Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Një vit më parë, në Krakov, DBR-ja XXXI, kushtuar mëshirës

Papa Françesku me të rinjtë në Krakov - EPA

26/07/2017 14:05

“Jezusi është tifozi juaj, gjithmonë. Jezusi ju ngre në këmbë sa herë bini e ju do, pavarësisht nga dobësitë tuaja. Me Të mund ta ndryshoni botën”. Ky ishte mesazhi, që Papa Françesku u dha rreth një milion e 600 mijë të rinjve, të cilët, më 31 korrikun e vitit të kaluar, u mblodhën në Campus Misericordiae të Krakovit në Poloni, për meshën, që mbylli Ditën XXXI Botërore të Rinisë. Të gjithë, të mbledhur përreth një tribune të bardhë, mbi të cilën ngrihej fugurja e Jezusit të mëshirshëm, e dukshme edhe nga larg.

         Kremtimet filluan si sot, më 26 korrikun e kaluar, e patën si temë një rresht nga Ungjilli sipas Mateut: “Lum të mëshirshmit se do të gjejnë mëshirë”. DBR-ja u zhvillua në kuadrin e Jubileut të Mëshirës, në qytetin ku pati qenë kryeipeshkëv Shën Gjon Pali II, themeluesi i këtyre ditëve në vitin 1985.

         Të shumta, çastet e paharrueshme, të përjetuara me intensitet nga të rinjtë e të kthyera në thirrje për paqe e vëllazërim në të gjithë botën, sidomos pas vrasjes së atë Jacques Hamel në elterin e kishës së tij në Rouen, në të njëjtën ditë me fillimin e Ditës Botërore të Rinisë në Krakov.

         Krakovi e priti me padurim mbërritjen e Atit të Shenjtë. Qyteti ishte zbukuruar për festë e kudo lexohej parrulla “Wjtai – Mirëseerdhe”. I madh qe gëzimi i të rinjve, kur në Parkun Blonia, Papa Françesku i përshëndeti me fjalët: “Më në fund, po takohemi!”

         “Zemra e mëshirshme”, në qendër të takimit të parë me të rinjtë: “Një zemër e mëshirshme – shpjegoi Papa atëherë – di të jetë strehë për kë nuk ka pasur kurrë shtëpi, ose e ka humbur atë; di të krijojë ambientin e shtëpisë e të familjes për ata, që detyrohen të emigrojnë; është e aftë për ëmbëlsi dhe dhembshuri. Zemra e mëshirshme di ta ndajë bukën me të uriturin; zemra e mëshirshme hapet për të pritur refugjatin dhe emigrantin. Të thuash mëshirë së bashku me ju, do të thotë mundësi, do të thotë e nesërme, impenjim, besim, hapje, mikpritje, dhembshuri, ëndrra”.

         Një nga çastet më prekëse të atyre ditëve polake qe vizita në lagerin e Aushvic-Birkenaut, ku fjalët ishin të tepërta e vetëm heshtja e përshkruante më mirë atë dhimbje, akoma të gjallë. E pamundur të mos kujtohen disa nga pamjet e asaj vizite, si përqafimi i përlotur me dhjetë të mbijetuar nga masakrimi nazist; lutja e gjatë dhe e heshtur në të ashtuquajturën “qelia e urisë”, ku Shën Maksimilian Kolbe flijoi jetën e vet për të shpëtuar një të pafajshëm; Psalmi 130, “De Profundis”, i kënduar nga kryerabini i Polonisë dhe takimi përfundimtar me 25 të Drejtët e Kombeve, gra e burra që iu kundërvunë së keqes absolute.

         E njëri nga vendet më të rëndësishme të kësaj Dite Botërore qe Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore, ku pushon trupi i Shën Faustina Kovalskës, mistikes polake, që përhapi devocionin për Krishtin e Mëshirshëm. E pikërisht në shenjtëroren ku prehet njëra nga Pajtoret e DBR-së, duke iu përgjigjur  pyetjeve të disa të rinjve, Papa Françesku i nxiti të ndërtojnë ura paqeje.

         “Paqja – theksoi Ati i Shenjtë – ndërton ura, urrejtja ndërton mure. Duhet të zgjedhësh në jetë: bën ura, apo mure? Muret ndajnë e urrejtja shtohet… Urat bashkojnë. Kur i shtrëngon dorën një miku, një personi, ndërton një urë njerëzore. Por kur e godet tjetrin, kur e shan, ndërton një mur. Unë dua të shoh shumë ura njerëzore. Ky është programi  i jetës: të ndërtojmë ura, ura njerëzore”.

         Takimi i ardhshëm i Papës me të rinjtë do të jetë në Panama, nga 22 deri më 27 janar 2019. Tema e Ditës XXXII Botërore të Rinisë është marrë nga Ungjilli sipas Lukës: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”.

26/07/2017 14:05