Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Bota shqiptare

Ndërroi jetë albanologu arbëresh Antonino Guzzetta

Antonino Guzzetta me Ernest Koliqin dhe atë Vinçenc Malajn - RV

26/07/2017 14:58

Ndërroi jetë mbrëmë, pas një sëmundjeje të gjatë e të rëndë, albanologu i mirënjohur arbëresh, profesor Antonino Guzzetta, lindur në Horë të Arbëreshëve, më 14 tetor 1922. Ishte i biri i Giorgio Guzzetta-s, themelues i seminarit greko-shqiptar të Palermos, ku mori formimin fillestar. Më pas u diplomua në universitetin e Palermos, në degën Letërsi - Filozofi.

Në vitin 1974 u emërua profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Katedrën e Institutit Oriental të Napolit. Pas një viti, u transferua në Palermo, ku vijoi të kryente detyrën e profesorit deri në vitin 1997. Si drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare “Rosolino Petrota”, organizoi 23 kongrese ndërkombëtare për studimet shqipe, aktet e të cilëve i publikoi rregullisht. Qe luftëtar i vërtetë i ruajtjes dhe funksionimit të katedrave shqipe në Itali, i ndihmuar në këtë përpjekje edhe nga miq të shumtë jashtë Italisë. Themeloi kolanën “Albanica” që numëron mbi 20 vëllime.  

Po kujtojmë sot vetëm disa nga veprat e tij:

“Gjurmë të shqipes në shekullin XV në dokumentacionin venedikas të kohës”(1968);

“Ernest Koliqi, një poet social”(1968);

“E folura e Piana degli Albanesi” – pjesa I – Fonologjia(1978);

“Bajroni në Shqipëri”(1978);

“Përshkrim fonematik i të folurës arbëreshe të konteshës Entellina”(1978).

Ishte i lidhur ngushtë me një mori albanologësh dhe studiuesish të historisë, të letërsisë e të gjuhës shqipe: dijetarë shqiptarë në emigracion, si Ernest Koliqi, Martin Camaj, Atë Jakob Marlekaj. Pastaj me shqiptarë të shquar, si profesor Shaban Demiraj e dijetarë me famë ndërkombëtare, si Erik P. Hamp,  Walter Breu, Titos Jochalas etj. Miqësia me ta shumë shpejt u shndërrua në bashkëpunim të frytshëm, me ndikim pozitiv mbi të dyja palët.

Meritoi, kështu, një mori çmimesh ndërkombëtare. Ndërmjet tyre, Çmimi që iu akordua nga “dheu i të parëve”, “Naim Frashëri”, në vitin 1992.

E edhe një nekrologji jashtëzakonisht prekëse, shkruar me dhimbje e admirim të thellë nga profesor Matteo Mandalà, i cili kujton me lot në sy fjalët e fundit që dëgjoi nga goja  e Profesorit, në shtratin e vdekjes, pëshpëritur me një fill zëri, në gjuhën e të parëve: “Të kam dashur sempri mirë”. E përfundon me urimin: “I lehtë të qoftë dheu, o Profesor i madh!".

26/07/2017 14:58