Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 25 korrik Kisha kremton festën e Shën Jakut Apostull

Shën Jaku i Madh, apostull - RV

25/07/2017 12:26

Jaku, i lindur në Betsaide, ishte vëllai i shën Gjonit ungjilltar e i biri i Zebedeut dhe i Salomesë, që banonin në brigjet e liqenit të Tiberiades. E ndoqi Jezusin pas që nga fillimet e predikimit të Tij, menjëherë pas Simonit e Andreut. Lindi, pastaj, kolegji i Dymbëdhjetë Apostujve, të cilët qenë dëshmitarë të Shndërrimit të Krishtit, të ringjalljes të së bijës së Jairit e të natës më tragjike të njerëzimit, asaj të Gjetsemanit. Njohim edhe nënën e Shën Jakut, Salomenë, e cila nuk shquhej edhe aq shumë për virtyte. Mjafton të kujtojmë se kërkoi vende të posaçme në mbretërinë qiellore për të bijtë, të cilët u treguan të gatshëm ta pinin po atë Kelk që do të pinte Krishti.
E Jaku e piu me të vërtetë kelkun! Viktimë e persekutimit të parë judaik pas Rrëshajëve, gjatë të cilit qe burgosur e qe rrahur mizorisht, u martirizua në vitin 42 pas Krishtit nën Herodin Agripa. Ky është edhe lajmi i fundit që na jep Besëlidhja së Re për Jakun e Madh.

Shën Jaku në Kompostelë
Sipas një tradite që nis në shekullin VI, Jaku qe ungjillëzuesi i parë i Spanjës, prandaj edhe u varros në Kompostelë. Varri me reliket e tij, mbartur nga Jerusalemi pas martirizimit, u zbulua në kohën e Karlit të Madh, në vitin 814. U bë menjëherë cak shtegtimesh të mëdha mesjetare, aq sa edhe vetë vendi mori emrin “Shën Jaku – Sant Jago e aty, në vitin 1075 u ndërtua një nga bazilikat më të mëdha të krishterimit. Kujtojmë se emri i Shenjtit, Jakob në italisht, Jak në shqip, në spanjisht shqiptohet Yago.

Kulti i Shën Jakut
Emri Jak vjen nga hebraishtja e do të thotë “që ndjek Zotin”. U quajt “i madh” për t’u dalluar nga apostulli me të njëjtin emër, Jaku i Alfeut.
Është Pajtor i shtegtarëve, i kalorësve, i njerëzve që vuajnë nga reumatizmi. Simbolet e Shenjtit janë kapela e shtegtarit dhe guaska e detit.
E festa e Shën Jakut, kremtohet sot me madhështi në Spanjën që e ka për Pajtor e mbështetet në ndërmjetësimin e tij me fe e traditë. Gjatë kremtimit, në katedralen kushtuar Shenjtit Pajtor, paraqitet “ofrend-a” apo lutja tradicionale drejtuar Apostullit. Më pas vijon procesioni me reliken e Shenjtit nëpër rrugët kryesore të qytetit.  Kështu, në kremtimin, tashmë shumëshekullor, ndërthuren tradita shpirtërore e folklorike, që ndiqen nga shtegtarë të cilët nisen nga të katër anët e botës, për t’u bashkuar në lutje pranë varrit të Apostullit. Katër janë rrugët që çojnë në Santiago, të cilat në Puente la Reina takohen e bëhen një rrugë e vetme…”. me këto fjalë nis “Doracaku i shtegtarit të Santiagos”. E shtegtarët evropianë që prej dhjetë shekujsh vijojnë të ecin në këmbë nëpër të katër rrugët, për t’u pastruar shpirtërisht tek Varri i Apostullit të madh.

25/07/2017 12:26