja e Bekuar është nëna jonë e, me ndihmën e saj mund të mbetemi gjithë jetën besnikë të Jezu Krishtit.

Çdo e premte na krijon mundësinë të kujtojmë sa vuajti Krishti për ne! Premto, o Zot, që të mos harrojmë kurrë sa shumë na do e na mëso të dalim nga vetvetja, për të shpallur rrugëve të botës dashurinë tënde!

Nuk ka kryq të madh a të vogël në jetën tonë, që Jezusi të mos e mbartë së bashku me ne!

Mos e harro zakonin të lutesh çdo ditë: kjo është mënyra për ta njohur Jezusin e për ta ftuar të hyjë në jetën tënde.

Të dashur të rinj: jini “atletë të vërtetë të Krishtit”! Luani në skuadrën e  tij!

Ia vlen ta vësh gjithë jetën në shërbim të Krishtit e të Ungjillit, të rrezikosh gjithçka për ideale të mëdha!

Siguria e fesë nuk na bën të mefshtë, nuk na mbyll prapa portës së shtëpisë sonë, por na vë për udhë për t’ia dëshmuar Zotin të gjithëve e për të dialoguar me të gjithë.

Me ardhjen e tij ndër ne Jezusi u bë i afërt, na preku, edhe sot, me sakramentet. Ai na prek gjithnjë!

Të jemi bij të Zotit. Nuk mund të jemi të krishterë part-time. Nëse Krishti është qendra e jetës sonë, Ai është i pransishëm në gjithçka që bëjmë!

Mos kini frikë t’i kërkoni Zotit falje; ai nuk lodhet kurrë duke falur. Zoti është mëshirë e pastër.

E, në fund të këtyre shprehjeve për t’u mbajtur mend, një fjalë për Marinë, sipas zakonit të vetë Papës, në përfundim të katekizmave të të mërkurave…

Mari, Nënë e Zotit, lutu për ne mëkatarët e na prij në udhën, që të çon te Krishti…

.. dhe përshëndetja: mirupafshim të mërkurën e ardhshme, 3 gusht, në Sallën Pali VI, për të nisur një stinë të re audiencash të përgjithshme, me Papën Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.