2017-07-25 14:32:00

“Humanae Vitae”. Grup kërkimor në 50-vjetorin e Enciklikës së Palit VI


“Diçka, që prek nga afër jetën dhe lumturinë e njerëzve”: kështu shkruante Papa Pali VI, më 25 korrikun e vitit 1968, në hyrjen e Letrës enciklike “Humanae Vitae”, duke folur për “detyrën e rëndësishme të transmetimit të jetës njerëzore". Një temë që, në të gjitha kohët, ka vënë para ndërgjegjes së bashkëshortëve probleme serioze, e veçanërisht në ato vite, kur shoqëria përshkohej nga ndryshime të jashtëzakonshme, periudhë hipish e revolucioni seksual, që nuk mund të mos ngrinte pikëpyetje për Kishën. Kishin kaluar tre vjet nga përfundimi i Koncilit II të Vatikanit, por enciklika e Papës Montini, që i sensibilizonte prindërit mbi përgjegjësinë, që merrnin përsipër, kur sillnin në jetë një fëmijë, nuk u prit pa kritika. Dikush e akuzonte se ishte dorëlëshuar, pasi fliste për metodat natyrore të parandalimit të shtatzanisë e, të tjerë e akuzonin se ishte treguar tepër dorështrënguar me metodat kontraceptive.

         Sa ishte profetike ajo Letër enciklike edhe për kohët e sotme, na e shpjegon, në mikrofonin tonë, pedagogu i antropologjisë teologjike në Institutin “Gjon Pali II”, don Gilfredo Marengo. Ai është në krye të një grupi kërkimor mbi Enciklikën, në prag të 50-vjetorit të saj, që do të kremtohet vitin e ardhshëm.

         Me këtë Enciklikë, Papa Pali VI – në vazhdën e Koncilit II të Vatikanit – deklaroi pa dyshim se ushtrimi i përgjegjshëm i atësisë është vlerë objektive për familjet e krishtera. Njëkohësisht, ai tregoi mënyrat e përshtatshme për ta jetuar këtë vlerë, duke pasur parasysh të gjitha përmasat e dashurisë njerëzore. Duhet të kujtojmë se në ato vite, shumë e konsideronin planifikimin e lindjeve si një lloj “konçesioni mirëdashës” për çiftin e jo si vlerë pozitive për t’u ndjekur. Atëherë, Kisha theksonte jashtëzakonisht detyrën e lindjes së fëmijëve si qëllim kryesor i martesës, gjë që, për një kohë të gjatë, e bëri të vështirë kumtimin teologjik e të ekuilibruar të vetë bashkimit martesor.

         Enciklika u mbrojt haptasi nga Shën Gjon Pali II, i cili foli shpesh mbi dashurinë bashkëshortore, në katekizmin e tij. Por kritikat ndaj saj i shkaktuan vuajtje Palit VI aq sa për dhjetë vjet pas “Humanae Vitae” ai nuk shkroi enciklikë tjetër. Gjithsesi, çështja e dashurisë familjare meriton të shqyrtohet më tej. Të dëgjojmë don Gilfredo Marengo-n:

         Sigurisht që meriton të studiohet më thellë, së paku në dy drejtime: nga njëra anë, duhet ta konsiderojmë në kontekstin e të gjitha gjërave të rëndësishme e të frytshme që ka thënë Kisha mbi martesën e familjen gjatë këtyre 50 vjetëve. Pastaj, nga pikpamja e punës kërkimore historiko-teologjike, do të ishte e dobishme të rindërtojmë rrugën sipas së cilës u përpilua Enciklika, nga qershori 1966 deri më 25 korrik 1968. Duhen shqyrtuar dokumentet e ruajtura në arkivat e Selisë së Shenjtë. Kam marrë lejen për t’i filluar këto kërkime arkivore, së bashku me disa studiues me autoritet si, profesorët Sequeri, Maffeis e Chenaux. Duhen kuptuar synimet dhe shqetësimet për të cilat u vu në lëvizje Papa Pali VI, që e zgjidhi pozitivisht çështjen, pavarësisht nga vështirësitë e shumta. Duhet theksuar se nuk u përkrah gjithnjë, ashtu siç duhej në ato vite… e gjithë çështja e ndërlikuar e Komisionit Papnor, që punoi nga viti 1963 në vitin 1966 e në fund të fundit, nuk arriti t’i jepte në dorë çfarë i duhej për të hartuar Enciklikën. Kështu që Papës Pali VI iu desh gati t’ia fillonte vetë nga e para. Mbi të rëndonte opinioni publik kishtar i atyre viteve, që, së bashku me bashkësinë e teologëve, ishte i ndarë në pro e kundër pilulës kontraceptive.

         Cili është filli, që lidh “Humanae Vitae” me enciklikën “Amoris Laetitia” të Papës Françesku?

         Filli është ai që nis me “Gaudium et Spes”, me të cilën Kisha e konsideron parësor kujdesin për martesën dhe familjen. Ajo sheh në këto realitete vendin kryesor, ku bashkësia e krishterë është e thirrur të takojë njerëzit e kohës së vet, duke u kujdesur për gjithçka që ka të bëjë me njeriun e duke ofruar risinë e kumtit të krishterë. Në këtë kuptim, ekziston një vazhdimësi e veçantë ndërmjet Palit VI e Françeskut, që kalon përmes Shën Gjon Palit II e Benediktit XVI.








All the contents on this site are copyrighted ©.